Djali me probleme mendore mbahet i lidhur me litar, familja: Është i dhunshëm

Cërrik, Marjus Hoxholli, në kushte çnjerëzore që prej 4 vjetësh

Keqtrajtimi

Marjus Hoxholli, nga fshati Bujaras, i lindur me probleme mendore, lidhet me litar në këmbë sa herë që i ati nuk është në shtëpi

Varfëria

Familja e varfër Hoxholli krijon të ardhura veç nga një copë tokë për bagëtinë, që e mbajnë për të pasur të paktën bulmet në shtëpi

Banorët

Sipas banorëve, në shumicën e rasteve, ai nuk është i dhunshëm. Ai vetëm bërtet dhe ulëret sa herë që dikush kalon para shtëpisë

 

22-vjeçari Hoxholli nuk flet, vetëm shikon, ngre zërin me britma dhe ka veprime përsëritëse

 

Bardha Nergjoni

LIDHUR2Një djalë me probleme mendore, vetëm 22 vjeç, prej katër vitesh jeton në kushtet e kafshërisë në një fshat afër Cërrikut, pasi familja e tij, në pamundësi për ta trajtuar si një njeri me të drejta, ka gjetur si zgjidhje të vetme mbajtjen e tij të lidhur me litar. Historia vjen nga fshati Bujaras i Komunës Gjergjan, ku babai i Marjus Hoxhollit bën apel për ndihmë, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mbajtur të birin, kur ai nuk është aty. E kjo ndodh shpesh, pasi ai duhet të dalë e të punojë për të ushqyer familjen.

Historia çnjerëzore

Marjus Hoxholli ka lindur me probleme mendore, por prej vitesh, ai nuk është kuruar dhe trajtuar. Babai i tij ka gjetur si zgjidhje për të ndalur reagimin e dhunshëm të tij, lidhjen me litar në këmbë. 22-vjeçari nuk flet, por ngre zërin me britma dhe ka veprime përsëritëse. Herë pas here gjendet i lidhur në pjesën e këmbës dhe nuk di ta zgjidhë litarin, duke pranuar të qëndrojë rreth shtëpisë. Marjusi ka lindur nga martesa e parë e Ndriçim Hoxhollit. Sapo shkon pranë shtëpisë së familjes Hoxholli në Bujaras të Komunës Gjergjan, shikon se nuk është vetëm Marjusi që vuan pasojat, pasi e gjithë familja ndodhet në varfëri ekstreme. Për Marjusin që endet çdo ditë rreth shtëpisë i lidhur me një litar të hollë, në formën e një spangoje te këmba e majtë, nuk ka asnjë formë tjetër argëtimi veç vështrimi i babait, ndërsa dredh një cigare duhani me dëshirën për ta pirë dhe figurat e librave të dy vëllezërve të tij më të vegjël. Banorët thonë se Marjusi në shumicën e rasteve nuk është i dhunshëm. Ai vetëm bërtet dhe ulëret pa asnjë arsye dhe sa herë që kalojnë para shtëpisë së kësaj familjeje, e shohin shpesh të lidhur në këmbë, pasi edhe mund të reagojë dhunshëm. Gjithsesi e vetmja kërkesë e përhershme e Marjusit është i ati, me të cilin është mjaft i lidhur dhe egërsohet nëse ai largohet apo nuk kthehet për një kohë të gjatë. Ai detyrohet shpesh të dalë për dru për të siguruar ngrohjen, por edhe për t’i shitur.

