Gjenerimi nga sektori prodhues, tkurret ai i shërbimeve
Banka e Shqipërisë ka prezantuar dje raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të këtij viti. Ajo çka vërehet dhe në këtë periudhë të vitit, është se rritja ekonomike ndodhet nën potencial, ndërsa presionet inflacioniste pritet të mbeten të ulëta, ku inflacioni në këtë tremujor të tretë të vitit ishte 1.5 për qind. Sipas zyrtarëve të Bankës së Shqipërisë, edhe në këtë periudhë, madje dhe në tremujorët në vijim, politika monetare pritet të ruajë kahun stimulues në horizontin afatmesëm. Siç theksohet, përcjellja e saj në ekonomi frenohet nga pasiguria dhe primet e rrezikut në sistemin financiar. Raporti Banka e Shqipërisë në komunikimin e saj për shtyp, ka deklaruar se rritja e dobët e ekonomisë apo frenimi i saj ka shënuar edhe këtë tremujor të tretë të 2013-s. Sektori prodhues pati rolin kryesor në rritjen ekonomike të dy tremujorëve të parë të këtij viti, në dallim nga zhvillimet e shfaqura në vitin 2012, ku rritja e PBB-së u drejtua nga dinamika e sektorit të shërbimeve. Duke u fokusuar në performancën e ekonomisë për tremujorin e dytë, sektori prodhues llogaritet të ketë kontribuuar me 2.3 pikë përqindje në zgjerimin vjetor të PBB-së. Ky kontribut reflektoi kryesisht rigjallërimin e përkohshëm të aktivitetit ndërtues, të kombinuar me rritjen me ritme më të ulëta të prodhimit bujqësor dhe atij industrial. Në të kundërt, rënia vjetore e vlerës së shtuar të regjistruar nga sektori i shërbimeve u përkthye në një kontribut negativ prej 1.2 pikësh përqindje për prodhimin vendas. Për vitin 2013, rritja ekonomike pritet të mbetet pranë normës së regjistruar një vit më parë. Konsumi dhe kursimet Po kështu, ecuria e konsumit dhe e investimeve private vijon të frenohet nga pasiguria e lartë, nga paqëndrueshmëria e burimeve të të ardhurave, nga kushtet e shtrënguara të financimit. Në sektorë të veçantë të ekonomisë, ajo reflektohet në një prirje drejt kursimit dhe përpjekje për rregullimin e bilanceve të tyre. Paralelisht me të, rritja e eksporteve vlerësohet të jetë e pamjaftueshme për të siguruar normat e mëparshme të rritjes së ekonomisë, si pasojë e problemeve të partnerëve tregtarë, por edhe e bazës së ulët eksportuese të ekonomisë shqiptare. Po re të zymta do të ketë edhe në vitin në vazhdim, ku rritja ekonomike pritet të jetë e dobët. Sipas të dhënave të disponuara deri tani, nuk jepet sinjal për gjallërimin e konsumit dhe investimeve në të ardhmen e afërt. Rritja nën potencial e ekonomisë do të kushtëzojë rritjen e përmbajtur të çmimeve të konsumit në periudhën e ardhshme. Kjo do të çojë në ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare edhe përgjatë tremujorëve në vijim. “Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të furnizojë sistemin bankar me të gjithë likuiditetin e kërkuar për funksionimin normal të tregjeve financiare”, thuhet në njoftimin zyrtar të BSH-së. Në këto rrethana, parashikimi për rritjen ekonomike mbetet subjekt i rreziqeve të shtuara në kahun rënës. Rritja ekonomike ishte 1.1% në tremujorin e dytë të 2013-s, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e sektorit publik, ndërkohë që komponentët e tjerë rezultuan të dobët. Rritja e aktivitetit ekonomik u gjenerua nga sektori prodhues me kontribut prej 2.3 pikë përqindje në reflektim të rigjallërimit të përkohshëm të aktivitetit ndërtues, të kombinuar me rritjen me ritme më të ulëta të prodhimit bujqësor dhe atij industrial. B.S. Detaje Po kështu, ecuria e konsumit dhe e investimeve private vijon të frenohet nga pasiguria e lartë, nga paqëndrueshmëria e burimeve të të ardhurave, nga kushtet e shtrënguara të financimit