Aktualitet Dëshmia e Priftit: Kuliçajt, mbrojtës i kontrabandistëve që tregtonin naftë virgin

Dëshmia e Priftit: Kuliçajt, mbrojtës i kontrabandistëve që tregtonin naftë virgin

167
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Ekonomisë: Informova Berishën për mburojën e Policisë së Shtetit  

Sokol Çobo

dritan-priftiDenoncuesi i skandalit “virgin” ka qenë ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Me kalimin e kohës, hetimi për këtë çështje u zbeh, nisur edhe nga ndërhyrjet e njëpasnjëshme. Megjithatë, në vendimin e dënimit me 6 muaj burg të Hajri Elezajt, detajohet një pjesë e dëshmisë së Priftit, e cila hedh dritë mbi mënyrën e kësaj kontrabande, madje edhe ndërhyrjet e Policisë së Shtetit. Gjykata e ka administruar këtë dëshmi në vendim, të cilën po e botojmë të plotë më poshtë.

Dëshmia e plotë

Unë jam zgjedhur deputet për mandatin e tretë në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009 dhe në shtator po të vitit 2009 jam emëruar Ministri i Ekonomisë, ku kam qëndruar në këtë detyrë deri në muajin shtator të vitit 2010…

Në detyrën si ministër kam pasur detyrë funksionale mbikëqyrjen e sektorit të hidrokarbureve dhe në varësi administrative disa institucione që veprojnë në sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri…

Që në ditët e para të punës time kam bërë takime me gjithë drejtuesit e sektorit të hidrokarbureve në vend. Kam marrë shqetësimet e tyre për gjithë problematikën, por dëshiroj të veçoj shqetësimet për cilësinë e karburanteve të tregtuara në vend… Kam kërkuar goditje të akteve korruptive dhe të jashtëligjshme që dëmtojnë cilësinë e karburanteve në treg, por dhe informacione se cilët janë aktorët që ndikojnë në
prishjen e cilësisë së karburanteve. Në muajt në vazhdim jam informuar në mënyra të ndryshme nga IQT-ja, Albpetrol, apo dhe qytetarë të thjeshtë në lidhje me hedhjen në treg të produkteve të ndaluara, të prodhuara nga rafineria Armo. Kam informuar Kryeministrin, ministrin e Financave në lidhje me informacionet që kisha marrë se lëndë djegëse si nafta virgin, apo derivate të tjera hollues karburantesh futen në treg, pasi deklarohen sikur eksportohen jashtë Shqipërisë.

Në praninë time Kryeministri ka urdhëruar në një takim të posaçëm me ministrin e Financave, drejtorin e Doganave dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të kryhet menjëherë një hetim nga doganat në lidhje me këto informacione…

Kryeministrin e kam informuar gjatë kësaj periudhe edhe për një rol të dyshimtë të Policisë së Shtetit në lidhje me goditjen e trafikut të paligjshëm të naftës virgin. I kisha treguar disa sms të ardhura nga inspektorët e hidrokarbureve të Qarkut të Fierit ku flitej për kërcënime ndaj tyre për jetën dhe në disa raste moslejim nga policia të kontrolleve të tyre dhe në disa raste të tjera dhe shoqërim nga policia të autoboteve të transportit. Kryeministri në praninë time i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, z.Hysni Burgaj, për të sqaruar situatën. Gjatë bisedave të ndryshme me kompani të tregut të
karburanteve, apo inspektorë të IQT-së, janë përfolur emra të ndryshëm si të përfshirë në aktivitetin e virgin. Flitet se dy kompani kanë bërë blerjen nga rafineria e naftës në fjalë eksportet fiktive dhe futjen në treg të kësaj lënde. Janë përfolur emrat e Hajri Elezit dhe Ladi Fishekut. Nuk i di emrat e kompanive të tyre. Nuk i kam verifikuar zyrtarisht emrat e këtyre kompanive, sepse kam pritur zbatimin e porosisë së Kryeministrit ndaj ministrit të Financave dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Është detyrë e tyre të verifikojnë aktivitetin e
doganave shqiptare dhe eksporteve jashtë vendit. Nuk mora asnjëherë përgjigje, as zyrtarisht, as jozyrtarisht. Kam pyetur jozyrtarisht z. Rezart Taçi, pronarin e rafinerisë nëse ai virgin e ka tregtuar vetëm për eksport, apo dhe për tregun vendas. Ai më ka konfirmuar që çdo litër nafte ishte me dokumente eksporti…

Ky aktivitet është bërë për të shmangur taksat e shtetit shqiptar, akcizën, TVSH-në, tatim-fitimin apo taksa të tjera dhe për të përfituar këto para për interesa private dhe jo të buxhetit të shtetit.

Inspektorët e hidrokarbureve më kanë dërguar sms ku përshkruanin qartë kërcënimet që u bëheshin atyre me jetë nëse ndalonin këtë trafik, por edhe mbrojtjen që u afrohej trafikut nga segmente të Policisë së Shtetit. Këto sms i kam ruajtur në një celularin tim të vjetër, të cilat si e sqarova më parë, ia kam treguar dhe Kryeministrit. Ky aparat celulari fatkeqësisht më ka humbur gjatë një udhëtimi në Itali. Të njëjtët inspektorë që më informuan atëherë, u kam kërkuar me sms përpara disa ditësh të m’i ritregojnë historitë e trafikut të naftës virgin dhe sot kam si dëshmi në celularin tim dy sms që tregojnë këto të dhëna, të cilat do t’ua vë në dispozicion për t’u pasqyruar në aktet.

Këta persona kanë përmendur si urdhërues të grupeve të policisë, që i kanë dalë në krah dhe nuk kanë lejuar kontrollet e autoboteve me naftë virgin emrin e shefit të Komisariatit të Policisë së Fierit, z.Artan Pjetërnika. Ky i fundit është përfolur si një person i afërt, mik i zotit Kuliçaj, dhe nga ana e tij pretendohej në biseda të rëndomta një mbrojtje e posaçme nga z.Kuliçaj. Unë kam përmendur që z.Kuliçajt i ka dalë emri në këto aktivitete, emër të cilin mua ma kanë përmendur në shumë
raste inspektorë të hidrokarbureve dhe tregtarë të fushës së karburanteve. Episodi për të cilin po flasim ka ndodhur disa muaj më parë dhe mënyra se si u bë lëvizja pasqyrohet në sms-në që unë kam marrë dhe të cilën do t’ua vë në dispozicion, ku thuhet në mënyrë të përmbledhur: “urdhrin për lirimin e boteve sipas grupit të gatshëm prezent e ka dhënë Artan Pjetërnika”.

Përpara ndryshimit të VKM-së të drejtën e kanë pasur vetëm
kompanitë që kanë pasur një licencë të posaçme për tregtimin e
hidrokarbureve. Lista e këtyre kompanive mund të sigurohet në Ministrinë e Ekonomisë, ose në IQT. Pas ndryshimeve në VKM kjo u la si e drejtë ekskluzive vetëm për kompaninë prodhuese “Armo” sh.a. Rafineria “Armo” sh.a ka një pasaportë teknike-teknologjike ku specifikohet saktë sipas sasisë së lëndës së parë naftë bruto që futet në përpunim, sa produkte dhe nënprodukte dalin gjatë rafinerimit. Sipas teknologjisë një përqindje e caktuar gjatë rafinerimit del naftë virgin. Nga njohuritë e mia duhet të jetë rreth 30% e prodhimit, por duhet verifikuar nga karta teknologjike e rafinerisë. Kjo sasi nafte virgin e prodhuar, me ligjin shqiptar nuk lejohet të shitet në tregun e brendshëm dhe mundet vetëm të eksportohet. Ajo përdoret në rafineritë e tjera jashtë vendit si një lëndë e parë për prodhimin e benzinës. Brenda vendit ajo është përdorur në mënyrë të jashtëligjshme si një lëndë përzierëse e benzinës. Rafineria “Armo” sh.a, mund t’ua shesë atë të gjitha subjekteve të licencuara për tregtim lëndësh hidrokarbure vetëm për eksport…

Humbja e celularit ka ndodhur gjatë një vizite time në Itali, rreth periudhës 23-24 qershor e këtij viti. Numri që kam përdorur ka qenë 0694090… Për sa u përket sms-ve që i kisha të ruajtura në këtë celular duhet të ketë qenë 3-5 muaj më përpara humbjes së celularit. Deri afërsisht 3-4 muajve “Albpetroli”, sipas ligjit shqiptar, dhe kontratës së privatizimit të “Armos” ka qenë i detyruar që gjithë prodhimin e vet t’ia shesë “Armos”. Pra “Albpetroli” nuk ka pasur mundësi ligjore t’ia shesë
operatorëve të tjerë naftën bruto, përveçse rafinerisë “Armo”.

Informimi

Kryeministrin e kam informuar gjatë kësaj periudhe edhe për një rol të dyshimtë të Policisë së Shtetit në lidhje me goditjen e trafikut të paligjshëm të naftës virgin

Shoqërimi

I kisha treguar disa sms ku flitej për kërcënime të inspektorëve dhe në disa raste moslejim nga policia të kontrolleve të tyre apo shoqërim nga policia të autoboteve të transportit

Emri

Unë kam përmendur që z.Kuliçajt i ka dalë emri në këto aktivitete, emër të cilin mua ma kanë përmendur në shumë

raste inspektorë të hidrokarbureve dhe tregtarë të fushës së karburanteve

Dëshmia e Rezart Taçit

…Lidhur me eksportin e virgin naftë kam biseduar dhe me ish-ministrin Dritan Prifti. Ka qenë një takim jozyrtar që ma ka kërkuar vetë Dritan Prifti, i cili më ka pyetur nëse kisha dijeni apo informacion për eksportin e virgin naftës. Unë i kam shpjeguar se nuk disponoj informacion lidhur me këtë çështje. Tjetër gjë nuk kam për të shtuar.