Kulturë Luc Tourenne, në kurthin e historisë

Luc Tourenne, në kurthin e historisë

1265
SHPËRNDAJE

Luc Tourenne/ Një psikoanalist francez në kërkim të historisë së mbretit Zog. Udhëtimi në Shqipërinë e viteve 1986…

Historia ka diçka magjike. Ti përfshihesh në të dhe nuk di të dalësh, ose nuk del dot kurrë prej saj. Luc Tourenne ishte vetëm një adoleshent kur lexoi për herë të parë tezën e një studiuesi francez për Shqipërinë. Fjalia që do ta tërhiqte më shumë ishte fakti se kishte një mbret në ekzil. Shënoi me kujdes të gjitha referencat që ishin në fund të shkrimit, dhe ditë pas dite nisi t’u shkruajë letra bibliotekave të ndryshme nëpër botë, për të kërkuar shkrimet dhe librat ku ishte mbështetur ky shkrim. Priste me ankth përgjigjet pozitive apo librat që e zhysnin mbrëmjeve në skutat e historisë jo të zakonshme të një vendi të izoluar në Ballkan. Në morinë e korrespodencave të asaj periudhe, ai kujton dhe korrespodencën me Bibliotekën Kombëtare Shqiptare, e cila e orientoi drejt gjetjes së disa librave. Luc TeurenneBiblioteka e Kongresit e ndihmoi me shkrime, të cilat e bënë djaloshin të zhytej thellë në histori. Por historia e mbretit Zog ishte ajo që do ta përfshinte të tërin, dhe do ta bënte të shpenzonte ato pak para që kursente gjatë shkollës, të shkonte të blinte gazeta të vjetra të viteve ‘20. Rrugëve të Parisit, dhe pse ende s’i kishte mbushur 18 vjeç, ai i njihte të gjithë koleksionistët, të cilët e futën drejt një bote që të josh. Ishin librat, historitë e shkruara në shtypin e kohës për mbretin Zog që e shtyn Jean në vitet 1986, atëherë vetëm 18 vjeç, të bëhej pjesë e një grupi marksist leninist që do të udhëtonin drejt Shqipërisë. I ulur në një nga baret e Tiranës 27 vite më vonë, ai e quan të bukur atë aventurë, dhe pse Tirana e atëhershme i duket si një udhëtim në librat e historisë që ka lexuar. “Njerëzit kishin frikë të flisnin për mbretin Zog, pamja që Shqipëria kishte atëherë ishte krejt ndryshe nga ajo çfarë është tani”, thotë Tourenne. I kujtohet një mbrëmje kur grupi ishte kthyer nga Dajti dhe kishin pirë disa gota me raki vendase, dhe të dehur thërrisnin në frëngjisht në bulevard “Rroftë mbreti!”. Sigurisht që Jean duhet t’u kishte folur të rinjve të tjerë të grupit për historinë e mbretit, duke e bërë atë një personazh të njohur gjatë atij udhëtimi. Vizita në Shqipëri për shumë kohë do të mbetej në mendjen e djaloshit francez, i cili tashmë e kishte më të qartë portretin e vendit për të cilin kishte nisur të lexonte herët. Por as kjo vizitë nuk e ndihmoi të hiqte dorë nga tërheqja e tij për mbretin Zog. Kur mbretëresha Geraldinë ishte gjallë e jetonte në Afrikën e Jugut, ai i shkroi disa herë për ta takuar. Por ajo tashmë ishte e lodhur për shkak të moshës, dhe kishte refuzuar çdo takim me mediat. Bernard Fisher do ta ndihmonte duke i dhënë kaseta të gjata me intervista që ajo i kishte dhënë, të cilat do ta ndihmonin për të kuptuar më mirë figurën e kësaj gruaje. Do të kalonin vite në kërkim të historisë së monarkut shqiptar, deri në momentin kur Luc Tourenne vendosi të shkruante një libër. Kishin kaluar shumë kohë dhe djaloshi