Varfëria ekstreme

Shtëpia është vetëm një ngrehinë me çati e me tjegulla, pasi nuk ka as dritare të vërteta, as dyer dhe as tavan mbi krye. Suvatimi i copëtuar dhe orenditë e pakta ngrohen vetëm nga një stufë në qendër të dhomës, me të cilën gatuhet dhe përgatitet ushqimi për pesë pjesëtarë të familjes. Po kështu, për shtrim të tokës as nuk mund të flitet, ndërsa shenjat e çimentos së dikurshme janë vetëm një hartë e rrallë, që tregon se ka ekzistuar. E vetmja e përbashkët e kësaj familjeje me pjesëtarët e tjerë është një depozitë uji, për faktin se furnizimin me ujë, këto familje e kanë të vështirë. E ndodhur shumë pranë përroit të këtij fshati, familja Hoxholli nuk ka të ardhura veç një copë tokë për bagëtinë për të pasur të paktën bulmet në familje, por duket se të ardhurat e tjera mungojnë. Për shkak të problemeve mendore të lindura të Marjusit, kjo familje përfiton edhe një pension mujor, i cili shërben për ushqimin e të gjithë familjes, që duket se është e pamjaftueshme. Fshati Bujaras është pjesë e Komunës Gjergjan në afërsi të Cërrikut. Fshati Bujaras është në pjesën e sipërme të kësaj komune me pak tokë dhe me më shumë orientim drejt blegtorisë, për shkak të afrisë me kullota dhe pyje kryesisht me shkurre.

 

Gjergjan

 Kryekomunarja: Familjarët e lidhën se ikën nga shtëpia

Hoxha shprehet se e kanë ndihmuar familjen, por nuk kanë gjetur zgjidhje për djalin

Komuna i ka ardhur në ndihmë familjes, por nuk është gjetur asnjë zgjidhje për djalin me probleme mendore. Kryetarja e Komunës Gjergjan, Lumturi Hoxha, e pyetur mbi rastin e Marjusit, shprehet se familja Hoxholli është ndihmuar disa herë nga komuna me ndërtimin e shtëpisë, me orendi shtëpiake dhe me ndihma në ushqime, por vështirësitë e kësaj familjeje janë të mëdha dhe duhet një zgjidhje, sidomos për djalin.

“Nuk është e vërtetë që ai është i dhunshëm, por është fakt që familjarët e lidhin, sepse ai largohet nga shtëpia dhe nga frika se mos mbytet apo humb rrugën, kanë gjetur zgjidhje lidhjen. Edhe unë kur e kam parë këtë fakt më ka bërë shumë përshtypje dhe kam kërkuar nga shoqatat të gjejmë një zgjidhje të përbashkët që ai të marrë trajtimin e duhur e të mos lidhet më siç edhe ka ndodhur. Më ka bërë shumë përshtypje ky rast, sepse është shkelje e të drejtës njerëzore. Ajo familje, për shkak të nivelit, nuk e kupton se është duke dhunuar të drejtat e tij, por mendon se i bën mirë. Ne jemi munduar ta ndihmojmë, por varfëria është ekstreme aty, edhe pse disa herë kemi dërguar ndihma në ushqime apo edhe materiale. Vetëm dje kam biseduar me përgjegjësen e ndihmës ekonomike dhe gjithashtu do të kontaktojmë me shoqatat që ai të mos qëndrojë më i lidhur, por të marrë trajtimin e nevojshëm dhe të respektohen të drejtat e tij”, përfundon kryetarja e Komunës Hoxha për rastin e Marjus Hoxhollit. Nga ana tjetër, specialistët e zonës shprehen se duhen marrë masa të menjëhershme, pasi ky është një rast ekstrem i shkeljes së të drejtave të njeriut. Elona Mehmetaj, zv/drejtore e Karitasit në Shqipëri, me profesion psikologe, deklaron se ky rast duhet të ketë vëmendje të veçantë nga strukturat vendore, shërbimet sociale dhe ato të shëndetit mendor. Ajo e cilëson rast flagrant mënyrën e trajtimit të tij, duke kërkuar që të ndërhyhet menjëherë nga shteti, pasi personat me probleme mendore kanë mbrojtje të veçantë dhe trajtim të veçantë e nuk duhet të lihen në këto kushte. Të gjithë specialistët bëjnë thirrje që të ketë funksionim të shërbimeve sociale, të cilat në komuna nuk ekzistojnë dhe raste të tilla konstatohen sidomos në zonat rurale. B.N.

 

 

Autor te 8 Dhjetor 2013. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry