Paskal Milo “Me Turqinë, mos ta kalojmë cakun, larg raporteve neo-otomane”

Ish-ministri i Jashtëm dhe historiani, Paskal Milo, flet për diplomacinë shqiptare në 101 vitet e pavarësisë 

Fatjona Mejdini

miloIsh-ministri i Jashtëm, historiani i njohur, Paskal Milo, flet për diplomacinë shqiptare në 101 vitet e ekzistencës së saj, duke nxjerrë në pah dhe meritat e veçanta që ka pasur në këtë fushë Ismail Qemali. Por në intervistën e tij në “Shqip”, Milo flet dhe për të tashmen në diplomaci, duke e vlerësuar aleancën e Shqipërisë me Turqinë, por duke bërë thirrje për kujdes, në mënyrë që kufijtë të mos kalohen. Ai thekson se Shqipëria nuk duhet të jetë brenda konceptit strategjik turk të neo-otomanizmit të artikuluar edhe nga kryediplomati i këtij vendi. Milo thotë se një diplomaci më të fuqishme shqiptare e ka penguar dhe sëmundja e vjetër e drejtuesve të qeverive të vendit dhe që lidhet me njësimin që ata u kanë bërë fateve politike personale me ato të kombit. Milo nuk nguron të japë këshillat e tij për kursin diplomatik që duhet të ndjekë Shqipëria dhe për reformën në këtë fushë, që sipas tij, është një domosdoshmëri.

Z. Milo, si një historian dhe diplomat shqiptar, ç’mund të na thoni për dimensionin e diplomatit të Kryeministrit të parë të shqiptarëve, Ismail Qemali?

Sot është një 101-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe unë ndihem i nderuar të flas për një nga drejtimet kryesore të qeverisë së Ismail Qemalit, siç ishte diplomacia. Ai është pionieri i diplomacisë shqiptare, së bashku me mjaft nënshkrues të aktit të Pavarësisë dhe të tjerë që ishin bërë diplomatë në kuadrin e Perandorisë osmane morën përsipër që të ravijëzonin politikën e jashtme të shtetit shqiptar dhe të ndërtonin trupin diplomatik që do ta zbatonte këtë politikë. Ka qenë tepër e vështirë për ta se e filluan pothuajse nga zero. U mungonte Ministria e Jashtme, shërbimi diplomatik e konsullor e financat e duhura. Kishte ministër të Punëve të Jashtme, por jo ministri, kishte diplomaci por jo konsuj dhe ambasadorë për ta zbatuar atë. Ismail Qemali, ky diplomat i shquar i Perandorisë Osmane, u detyrua kështu të bëhej një diplomat i shquar i Shqipërisë së Pavarur. Është ai që seleksionoi të parin delegacion shqiptar për në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, që përbëhej nga Rasih Bino, Mehmet Konica, Sotir Kolea e Filip Noga, Ishte po ai që komunikoi me ministrin e Jashtëm britanik, Eduard Grei, dhe ishte dora e tij që firmosi notat e para, që iu dërguan po atë ditë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Fuqive të Mëdha dhe vendeve fqinje, ku bëhej thirrje të njihej shteti i ri shqiptar i porsashpallur. Ai ka bërë biseda të pafundme në Vlorë me përfaqësuesit e komisionit ndërkombëtar të kontrollit që erdhi në Shqipëri në tetor të 1913-s, bisedat me konsujt e Austro-Hungarisë dhe Italisë në Vlorë. Po kështu do të pohoja që ai gjatë rrugëtimit të tij për në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, prill-qershor 2013, ka qëndruar në Romë, në Vjenë, në Paris dhe në Londër ku ka takuar shtetarë dhe diplomatë të rangut të lartë, të cilëve u ka paraqitur në mënyrë profesionale kërkesën për njohjen e Shqipërisë. Pasi dha dorëheqjen nga kryetar i qeverisë së Vlorës, më 22 janar të 1914, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ai shtegtoi nga një vend në tjetrin për të mbrojtur çështjen shqiptare, ka një numër të madh dokumentesh që e tregojnë këtë. Madje ai u nis dhe për të shkuar në Paris, në Konferencën e Paqes, si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës, por kjo mbeti një ëndërr e realizuar. Ai shkoi në Itali i ftuar për t’u mbështetur nga italianët, por në fakt ata e tradhtuan, sepse nuk donin që ai të ishte në Konferencën e Paqes, ata e njihnim mirë qëndrimin e tij dhe e dinin se nuk bënte kompromise mbi fatet e atdheut të tij. Ismail Qemalin e izoluan në Peruxhia, në pritje për të shkuar në Paris, këtu e gjeti vdekja e papritur, e cila ka ngjallur mjaft dyshime dhe komente. Në kujtimet e tij, Ismail Qemaili e përmend se ishte qartësisht i bindur se rruga e së ardhmes së Shqipërisë ishte Europa.