që dikur priste me padurim koleksionistët, tashmë ishte një personazh i njohur në sallonet franceze, si psikoanalist i njohur i hipnozës. Historia dhe psikologjia për Tourenne janë shumë pranë njëra-tjetrës, pasi kanë të bëjnë me kërkimin. Padashur ai ishte bërë një psikolog i mirë, teksa kërkonte në faqet e gazetave të vjetra dhe kërkonte të ndërtonte në mendje portretet e personazheve që gjente aty. Historia që ai tregoi në librin “Mbreti i shqiptarëve” ishte një histori e lindur herët brenda tij dhe që erdhi natyrshëm në faqet e një libri. Si psikolog, Tourenne nuk mund ta shmangte faktin e përshkrimeve të detajuara për t’i shfaqur personazhet deri në detajet e tyre më të vogla, dhe pse ato mund të ishin figura të rëndësishme të historisë siç ishte mbreti Zog. “Ky është një roman. Disa emra janë ndryshuar, të tjerë jo. Faktet historike dhe pjesa më e madhe e ngjarjeve kanë ndodhur me të vërtetë, ndonjë është fryt i imagjinatës. Dhe një gjë e tillë, besoj, është privilegj i romanëve historikë”, thotë ai. Njohës i mirë i historisë, Tourenne ka dashur t’i japë mbretit Zog diçka që i ka munguar në ekzilin e tij, një histori të plotë të asaj çfarë ka ndodhur që në momentin kur ai mori fronin si mbreti i Shqipërisë, ikja nga Shqipëria, akuzat, lidhjet dashurore dhe ekzilin. Ai donte të jepte një version të historisë ashtu siç ai e ndiente teksa lexonte pafund rreth tij, diçka që historia këto vite ende nuk e ka thënë në vendin e tij. “Në Europë, historia jo gjithmonë ka qenë në versionin e duhur. Komunizmi ka lënë ende pasoja te njerëzit që e kanë jetuar atë dhe nuk mund të pranojnë figura për të cilat janë rritur duke mësuar të kundërtën. Ka shumë shpëlarje truri në Europë, xhelozira…”, thotë ai. Libri është pritur mirë në Francë, dhe është përkthyer në shqip nga Dashnor Kokonozi. Tourenne e tregon jetën e mbretit Zog përmes rrëfimit të një oficeri të ri të Perandorisë Austro-Hungareze, Kurt Jozef Otkesi. “Kurt ka qenë një aventurier i vërtetë i asaj periudhe, një njeri i besuar i mbretit Zog, i cili la nënshtetësinë austriake dhe Zogu i dha pasaportë shqiptare”, tregon Tourenne. Në shtëpinë e tij në Paris ai ruan nënshtetësinë shqiptare të Kurt Jozefit, të cilën si shumë objekte të tjera të asaj periudhe i ka blerë në tregun e koleksionistëve. Tourenne na jep një imazh tjetër të mbretit Zog, ndryshe nga ai që jemi mësuar të lexojmë për të këto vite, duke e shpalosur atë në jetën e tij të përditshme si bashkëshort apo prind. Ky është një libër ndryshe nga ai që jemi mësuar të lexojmë për mbretin Zog, një libër ku përfshihet aventura dhe historia. Si psikolog Jean ka mundur të japë ato pjesë të pathëna në jetën e një njeriu, që vetëm një vështrim i mprehtë i një psikologu mund t’i kapë. “Ky është këndvështrimi im. Kam aftësinë të mësoj shumë gjëra e të kuptoj një vend dhe pse nuk kam jetuar gjatë në të. Ime shoqe është ruse dhe unë kam jetuar shumë pak në Rusi. Kur flas për Rusinë ajo habitet dhe thotë duket sikur ti je rus. Në fakt ndoshta kjo është një aftësi e lindur për të depërtuar në thelbin e gjërave shumë shpejt pa marrë shumë kohë”, thotë ai.

