LAJMI FUNDIT Grabova, një thesar i pazbuluar

Grabova, një thesar i pazbuluar

1712
SHPËRNDAJE

Historiani Meçan Hoxha sjell një këndvështrim mbi Grabovën e panjohur, vetëm disa kilometra larg qytetit të Gramshit. Një nga vendbanimet më të rëndësishme pas Voskopojës, vizitohej nga piktorët e njohur të kohës si Johani apo Çetiri dhe frymëzonte Ali Pashë Tepelenën

Trashëgimia

“Juve rumë të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vllahë grabovarë, katunde dhe çifligje. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe pastaj do t’i paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi”. Kjo është një letër që Ali Pashë Tepelena ia dërgonte banorëve të kësaj zone, gjetur në kodikun e Kishës së Shën Kozmait, nga studiuesja Llambrini Mitrushi. Ekzistojnë dy letra që Pashai i Janinës ia dërgonte banorëve, ku u bënte thirrje të ndërtohej kisha me ndihma të mbledhura në popull. Grabova, një qytet mesjetar i krijuar në shekullin X nga vllahët, vazhdon të mbetet një nga ikonat historike më pak të folura për vlerat që mbart në historinë e trashëgimisë kulturore shqiptare. E ndodhur vetëm disa kilometra nga qyteti i Gramshit, kjo zonë e cila dikur kishte rreth 2000 familje (në shekujt XVII-XVII), sot ruan gjurmët e së shkuarës, të cilat janë të vetmet që të kujtojnë shkëlqimin e dikurshëm. Janë tri ura me gurë, njëra prej tyre i përket periudhës antike si dhe Kisha e Shën Nikollas (Shën Kollit), e cila është bërë objekt vjedhjesh këto 20 vite. Largësia gjeografike nga qyteti i Gramshit, si dhe fakti që numri i popullsisë në këtë zonë është ulur ndjeshëm gjatë kohës së komunizmit, pasi pjesa më e madhe e njerëzve kanë zbritur për të jetuar në qytet, ose në fshatrat më afër tij, e bëjnë Grabovën, të jetë e veçuar nga vëmendja e autoriteteve përkatëse. Por kjo zonë e mrekullueshme për sa i përket natyrës dhe historisë, është pjesë e identitetit tonë kulturor e historik, pa të cilën nuk mund të ndërtojmë siç duhet të shkuarën tonë. Meçan Hoxha është një nga ata që beson se Grabova është një nga vendbanimet më të rëndësishme, e më të populluara pas Voskopojës, e cila flet për kulturën dhe civilizimin bizantin e romak nëpërmjet nyjave lidhëse të rrugës së vjetër Egnatia, njëra nga degët e së cilës kalonte në Grabovë drejt Shqipërisë së Mesme dhe asaj Verilindore. “Grabova mbetet një ndër shtatë vendbanimet vllahe dhe e dyta pas Voskopojës, kultura e të cilave të çon shumë larg në histori”, shkruan Hoxha në librin e tij “Grabova, e bukura me arumunë”. “Gjuha vllahe është dhe mbetet autentike, e pashkruar dhe e pahuazuar nga gjuhë të tjera, pavarësisht se shumë shprehje të saj mund të përqasen me latinishten e vjetër, frëngjishten, spanjishten apo edhe rumanishten”, thotë studiuesi. Historia është një pasion i hershëm i Meçan Hoxhës. Që pas përfundimit të studimeve, ai zgjodhi ta zgjerojë kërkimin e tij në këtë fushë, pikërisht në qytetin e tij të lindjes, Gramshin. Një qytet i vogël, por që mbart vlera të rralla për sa i përket historisë dhe trashëgimisë kulturore. Historia e një qyteti mund të hedhë dritë mbi historinë e tërë të një vendi. Një historian i mirë e di, se faktet e ndodhura diku, mund të zbardhin një ngjarje që mund të ketë ndodhur mijëra kilometra larg. Duke bërë hulumtime, kërkime nëpër arkiva, por dhe libra të vjetër të historisë, sot Meçan Hoxha na sjell në dritë një anë të panjohur, po shumë të çmuar të një qyteti si Gramshi, në territorin e të cilit ndodhet dhe Grabova. Për të, kjo zonë mbart thesare arkeologjike. Ajo çfarë e ka bërë Grabovën të jetë e veçuar, dhe pothuajse e harruar jo vetëm gjatë sistemit komunist, por edhe pas rënies së tij, është fakti se rruga për të shkuar atje është e gjatë, dhe e vështirë. Pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar këtë zonë, janë nisur nga gojëdhënat, apo faktet historike të gjetura në libra e shkrime, të cilat kur shkon atje e shtojnë më shumë misterin mbi atë çfarë ka qenë dikur kjo zonë. Natyra është shkrirë aq bukur me monumentet e kulturës të mbetura gjallë, sa të duket se ke shkelur në rrënojat e një qyteti që nga momenti në moment do të zgjohet. Shumë pranë saj, ndodhet liqeni i Dushkut, i cili në pranverë mbushet me zambak uji, duke të ftuar në një tjetër atmosferë. Por për Hoxhën, banorët e kësaj zone kanë qenë të njohur për mjeshtërinë e të punuarit në dru. Kalaja shekullore me murin e gjerë karakteristik, sendet arkeologjike ku, tashmë shumica prej tyre mund të gjenden në Europë, ndër gjërat e vjetra dhe me vlerë, e bëjnë zonën më të mistershme aq sa do të mendonim se ekziston edhe një qytet i nëndheshëm që shpesh banorët e quajnë Grabova e Poshtme. Sendet arkeologjike si enë balte, vegla pune, maja heshtash dhe sidomos fragmentet e mureve të kalasë të ruajtura edhe sot dëshmojnë se Grabova nuk është thjesht një gojëdhënë. Urat me harqe do të ishin një tjetër element i mjeshtërisë së grabovarëve. Nga tre urat hark të ndërtuara mbi përrenjtë e shumtë do të mbetej në këmbë edhe sot vetëm një prej tyre, ajo mbi përroin e Sharrës që ka një hapësirë drite mbi 15 metra dhe është e ndërtuar me gurë të skalitur. Në mesin e qemerit, nga ana e poshtme, varej një kambanë e cila tundej kur frynte erë e fortë, duke lajmëruar udhëtarët për rrezikun nga era e fortë. Edhe pse të ruajtura për më tepër se një mijë vjet, tri nga shtatë urat karakteristike të Grabovës në Rrethin e Gramshit rrezikojnë të shemben. Të ndërtuara përgjatë degëzimit të rrugës së vjetër Egnatia që shkon drejt Voskopojës rreth vitit 997 të mijëvjeçarit të sapombyllur, urat e mbetura jo vetëm mbartin mbi shpinën e tyre tërë historinë e Grabovës por ç’është më e rëndësishmja, ato ende sot vazhdojnë të shërbejnë për kalimin e udhëtarëve dhe transportin e mallrave”. Grabova, si një ndër qendrat më kryesore të populluara pas Voskopojës, i flet historisë së re me kulturën dhe civilizimin bizantin e romak nëpërmjet nyjave lidhëse të rrugës së vjetër Egnatia, njëra nga degët e së cilës kalonte edhe në Grabovë drejt Shqipërisë së Mesme dhe asaj Verilindore”, thotë Hoxha. Në Kishën e Shën Premtes apo Shën Parashevisë, gjenden afreske të pikturuar nga mjeshtër të kohës si Çetiri, Gjergj Nikolla, Johani, apo Gjergji dhe Nikolla.

Meçan Hoxha mund të flasë gjatë për Grabovën, këtë krenari të punës së tij si historian, ashtu siç mund të flasë për periudha të ndryshme të jetës së qytetit që kanë qenë pjesë e hulumtimeve të tij. “Gramshi në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, është një tjetër studim i bërë prej tij, i cili dhe pse flet për një qytet të veçantë, hedh dritë mbi tablonë e plotë të historisë sonë. Një tjetër intelektual dhe personazh i njohur i kohës, emrin e të cilit e mban sot një shkollë në qytet është dhe Asllan Shahini, të cilit Hoxha i ka kushtuar një monografi. Shahini ka qenë një protagonist kryesor në lëvizjet e bëra në Shqipërinë e viteve të para Luftës së Dytë Botërore, i cili pati një fund tragjik në një moshë të re. Hoxha mund të flasë gjatë për qytetin e tij, Gramshin, dhe pse sot është zhvendosur për të jetuar në një tjetër qytet historik siç është Durrësi. Për kontributin e tij në fushën e historisë, ai u nderua vetëm pak kohë më parë me rastin e 70-të vjetorit të lindjes, me “Mirënjohja e qytetit Durrës” si dhe me çmimin “Aleks Buda” dhënë nga Shoqata e Shkrimtarëve të këtij qyteti. Por Gramshi, dhe historia e këtij qyteti ende “i fshehur”, do vazhdojnë të mbeten totemi i jetës së tij.