A nuk duket pak ironike që sot, 101 vite më pas, Shqipëria ka përcaktuar si një nga aleatët strategjikë Turqinë, mbase duke ju larguar dhe porosisë së Ismail Qemalit, se “sytë duhet të jenë nga Europa”?

Duhet të kemi të qartë se Turqia e sotme nuk është Perandoria e djeshme Osmane. Vetë themeluesi i Turqisë moderne, Ataturku e kishte bërë shumë të qartë këtë ndarje. Turqia ka qenë dhe kur Shqipëria ishte një shtet i pavarur, një vend që ka pasur hapësirë në Shqipëri. Jo shumë në kohën e mbretit Zog, sepse u shkaktuan mosmarrëveshje në fillimin për shpalljen e monarkisë dhe së dyti, u krijua një tjetër incident kur motra e Zogut u martua me njërin nga djemtë e sulltan Hamitit të Dytë. Këto sollën probleme me Ataturkun dhe me Turqinë për rrjedhojë. Ndërkohë që gjatë periudhës komuniste, marrëdhëniet diplomatike me Turqinë kanë filluar vonë, në vitin 1958, dhe ky regjim mbante një qëndrim korrekt dhe të ftohtë në marrëdhënie me këtë vend. Pas viteve ‘80 filloi një ngrohje e këtyre marrëdhënieve. Pas vitit ‘90, marrëdhëniet me Turqinë morën një zhvillim tjetër shumëdimensional, politik, kulturor, ekonomik dhe ushtarak. Përveç mbështetjes që Turqia ka dhënë për Shqipërinë gjatë këtyre 20 viteve, ajo ka pasur rol pozitiv dhe në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, duke u bërë një partner preferencial i Tiranës zyrtare. Partneriteti strategjik ka qenë një fakt i kryer, por këtë vit u deklarua dhe në mënyrë zyrtare. E reja që solli kjo qeveri është që në një program elektoral, që u miratua në Parlament, u artikulua një pozicion preferencial i Turqisë, të njëjtë me Italinë dhe Greqinë. Për mendimin tim politika e jashtme aktuale shqiptare, bën mirë që dinamizon marrëdhëniet me aktorë të rëndësishëm rajonalë, për të luajtur rol më të madh si komb shqiptar në rajon. Por ajo që duhet pasur kujdes në politikën e jashtme të Shqipërisë është që të mos kapërcehet një cak marrëdhëniesh që mund të ndikonte në marrëdhëniet me aleatët e tjerë strategjikë ose jo të tillë, në rajon, në Europë ose më gjerë. Duhet pasur shumë kujdes për të mos krijuar imazhin e një vendi që mund të përfshihet brenda konceptit strategjik turk të artikuluar dukshëm nga ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu, për të cilin, ai dhe Turqia vetë janë akuzuar për neo-otomanizëm. Ky 101-vjetor sivjet dhe ai madhështori i 100-të që festuam janë një apel i rëndësishëm që ne të vazhdojmë të ecim në rrugën e Ismail Qemalit që të ardhmen e Shqipërisë nuk e shohim përmes ballkoneve apo në Lindje, por e shohim në Europë ku na takon të jemi jo vetëm gjeografikisht dhe politikisht, por edhe shpirtërisht e kulturalisht.

Cilat janë këshillat tuaja për kursin diplomatik që Shqipëria duhet të ndjekë në të ardhmen e afërt?

