Ekspertët sugjerojnë reforma dhe monitorim të kredive me probleme


banka boteroreBanka Botërore paralajmëron qeverinë shqiptare: Kujdes me borxhin. Në raportin që kanë prezantuar sot ekspertë të Bankës Botërore “Rimëkëmbja e ngadaltë”, që trajton zhvillimet ekonomike në vendet e Europës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, theksohet nevoja e reformave për t’i shpëtuar kanosjes së ekonomisë që vjen nga borxhi i lartë, i cili mund të shkojë dhe 76 për qind të PBB-së. “Nëse nuk merren masa, rrezikohet stabiliteti makroekonomik, vendi do të detyrohet të paguajë interesa të larta për borxhin, si dhe ka rrezik për aftësinë paguese të tij”, paralajmëruan autorët e raportit, Gallina A. Vincelette dhe Abebe Adugna, kryeekonomistë të Bankës Botërore. Sipas raportit, rritja ekonomike e Shqipërisë në gjysmën e parë të vitit 2013 ishte 1.3%, ndërsa për gjysmën e dytë të 2014-s pritet një rigjallërim i rritjes në 2.1%. Shqipëria renditet në këtë mënyrë e dyta nga fundi në rajon për 2013-n për sa i përket rritjes ekonomike, duke lënë pas vetëm Bosnjën. Gjithashtu, ekspertët nuk lanë pa përmendur si faktor rreziku për zhvillimin makroekonomik edhe nivelin e lartë të kredive me probleme, të cilat kanë nevojë për një monitorim të ngushtë, ndërkohë që konsumi dhe investimet mbeten të ulëta. Nga ana tjetër, ajo çka u vlerësua ishte rritja e punësimit, ku norma e papunësisë ishte më e ulëta në rajon në masën 12.6 për qind. Vlen të përmendet se rritja e punësimit ishte më e larta që nga viti 2012. Në raportin e Bankës Botërore, përmendet niveli i lartë i borxhit prej rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka bën në rast se nuk ndërmerren reforma rrënjësore, të çojë borxhin në 76 për qind të PBB-së.


“Borxhi publik është i paqëndrueshëm. Nëse nuk merren masa, rrezikohet stabiliteti makroekonomik, vendi do të detyrohet të paguajë interesa të larta për borxhin, si dhe ka rrezik për aftësinë paguese të tij”, u vërejt në raportin e BB-së. Aktualisht, niveli i borxhit në total ka arritur në 76% të PBB-së. Ekspertët e Bankës Botërore kanë pohuar se po bashkëpunojnë ngushtë edhe me FMN-në për zgjidhjen e pagesave të prapambetura ndaj biznesit. Qeveria, sipas tyre, po shqyrton disa skenarë se si t’i shlyejë këto pagesa, duke përfshirë edhe një kredi nga FMN-ja. Banka Botërore, nga ana e saj, mund t’i japë 100-200 milionë dollarë qeverisë si kredi për konsolidim buxhetor. Në bashkëpunim me qeverinë po punohet për rikuperimin e borxhit të paqëndrueshëm dhe përmirësimin e kredive të këqija (për këto të fundit po punohet për një paketë masash), dy elemente që janë tepër të rëndësishme për ruajtjen e qëndrueshmërisë makroekonomike të vendit. Lidhur me rikthimin e taksës progresive, ekspertët e Bankës Botërore kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre, se sistemi progresiv siguron një taksim më të drejtë, pasi do të paguajnë më shumë ata që fitojnë më shumë dhe do të ketë mbështetje për shtresat më të varfra. Sipas raportit, vendet e rajonit të Europës Juglindore (EJL6) dolën nga recesioni në gjysmën e parë të vitit 2013, të mbështetur nga fillimi i një rimëkëmbje në zonën e euros. Rritja mesatare e të ardhurave reale e të gjashtë vendeve u ringrit nga një 0.7 për qind negativ në vitin 2012, në 1.8 për qind (bazë vjetore) në gjysmën e parë të vitit 2013, e mbështetur edhe nga një rimëkëmbje në ngjitje të eurozonës. “Industria, veçanërisht eksportet e produkteve dhe energjia, ishin shtysë e rimëkëmbjes”, thotë Gallina Andranova Vincelette, kryeekonomiste në Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore të Bankës Botërore dhe bashkautore e raportit. “Rajoni përjetoi një ngritje të mirëpritur të eksporteve në 2013-n, veçanërisht eksportet e makinave nga Serbia. Megjithatë, raporti vëren që kërkesa e brendshme mbeti e ulët në të gjithë rajonin, duke pasqyruar papunësinë e lartë, rritjen e ngadaltë të të ardhurave dhe kredisë familjare dhe një klimë të vështirë investimi. Raporti vëren që ndërkohë që performanca e eksporteve u forcua dhe importet ranë, bilancet e llogarisë korrente u ngushtuan.