a.b

[callout]Zogu, udhëtimi i pamundur nga Vjena

Më 11 nëntor 1916, një delegacion shqiptar, ku bënte pjesë koloneli i ri, ishte i pranishëm në Vjenë, sikundër shumë të tjerë, për të marrë pjesë në varrimin e perandorit Franc Jozef. I rraskapitur nga lufta që nuk kishte të sosur, perandori kishte vendosur të vdiste mu në mes të saj. Po të kishte jetuar, as që do të kishte pasur ndonjëherë delegacione. Unë do ta kisha mbyllur atë natë dhjetori në ndonjë kabare, i shoqëruar nga dy artiljerë, do të isha harruar në krahët e ndonjë biondeje dhe do të kisha vdekur në fushën e nderit gjashtë muaj më pas.
Me të mbaruar ceremonia, Ahmet bej Zogu ishte bërë gati të kthehej në vendin e tij, një rrip i ngushtë toke në bregun perëndimor të Ballkanit, për të cilin nuk dija asgjë. Por që të ikte nga Vjena doli se ishte punë e vështirë. Gjithçka filloi me arsyetime koti. Lufta kishte ndërprerë rrugët e transportit, hekurudhat nuk ishin të sigurta, Ballkani kishte marrë zjarr. Pastaj në disa zyra të larta nisën t’i flasin për arsye të errëta diplomatike. Së fundi i lanë të kuptojë se as që bëhej fjalë që ai të largohej nga Vjena. Derisa shqetësonte në këtë fare feje Perandorinë Austriake, ai duhej të qe shumë më tepër sesa një kolonel i thjeshtë. Ahmet bej Zogu kishte lindur në Burgajet, midis maleve të Matit, në Shqipërinë Veriore. Ai ishte trashëgimtar i një fisi të vjetër prijësish luftarakë, emrat e të cilëve i ngatërroj edhe sot e kësaj dite. Zogu i Madh, Zogu i Vogël, Xhelal pashë Zogu, të gjithë njerëz të plotfuqishëm të një feudalizmi malësor, i cili vazhdonte që nga shekulli i pesëmbëdhjetë. Në atë Mesjetë moderne që zotëronte në vendin e tij, Ahmet Zogu u rrit dhe u bë prijës fisi kur i vdiq i ati. Kishte qenë vetëm trembëdhjetë vjeç. – Nuk kam pasur shumë raste të tregoja se çfarë isha i zoti të bëja, – më rrëfeu ai.
Ahmeti kreu studimet në Liceun francez të Gallata Sarajit, pastaj ndoqi kurse për oficer në Manastir. Mbase jo edhe aq gjatë sa të përligjte suporet austriake, por mjaftueshëm që të udhëhiqte njerëz në luftë, gjë që nuk mungoi ta bëjë më pas.
– Kjo nuk na afron shumë me Vjenën, – i thashë me padurim.
Ai mbushi përsëri gotën time.
– Ju më ndërprisni pareshtur…
– Jam i prirë të djeg etapat, më falni.
– Një zakon i kalorësisë! Është përparësia që ka këmbësori mbi kalorësin. Ai përgatitet, pret e pastaj godet në çastin e duhur.
Nuk desha të futem në një diskutim çështjesh strategjike, por po bëheshin tre vjet që këmbësori nuk priste më asgjë, mbase as që ta ndërronin, atje ku ishte ulur galiç, në baltën e transheve. Për të goditur në çastin e duhur, më parë ai duhej të kishte në dorë fatin e tij, të bënte zap të ftohtin, shiun, morrat e të ruante kokën nga loja vdekatare e predhave. Ua vura fajin gradave të sapomarra, për moskuptimin që ai kishte rreth asaj lufte që e cilësonin moderne. Mbase ishte ushqyer me imazhet e dala nga faqet e historisë, ku ende vdisje midis lavdisë, i veshur me të bardha dhe i mbuluar me ar. Do të kalonin kohë që të kuptoja që ai arsyetonte si malësor dhe që një burrë i cili zinte pritë në shkëmbinjtë e zhveshur të Matit, vlente sa për dhjetë të tjerë mbi kalë.
Ahmeti vazhdoi të tregojë. Rebel, i pavarur, ai ishte mësuar të dëgjonte prej kohësh se ishte prerë për t’u ngjitur shumë lart. Që fëmijë ai i kishte shkelur zotërimet e familjes në krah të të atit. Ishte përshëndetur e brohoritur. Në vitet kur ishte larg vendit të tij, këto përshëndetje nuk i shqiteshin nga kujtesa. Pak si vagëllimthi mbante mend një ngjarje të largët të fëmijërisë, që fliste për lidhjet me tokën e tij. Një ditë, ndërsa po kalonin përmes një fshati, një turmë malësorësh ishte lëshuar mbi ta. Ahmeti pa të atin tek nxori koburen, i gatshëm ta mbronte. Fëmijës iu duk se ishte vdekja që kishin përpara. Kujtonte fytyrat e ngërdheshura, gra që ngrinin duart nga qielli. E ndërsa kali u ngrit kas, turma u vu të thërrasë. Xhelal Pashë Zogu, futi armën në brez dhe u afroi fshatarëve fëmijën. Ata e morën dhe e ngritën lart, duke e mbajtur mbi supe. Ishte hera e parë që trashëgimtari i prijësit të fisit takonte popullin e tij.