Unë besoj se qeveria aktuale shqiptare do të gjejë ekuilibrat e duhura për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme me Turqinë partnere dhe aleate, me Greqinë, partnere strategjike fqinje, me Italinë partnere të fuqishme dhe të madhe. Kjo në 20 vitet e fundit na është gjendur afër më shumë se çdo vend tjetër. Mbi të gjitha, boshti i politikës së jashtme shqiptare duhet të vërtitet në Bruksel me miq e partnerë të shumtë. Në bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë e fuqishme, mike dhe aleate e pazëvendësueshme europiane, me Francën e kulturës së madhe që rrezaton influencë dhe shpresë në Shqipëri, me Britaninë që na është ndodhur tash së fundmi në krahë në sfidat tona për çlirimin e Kosovës dhe për ndërtimin e një shteti demokratik në Shqipëri dhe kështu me radhë me të gjitha vendet e tjera europiane. Por nëse do të flasim për politikën e jashtme të Shqipërisë, padyshim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe do të mbeten, partneri kryesor strategjik për shumë arsye, jo vetëm historike, që unë mund të flisja me ditë të tëra, por dhe për kontributet e mëdha që SHBA kanë dhënë në zhvillimin e demokracisë së re shqiptare. Politika e jashtme shqiptare duket se ka marrë përsipër të sfidojë në radhë të parë veten, të sfidojë trashëgiminë e saj dhe pse jo të prekë dhe çështje të cilat kanë qenë ose të mbuluara në tempullin e harresës, ose kanë qenë të paelaburuara nga qeveritë e mëparshme. Personalisht kam besim se Shqipëria do ta përballojë këtë sfidë me sukses.

101-vjetori i Pavarësisë na kujton dhe Konferencën famëkeqe të Londrës, ku gjysma e trojeve të shtetit të pavarur mbeti jashtë kufijve. A kemi bërë sa duhet si diplomaci për këtë ngjarje të rëndë për kombin?

Diplomacia shqiptare në 100 vitet e saj, padyshim që ka bërë progres të madh në të gjitha drejtimet, por gjithsesi ka qenë dhe do mbetet diplomacia e një shteti të vogël, që e thotë fjalën e vet, por që ka dhe kufizimet e veta. Në thelb, diplomacia është mbrojtja e interesave kombëtare dhe duke nisur nga fillimi, Ismail Qemali u përpoq ta bënte një gjë të tillë, pavarësisht se iku shpejt nga skena politike, për arsye objektive. Në Konferencën e Paqes në Paris, shqiptarët pavarësisht rrymave, kërkuan një Shqipëri etnike, por vështirësitë ishin shumë të mëdha. Nga ana tjetër, mbreti Zog ka pasur një politikë të jashtme jo gjithmonë të mirëdrejtuar, por në momente të caktuara të politikës së tij të jashtme, edhe ai është treguar një shtetar me guxim dhe i orientuar qartë. Përgjatë sistemit komunist, sistemi diplomatik nuk u forcua, kjo për shkak të rrethanave të ndryshme ndërkombëtare. Por, pas viteve 1990, Shqipëria ndonëse e dobët, ka shpalosur qëndrime shumë efektive diplomatike, jo vetëm në rajon, por më gjerë. Ajo gjithashtu ka humbur disa herë shansin për të pasur një politikë të jashtme, më aktive, më të qartë, më dobiprurëse dhe e dini pse? Por shkak të sëmundjes së vjetër shqiptare, që udhëheqësit politikë shqiptarë, shpesh identifikojnë interesin personal me atë kombëtar dhe këtu ata gabojnë shumë rëndë. Për të mbrojtur pushtetin e tyre, të klanit të tyre, të partisë së tyre, thyhen para të tjerëve, tradhtojnë parimet e mëdha politike e morale dhe nuk kanë më fytyrë dhe moral që të kundërshtojnë edhe kërkesa që mund të vijnë nga jashtë dhe ju adresohen atyre dhe në mënyrë ultimative. Këtu mund të përmendim çështjen e ndarjes së ujërave detare me Greqinë dhe në disa raste në rajon. Por tashmë ka ardhur momenti që pas 100 viteve, diplomacia shqiptare të dëshmojë pjekuri, sepse tani nuk mund të ketë asnjë justifikim, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të pasur një vend në Europë dhe një diplomaci me standarde europiane. Së pari, duhet një reformë për të përgatitur një platformë afatgjatë për politikën e jashtme të shtetit shqiptar, të vendosen kolona të qarta të cilat të respektohen nga të gjithë, pavarësisht se kush vjen në pushtet. Një tjetër aspekt i domosdoshëm është edhe ai i heqjes dorë nga ndarja e posteve në Ministrinë e Jashtme, si një tortë pas zgjedhjeve, sepse njerëzit që duhet të përfaqësojnë Shqipërinë jashtë, duhet të jenë më të mirët, më të shkolluarit dhe më të spikaturit.

