Varfëria e fëmijëve 


UNICEF: Lindjet me peshë të ulët në Tiranë dhe bregdet. Rreth 60% e vogëlushëve nuk hanë mëngjes


Varfëria – Shkalla e varfërisë relative në zonën malore është 25.6% në vitin 2005 dhe 26.6% në vitin 2008, ndërsa hendeku i varfërisë po në këtë zonë është 5.1% në vitin 2005 dhe 5.6% në vitin 2008


Lindjet – Rezultatet tregojnë se përqindja e bebeve të lindura nën 2500 gramë është në vlera të larta në zonën bregdetare dhe në Tiranë. Në të dyja këto zona, 4.7% e bebeve lindin nën 2500 gramë


Arsimi – Pjesëmarrja e fëmijëve në arsimin parashkollor (3-6 vjeç) dhe në arsimin e mesëm (mosha 15-18 vjeç), është nën 50 për qind në të gjitha rajonet e Shqipërisë (për vitin 2012 dhe vitin 2010)


Ushqyerja – Vetëm 44.4 për qind e fëmijëve arrijnë të konsumojnë vaktin ushqimor të mëngjesit në pesë ditë të javës, ndërsa vetëm 30.7 për qind e fëmijëve kryejnë aktivitete fizike


Lorina Mixha


femije krom fatos baxhakuVarfëria në vendin tonë është në shkallën më të lartë në zonat malore. Shkalla e varfërisë relative rezulton të jetë në këto zona që lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien materiale të fëmijëve. Po ashtu, zonat malore kanë edhe shkallën më të lartë të vdekshmërisë foshnjore. Në Tiranë dhe në zonat bregdetare regjistrohet numri më i lartë i fëmijëve të lindur nën peshën 2500 gramë. Të gjitha këto të dhëna janë bërë publike dje nga një raport i prezantuar prej Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve, mbështetur nga UNICEF.


Raporti sjell një këndvështrim të ri të mirëqenies së fëmijëve në vend, i parë në pesë dimensione si: mirëqenia materiale, shëndeti dhe siguria, arsimi, sjellja e rreziqet dhe strehimi e mjedisi, të cilët paraqiten në kapituj të veçantë. Në këtë raport, janë përfshirë rreth njëzet e gjashtë tregues.


Me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të konventës për të drejtat e fëmijëve, për herë të parë zyra e Observatorit në Tiranë prezantoi raportin “Varfëria e fëmijëve në Shqipëri”. Ky është një raport krahasues për situatën e fëmijëve shqiptarë edhe me vendet e tjera të rajonit.


Mirëqenia materiale e fëmijëve: rezulton se shkalla e varfërisë relative dhe shkalla e hendekut të varfërisë për vitet 2005 dhe 2008 janë në vlerat më të larta në zonën malore.


Shkalla e varfërisë relative në zonën malore është 25.6% në vitin 2005 dhe 26.6% në vitin 2008, ndërsa hendeku i varfërisë po në këtë zonë është 5.1% në vitin 2005 dhe 5.6% në vitin 2008.


Shëndeti dhe siguria: rezulton se në zonën malore shkalla e vdekshmërisë foshnjore (vdekje për 1000 lindje të gjalla) dhe shkalla e vdekshmërisë fëminore (vdekje për 1000 lindje të gjalla të moshës 0 deri në 5 vjeç) janë në vlerat më të larta në krahasim me zonat e tjera të vendit. Përkatësisht në vlerat e 38 vdekje për 1000 lindje të gjalla dhe 42 vdekje për 1000 lindje të gjalla. Për sa i përket peshës së ulët në lindje, rezultatet tregojnë se përqindja e bebeve të lindura nën 2500 gramë është në vlera të larta në zonën bregdetare dhe në Tiranë. Në të dyja këto zona, 4.7% e bebeve lindin nën 2500 gramë.


Sjellja dhe mjedisi social: analizohen sjelljet e fëmijëve dhe faktorët që ndikojnë negativisht në formimin dhe mirëqenien e tyre. Analiza, sipas këtij dimensioni, tregon se thuajse 50 për qind e fëmijëve nuk jetojnë në mënyrë të shëndetshme.


Vetëm 44.4 për qind e fëmijëve arrijnë të konsumojnë vaktin ushqimor të mëngjesit në pesë ditë të javës, ndërsa vetëm 30.7 për qind e fëmijëve kryejnë aktivitete fizike.


Arsimi: rezulton se në nivel qarku pjesëmarrja e fëmijëve në arsimin parashkollor (3-6 vjeç) dhe në arsimin e mesëm (mosha 15-18 vjeç), është nën 50 për qind në të gjitha rajonet e Shqipërisë (për vitin 2012 dhe vitin 2010). Në disa bashki dhe komuna të vendit, përqindja e fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor është e lartë dhe kalon vlerat 90% të pjesëmarrjes.


“Të njëjtën gjë mund të themi edhe për pjesëmarrjen e fëmijëve në arsimin e mesëm, ku në disa bashki dhe komuna të vendit shkalla e pjesëmarrjes është në vlera mbi 95 për qind”, thuhet në gjetjet kryesore të kartës raportuese.


Për sa u përket sjelljeve të rrezikshme, rezulton se 4.6 për qind e fëmijëve të moshës 11-15 vjeç raportojnë të jenë pirës të duhanit. Kjo vlerë është më e lartë te meshkujt (7.5 për qind) sesa te femrat (2.1 për qind). Përqindja e fëmijëve që janë pjesë e zënkave është 12.5 për qind, ndërsa përqindja e fëmijëve që bien pre e talljeve është 13.8 për qind.


Qëllimi i raportit “Varfëria e fëmijëve në Shqipëri”, është të inkurajojë vëzhgimin, të lejojë krahasimin dhe të nxisë diskutimin mbi zhvillimin e politikave për të përmirësuar jetën e fëmijëve në nivel vendi, bashkie, komune dhe komuniteti.


Observatori për të drejtat e fëmijëve – mbështetur nga UNICEF-i, monitoron dhe ndërgjegjëson vazhdimisht opinion publik, mbi situatën e të drejtave të fëmijëve.


Krijuar që në 2009-n, Observatori mbledh dhe shpërndan informacione mbi atë çfarë u mungon fëmijëve në Shqipëri. Karta Raportuese mbi varfërinë është bazuar në tregues që matin përjashtimin social të fëmijëve dhe vë theksin në hartimin e politikave gjithëpërfshirëse sociale, me fokus nevojat e fëmijëve në vështirësi.


 


[callout]Strehimi 


Familjet shqiptare, në një dhomë jetojnë dy veta


Strehimi dhe mjedisi banues, në raportin e prezantuar dje nga UNICEF, analizon kushtet e strehimit dhe mjedisit ku banojnë fëmijët. Sipas Institutit të Statistikave, të dhënat e fundit të vitit 2008, 71.8 për qind e familjeve shqiptare, jetojnë në një dhomë me një ose dy persona të tjerë, ndërkohë që në vendet e OECD, sipas Kartës Raportuese, 11 nga 26 vende të marra në analizë, në 17 prej tyre raportohet të kenë më shumë dhoma se individë që jetojnë në të njëjtën shtëpi.[/callout]