Sipas tyre, i padrejtë dhe vendimi për parapagimin e akcizës
Kundërshton opozita: Modeli, i përshtatur nga shtetet e tjera
Biznesi ka kërkuar në një seancë të veçantë dëgjimore në Kuvend që të rishihen tarifat e pullave fiskale. Prodhuesit e birrës thanë në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, se çmimi që përfiton koncesionari është i padrejtë dhe se ai po rëndon sipërmarrjen. “Asnjë në vendet e BE-së dhe jashtë BE-së nuk ekziston një praktikë e tillë që birrat të pajisjen me pullë fiskale, por duke e konsideruar si një praktikë të mbyllur këtë çështje, ne kërkojmë që të paktën të ulet çmimi i kodit fiskal apo pullës fiskale dhe konkretisht e kërkojmë nga 22 euro pa TVSH, në 2 euro pa TVSH”, tha Luan Bregasi, president i “Biznes Albania”. Sipas Bregasit, marrëveshja koncesionare e realizuar për këtë biznes është mjaft abuzive dhe se vlerën reale e merr privati dhe jo shteti. “Vlera që merr shteti është më e vogël se vlera që merr koncesionari, që do të thotë se shteti ka një strukturë të madhe doganore që të ruajë pullën fiskale të koncesionarit privat, pra kjo është një çmenduri që ka ligji ynë. Kjo vjen, për shkak se ka vetëm një operator në treg. Dëshiroj të them që çmimi është shumë i lartë dhe i papërballueshëm për industritë tona”, tha Bregasi. Ndërkohë, Genc Ruli, deputeti i Partisë Demokratike, e ka kundërshtuar këtë qëndrim. “Thuhet që nuk e ka asnjë vend, por këtë e ka Turqia, andej është marrë modeli dhe Turqia e ka akoma, madje e ka me një taksë më të lartë ose me një kosto më të lartë se 22 euro. Shteti nuk e ka të ardhurën nga vlera e pullës, shteti e ka të ardhurën nga akciza. Në qoftë se është dyshuar prodhimi për shitje, është dyfishuar edhe akciza, kjo është ajo që shteti synon, nuk synon të ardhurën nga pulla”, tha Ruli. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduart Shalsi, insistoi edhe në premtimet që bënë socialistët në kohën kur ishin në opozitë.
“Në qoftë se folëm për zhbërje koncesionesh, folëm pikërisht për zhbërje koncesionesh korruptive dhe abuzive. 2 euro pullat fiskale të cigareve në Kosovë, 20 euro në Shqipëri. Ky koncesion është unikal në botë dhe mesa duket nuk paska pasur qëllim formalizimin e tregut, por ngritjen e një biznesi, i cili përfiton në mënyrë abuzive një sasi të konsiderueshme parash”, tha Shalsi. Veç koncesionit të pullave, prodhuesit e birrës u kanë kërkuar deputetëve të rishikojnë edhe procedurën e parapagimit të akcizës që, sipas tyre, është e padrejtë, pasi dhe birra e importuar e parapagoi akcizën dhe se heqja e saj për prodhimin vendas konsiderohet diskriminim.