Politikë Venizellos-Peleshi: Na lidh pakti i fqinjësisë së mirë

Venizellos-Peleshi: Na lidh pakti i fqinjësisë së mirë

75
SHPËRNDAJE

Greqia akordon 2.5 milionë euro për ndërtimin e Teatrit Kombëtar

peleshiZëvendëskryeministri shqiptar, Niko Peleshi, zhvilloi dje paradite një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm grek, Evangelos Venizelos. Pas takimit, Venizelos ka bërë me dije temat e diskutuara, por asnjë deklaratë për çështjen e armëve kimike, që mund të eliminohen në Shqipëri, edhe pse sipas mediave vendase, Athina është shumë e shqetësuar për këtë çështje, shqetësim që konsiston në rrezikun e degradimit të mjedisit në gjithë rajonin tonë. Sipas mediave televizive shqiptare, Venizelos shprehur kënaqësinë e tij për takimin me homologun shqiptar dhe ka theksuar se dy qeveritë, ajo greke dhe shqiptare i japin rëndësi të madhe perspektivës europiane të Shqipërisë, por edhe bashkëpunimit bilateral, që është i rëndësishëm jo vetëm për dy vendet dhe në përgjithësi për Ballkanin Perëndimor. “Ajo që na lidh është Pakti i Miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Ajo që na lidh është edhe marrëdhënia jonë aleate brenda NATO-s, por edhe gatishmëria për të pranuar ligjet dhe rregullat europiane ligjore dhe politike është tejet e rëndësishme”, ka deklaruar Venizelos pas takimit me Peleshin. Bëhet e ditur se janë diskutuar edhe disa çështje të tjera me theks të veçantë në sektorin e energjisë. “Të dyja vendet janë të lidhura tani përmes tubacionit TAP, por do të vihen në lojë edhe aspekte të tjera të bashkëpunimit energjetik. Vendimtar është prodhimi dhe transmetimi i energjisë elektrike dhe ndërlidhjet e sistemeve të shpërndarjes së energjisë. Kjo përfshin zonën e përgjithshme të Mesdheut”, ka deklaruar diplomati grek. Në takim është diskutuar edhe për politikat kulturore. Një iniciativë e vjetër e qeverisë greke ka qenë që të kontribuojë financiarisht me një vlerë prej rreth 2,5 milionë eurosh për ndërtimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, në qendër të Tiranës. Venizelos ka konfirmuar disponueshmërinë dhe kënaqësinë e qeverisë greke për kontributin në ngritjen e një ndërtese të tillë, që simbolizon miqësinë. “Edhe mbi çështjet e trashëgimisë kulturore, ne tashmë kemi një bashkëpunim shumë të mirë, të cilin zoti Peleshi premtoi se do ta shtyjë më tej. Gjithashtu, kemi bashkëpunim shumë të mirë në kuadër të UNESCO-s”, tha Venizelos. Nënkryetari i qeverisë greke pohoi se ka marrë siguri nga Peleshi që të kontribuojë nga ana e tij, me qëllim që të zbatohen ato që u diskutuan gjatë takimeve të Venizelos me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Jashtëm, Ditmir Bushati, në Tiranë.