 

Autor te 28 Nëntor 2013. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Guri

    Gaboheni shume z.Milo!!!…
    Ne jemi shume me fat qe Turqia sot na pranon si aleat.A e dini ju se sa shqipetare sot jetojne ne Turqi?A e dini se kjo Turqi moderne dhe shume e fuqishme ne cdo aspekt, udhehiqet prej shume shqiptareve,qe jane te gatshem c’mos te bejne per mireqenjen tone.ASNJE SHTET TJETER NUK NA NDIHMON NE ME ME SINQERITET SE TURQIA!!!
    Edhe dicka po me befasoni,se si historian qe jeni,eshte dashte te dini se nji nder ose me mire te them diplomati me i shquar i te gjitha koherave eshte pa dyshim HASAN PRISHTINA!Ju i nderuar ne asnji moment nuk e permendet kete figure te shquar,per meritat,sakrificat,rolin e tij…Te mos keqkuptohemi une nuk dua asnje moment te nenvlersoj figuren e patriotit te shquar Ismajl Qemali…
    E sa i perket kesaj qeverie,z. Rama mire ia ka filluar,une i deshiroj shume suksese!…

  • ALBANO

    po turqia po na pranon si aleat se Europa po e shtyn nuk e don si aleat dhe per njeqind vjet turqit nuk do te futen ne europe :: prandaj duan miq duan aleance eshte e llogjikshme dhe megjithese ekonomia ne turqi ka ndryshuar ka ecur :::::por problemi eshte se ka disa turq qe kane ngelur ne shekullin e 13 dhe prandaj Europa nuk i don ::::POR SHQIPERIA PO I FORCOI MARREDHENJET ME TURQINE DUHET TE HEQI DORE NGA EUROPA /////SEPSE EUROPIANET DO TJU MARRIN PER TURQ DHE DHE TURQIT I KRAHASOJNE ME ARABET BOTA ///PERSE GREKU BULLGARIA ///KROACIA SERBIA MBAJNE DISTANCE SEPSE E DINE QE HUMBIN VLERESIMIN E EUROPES ….POR NJE SHQIPTAR QE KA JETUAR NE SHQIPERI NUK MUND TA KUPTOJE ////

    • Ilir

      O robo ku jeton,Turqine ne Europe nuk e pranon Franca, per arsyen e vetme se sic e ka nisur per 10 vjet ja merr Frances vendin e fuqise se dyte ekonomike ne BE, pas Gjermanise. Te tjerat jane brockulla.

      Sa per statistike, ate qe do te beje sot BE-ja, Perandoria e ka bere per 500 vjet te ekzistences se saj.

  • Ilir

    O AGJENT I ASFALISE, KUR ISHE MINISTER MIT-I TURK NXORRI NJE RAPORT QE TREGONTE SE 4 MINISTRA SHQIPTARE TE KOHES I RAPORTONIN ME PARE ASFALISE GREKE DHE PASTAJ KRYEMINISTRIT SHQIPTAR.

    NUK I JEPTE ME EMRA, POR QE NJERI NGA TA ISHE TI, KJO NUK DONTE MEND TE KUPTOHEJ.

  • Islamisti

    O milo o grekofil o spiun grek keni frike ju greket nga Turku eeee Greqia me njerez si ju bejne propaganda turkofobe Turqia eshte nje vend mik dhe Aleat I shqiperise ishte ndihma e Turqise qe na pranuan ne Nato ishte presioni I Turqise qe Greku dhe Serbi nuk u futen ne shqiperi ne 1997 kur nuk kishte shtet ata deshen te bashkonin kufijte bashke por presioni I Turkut I ndali po me ke te behemi me Grekqine te degjojme agjentin grek janullatos apo te degjojme ty qe I sherben interesave greke je spiun grek dhe je Grek nuk I sherben interesave shqiptare prej kohesh Greku ka qene dhe eshte Armiku I shqiptareve ata mundohen te behen si miq por urejtja qe ata kane ne zemer per shqiptaret eshte shume e madhe kjo e fundit ishte se si ti mernin detin shqiperise rofte miqesia Shqiptare Turke poshte greket