Kryesoret Odeta Nishani, e punësuar në Bankën e Shqipërisë

Odeta Nishani, e punësuar në Bankën e Shqipërisë

400
SHPËRNDAJE

Sqaron ministria: I ofruam post ekuivalent, e pranoi, më pas dha dorëheqjen 

Ministria theksoi se Nishani e kishte pranuar postin e drejtoreshës së Marketingut dhe Promovicionit Turistik në MZHUT dhe në datën 3 dhjetor, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë

Fatjona Mejdini

odeta nsihaniBashkëshortja e Presidentit të Republikës, Odeta Nishani, prej më shumë se një jave është punësuar në departamentin e administratës në Bankën e Shqipërisë. Burimet për gazetën Shqip pohuan se dorëheqja e Nishanit nga posti i drejtoreshës në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit (MZHUT) ka ardhur në një kohë kur ishte krijuar mundësia e punësimit në institucionin e ri. Ndërkaq, ministria ku Odeta Nishani ka punuar vitet e fundit bëri dje një sqarim rreth pozicionit të ri ekuivalent që Zonjës së Parë i ishte ofruar nga ana e ministres Eglantina Gjermeni, në ministrinë e re e cila përfshiu dhe sektorin e Turizmit. Në deklaratën e ministrisë theksohet se Nishani e kishte pranuar postin Drejtoreshës së Marketingut dhe Promovicionit Turistik në MZHUT dhe në datën 3 dhjetor, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Vetë Zonja e Parë deklaroi dy ditë më parë se ajo ishte dorëhequr nga detyra për shkak të presionit psikologjik që kishte pasur në detyrën e saj pas ndryshimit të pushtetit. Bashkë me largimin ajo akuzoi drejtuesit e institucionit se shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë, po përdoren në mënyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna.

Banka e Shqipërisë

Bashkëshortja e kreut të shtetit prej rreth një jave ka nisur punë në departamentin e administratës publike të Bankës Qendore të Shqipërisë, të drejtuar nga Ardian Fullani. Ky institucion i rëndësishëm shqiptar ka një numër të lartë të punësuarish që kanë lidhje të ngushta familjare me njerëzit në pushtet apo politikanë të njohur të vendit. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë është institucioni që ka pagat dhe dietat më të larta në vend. Kjo u bë e ditur dhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili theksonte se ky institucion ka paga tejet të larta krahasuar me të tjerët dhe po kështu shumë shpenzime të konsideruara luksi.

Sqarimi i ministrisë

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit sqaroi dje se bashkëshortes së Presidentit të Republikës mbi bazën e ligjit për shërbimin civil, i ishte ofruar një post pune ekuivalent me të mëparshmin. Kjo sipas drejtuesve të kësaj ministrie kishte ardhur për shkak të faktit se ministria kishte ndryshuar shumë struktura të saj. Në sqarimin e ministrisë bëhet e qartë se kjo detyrë e re ishte pranuar nga vetë bashkëshortja e Presidentit, e cila më pas kishte dhënë dorëheqjen. “Me shkresën nr. 1511/1, dt. 23.10.2013, Departamenti i Administratës Publike ka dërguar listën e nëpunësve civilë të ish-ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për t’u vlerësuar për sistemim në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në përgjigjen e dhënë Departamentit të Administratës Publike nga Ministrisë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, me shkresën nr. 279/1, dt. 04.11.2013, konfirmohet lista e nëpunësve civilë, ku znj. Odeta Nishani, nga drejtore e Drejtorisë së Koordinimit dhe Monitorimit të Tregut iu propozua pozicioni drejtore e Drejtorisë së Marketingut dhe Promocionit Turistik, post ekuivalent me pozicionin e mëparshëm që znj. Nishani mbante, detyrë të cilën ajo e pranoi”, thekson kjo ministri për mediat, duke shtuar se dorëheqja e Odeta Nishanit është depozituar në datën 3 dhjetor pranë sekretarit të Përgjithshëm të MZHUT-së.