Rreth 57 mijë fëmijë shqiptarë punojnë

Shkeljet 

Shkeljet e të drejtave, strukturë e re pranë Avokatit të Popullit për shërbimin e mbrojtjes

Fëmijët punëtorë – Rreth 57 mijë fëmijë në vendin tonë konsiderohen si fëmijë punëtorë, të cilët, edhe pse në moshë të mitur, detyrohen të punojnë çdo ditë

Sektorë të vështirë – Rreth 19 për qind e fëmijëve që punojnë rezultojnë që të bëjnë punë të vështira, të punojnë me rrezik apo të përfshihen në punë të rënda

Dhuna në shkollë – “Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme janë të ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe verbale. 66 për qind e nxënësve ankohen për dhunë”, deklaroi Totozani në konferencën për të drejtat e fëmijëve

Lorina Mixha

polic lypesTë drejtat e fëmijëve në Shqipëri nuk respektohen dhe shkelja që u bëhet atyre vlerësohet në nivele alarmante. Avokati i Popullit ka deklaruar dje se rreth 57 mijë fëmijë të moshës nga 5 në 17 vjeç në vendin tonë punojnë, edhe pse në moshë të mitur. Një problem edhe më i madh është punësimi i fëmijëve në sektorë të vështirë. Sipas Igli Totozanit, rreth 19 për qind e tyre nga 7-14 vjeç punojnë në punë të vështira.

UNICEF dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë vlerësojnë se shkelja e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri është alarmante.

Shefi i UNICEF-it në Tiranë, Detlef Palm, thekson ngritjen e këtij seksioni në mënyrë që fëmijët të mund të kenë një vend ku të marrin ekspertizën e nevojshme.

“Nuk kam përse ta fsheh kur për ne mbetet shqetësues fakti se fëmijët shfrytëzohen për trafikim të brendshëm, për lypje apo për punë informale. Fëmijët e rrugës dhe fëmijët që punojnë janë një plagë e shoqërisë shqiptare, e cila nuk po arrin të përmirësohet. Përfshirja në ligj e një seksioni të veçantë dhe të specializuar për të drejtat e fëmijëve është përgjigjja për një zgjidhje optimale për çështjet kryesore ku ka probleme me fëmijët, me të drejtat e tyre”, tha Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Një strukturë e veçantë, mbrojtëse e të drejtave të fëmijëve duhet të hapet brenda institucionit të Avokatit të Popullit.

Ky seksion ka për qëllim të kujdeset për të drejtat e fëmijëve dhe pikëpamjet e tyre, si dhe të hartojë një plan konkret, për të plotësuar nevojat e fëmijëve.

Struktura duhet të merret posaçërisht me ankesat e qytetarëve për mënyrën se si shteti u shërben fëmijëve si dhe të ofrojë kujdes lidhur me shërbimin e mbrojtjes, kujdestarisë dhe adoptimit.

Sipas rekomandimeve të Komitetit të të Drejtave të Fëmijëve (tetor 2012) në Shqipëri, niveli i ndërgjegjësimit të fëmijëve dhe të rriturve për shërbimet e Zyrës së Avokatit të Popullit është i kufizuar.

Seksioni i Fëmijëve duhet të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke inkurajuar ndryshimet në ligje dhe çështje procedurale në favor të fëmijëve. Ky seksion duhet të merret me trajtimin dhe shqyrtimin e ankesave të fëmijëve, qytetarëve dhe familjeve që kanë të bëjnë me mënyrën sesi shteti u shërben fëmijëve dhe familjeve. Midis të tjerave, përfshihen shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve, kujdestarisë, adoptimit dhe të drejtësisë për fëmijët.

Seksioni i të Drejtave të Fëmijëve do të jetë një organ i pavarur dhe funksionet e tij do të konsistojnë edhe në përgatitjen raporteve alternative për zbatimin e Konventës së të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, inspektimin e mjediseve dhe institucioneve shtetërore; monitorimin e të gjitha organizatave që punojnë për të drejtat e fëmijëve dhe investigimin në raste specifike të shkeljes së të drejtave të fëmijëve.

Seksioni i të Drejtave të Fëmijëve është i nevojshëm jo vetëm për të përballuar ngarkesën e madhe të parashikuar, por edhe për të dhënë ekspertizë të veçantë, duke përfshirë rastet se si duhet ndërvepruar me fëmijët dhe të rinjtë.

Komiteti i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve e nxit qeverinë edhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, për të krijuar programe të rritjes së ndërgjegjësimit, sidomos të fëmijëve, duke përfshirë edhe ata që jetojnë në zona të largëta, për mundësinë e ankimimit në Seksionin e të Drejtave të Fëmijëve.

Autor te 4 Dhjetor 2013. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry