Inspektimet nga metrologjia, konstaton sërish shkelje. Sërish, asnjë emër kundërvajtësi
Drejtoria e Metrologjisë konstaton sërish dhjetëra subjekte të tregtimit të naftës me shkelje, por pa dhënë asnjë emër se ku konsumatorët vidhen pa reshtur. Në një njoftim të djeshëm, ky institucion ka bërë publik konkluzionet e inspektimit në 10 ditë në 225 subjekte. Vërehen një sërë shkeljesh, sidomos në pistoletat furnizuese, ku pretendohet se kryhet dhe vjedhja ndaj konsumatorit. Por ky institucion, sërish del pa emra subjektesh, të cilët duket se janë të maskuar shumë mirë pas ligjit aktual që njeh konfidencialitetin e të dhënave të tyre. Pak muaj më parë pati një debat të gjerë publik, ku ish-kryeministri Berisha në fund të mandatit të tij “u kujtua” që një akt normativ për bërjen publik të subjekteve abuzues mund ta zgjidhte këtë handikap.
Shkeljet
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, janë inspektuar dhe janë mbajtur kontrolle në 225 subjekte, që dispononin në total 488 aparate matës të karburanteve me një total prej 2251 pistoletash furnizuese. Janë bllokuar nga grupet e inspektimit dhe u është kërkuar riverifikim për 341 pistoleta, pasi gjatë testimeve rezultuan me gabime të matjes jashtë kufirit ligjor të lejuar. Për 76 subjekte janë mbajtur procesverbale dhe janë marrë masa administrative, pasi kishin në përdorim, instrumente matës të paverifikuar, instrumente që u kishte kaluar afati i verifikimit periodik si dhe dëmtime nga subjekti të shenjave metrologjike, veprime këto në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Metrologjinë (i ndryshuar). Drejtoria e Inspektimit Metrologjik, ka ngritur grupet e inspektimit, me qëllim kontrollin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e tregtimit të karburanteve dhe gazit, si dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e parapaketimeve. Këto inspektime kanë pasur si objekt dhe konsistuar në: kontrollin e subjekteve të tregtimit të karburanteve dhe të parapaketimeve; mbështetje të aktivitetit të metrologëve, lidhur me subjektet që nuk kryejnë verifikimin e instrumenteve matës, evidentimin dhe kontrollin e dokumentacionit metrologjik që disponojnë këto subjekte, kontrollin vizual dhe teknik të instrumenteve matës (pistoletave, dozatorëve, peshoreve), dhe të shenjave metrologjike që kanë vendosur punonjësit e DPM-së si dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe të shtetit, si dhe parandalimin e shkeljeve të ndryshme nga subjektet që nuk veprojnë në përputhje me Ligjin për Metrologjinë.
Ndërhyrjet në ligj
Burime zyrtare nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë shprehen se çështja është e njohur ndërsa i është drejtuar një memo Kryeministrisë pikërisht për këtë ngërç. Sipas këtyre zërave zyrtarë, kërkohet ndërhyrja me një V.KM për të detyruar Drejtorinë e Metrologjisë që, krahas konstatimeve të kryera për shkeljet, sidomos ato që kanë të bëjnë me vjedhjen e konsumatorit përmes mashtrimit nga subjektet e shitjes së karburanteve të deklarohet dhe emri i këtij subjekti. Deri në përfundim të procedurës, e cila duket se ka vullnetin e ekzekutivit të bëhet, këto subjekte apo kompani janë komode përballë qytetarit, i cili paguan më shumë nga ç’merr në të vërtetë.
Të fshehur pas ligjit
Pak muaj më parë, Prokuroria e përgjithshme deklaroi se ka urdhëruar një task–forcë për të nisur hetimet në fushën e tregtimit të karburanteve pas deklarimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë se në këtë sektor mashtrohej me sasinë. Në fillim të shtatorit të këtij viti, Ministria e Ekonomisë kërkoi zyrtarisht deklarimin e emrave të subjekteve, por që u refuzua nga drejtoresha e asaj kohe, Kozeta Mesiti. Sipas kësaj të fundit, ligji për inspektimin në Republikën e Shqipërisë nuk lejon publikimin e të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare të subjekteve. “Informimi sipas parimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë dhe brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit apo personave të tjerë. Në interpretim të kësaj pike, ne pengohemi të publikojmë, për faktin sepse jemi të detyruar të mbrojmë interesat e konsumatorit, po kështu edhe të mbrojmë interesat e biznesit”, u shpreh asokohe Mesiti. Sipas saj, Drejtoria e Metrologjisë e kishte hartuar aktin normativ, i cili qartëson pozicionin e kësaj drejtorie për publikimin e këtyre subjekteve. Ajo u shpreh gjithashtu se 14 subjektet që abuzojnë me sasinë e karburantit nuk janë kallëzuar në prokurori, pasi ato klasifikohen si kundërvajtje administrative.