– Mbase, – e mori prapë fjalën ai, – ishte tamam atë ditë që kuptova se çfarë ishin ata njerëz për mua.
Shprehja e tij m’u duk argëtuese, por në fund të fundit ajo i shkonte një mbreti…
– Është një borxh, një borxh në të cilin ju hyni që në lindje dhe asnjë syrgjyn nuk mund ta lajë.
***
– Ai nuk di të bëjë gjë tjetër, – shtoi Ahmeti, – veç shkresave nuk njeh asgjë.
Ahmeti pra, vazhdoi rrëfimin në të thatë. Përveç gjuhës dhe zakoneve otomane, gjatë qëndrimit në Kostandinapol kishte përvetësuar edhe vlera të tjera. Aty kishte marrë mësimet e para të politikës e të diplomacisë e mbi të gjitha kishte mësuar strategjinë, diçka krejt tjetër nga ajo luftë instinktesh që ushtronin njerëzit e tij në Shqipëri prej shumë brezash. Duke qenë pranë lëvizjes së Turqve të Rinj, ai kishte ndier lëkundjen që kërcënonte të përmbyste perandorinë. Nuk linte t’i shpëtonte asgjë, përfitonte nga gjithçka që shikonte, që lexonte, kërkonte të dinte nga të gjithë, duke e shndërruar qëndrimin aty në një mjet për të kuptuar botën.
Por njerëzit e Zogut ishin të varfër. Kur të hollat po i shteroheshin, rojat shqiptare të pallatit të sulltanit nisën të heqin diçka nga rroga për t’i lejuar Ahmetit të vazhdonte studimet. Ai nuk do ta harronte gjithë jetën këtë. Pa ndihmën e atyre njerëzve anonimë, atyre mërgimtarëve që dikur i kishte përbuzur sepse kishin zgjedhur të viheshin në shërbim të turqve, ambiciet e tij do të merrnin fund nga mungesa e të hollave.
Ndërkohë që ai vazhdonte shkollimin, Perandoria Osmane u shkërmoq pak e nga pak. Fronti shqiptar u hap më 1909, para se reformat e Turqve të Rinj të mbërrinin në vend. Një vit më parë, Bosnjë-Hercegovina ishte ngritur kundër perandorisë dhe kishte fituar pavarësinë. Një ekspeditë u dërgua kundër Shqipërisë dhe shtyu fiset malësore drejt Malit të Zi, armikut të tyre shekullor. Pesëdhjetë mijë ushtarë otomanë shkelën vendin dhe vendosën rendin sipas mënyrës turke… Në Kostandinapol menduan se rreziku kaloi. Por më 1911, kur ishin dobësuar nga luftërat në shumë fronte dhe ndërkohë që Italia po u kafshonte territoret në Libi, përsëri Shqipëria nisi t’u dalë nga kontrolli. Diçka më pak se dy vjet para fillimit të Luftës së Parë Botërore, vendet e Ballkanit lanë mënjanë kacafytjet e lashta dhe u bashkuan kundër otomanëve. Rajoni mori flakë. E gjendur midis dy zjarreve, luftës kundër turqve dhe synimeve grabitqare të fqinjëve, Shqipëria ndihej më e rrezikuar se kurrë.
Ahmeti nuk kishte më shumë se shtatëmbëdhjetë vjeç, por e parandiente se ora e tij kishte ardhur.
Ka disa çaste kyçe në jetën e gjithkujt, disa çaste që nuk duhet lënë të ikin edhe kur ndodhesh në gjendjen më të mjerueshme, – më tha duke vështruar gotën e zbrazët.
Pastaj shtoi:
– Vetëm se shumica e njerëzve nuk dinë t’i shohin. Në mos, pëlqejnë t’i lënë të kalojnë.
Ahmeti qe kthyer në vendlindje. Aty lufta bënte kërdi, një luftë që thuhej se bëhej për të fituar pavarësinë e humbur në tallazet e shekujve. Kreu i shqiptarëve në mërgim, Ismail Qemal beu, kishte bërë thirrje të rrëmbeheshin armët kundër turqve, por edhe kundër vendeve ballkanike që përsëri kishin vendosur të ndanin midis tyre vendin.
Në krye të njerëzve të tij, Ahmet bej Zogu u ndesh me trupat serbe e malazeze, të armatosura dhe të stërvitura më mirë se malësorët e Matit. Por ajo që ndikoi në fund ishte vendosmëria e shqiptarëve. Ata burra që ishin rritur me frymën e kapedanëve, të njohur si nacionalistë e grabitqarë të panënshtruar, luftonin verbërisht për nder, për fjalën e dhënë.
– Nuk e njohin frikën, – saktësoi Ahmeti jo pa një grimë krenarie. – Ajo nuk bën pjesë te kultura e tyre.
Ndenja disa çaste në mëdyshje, pa mundur të kuptoj nëse koloneli i zbukuronte disi ngjarjet që tregonte apo nëse ky popull i panjohur ishte në të vërtetë Sparta e Ballkanit. [/callout]