“Do të rrisë evazionin dhe do të ketë pasoja në ekonomi”
Komuniteti i biznesit shton presionin ndaj qeverisë për të mos miratuar paketën e re fiskale, të paktën për vitin e ardhshëm. Rritja e tatimit mbi fitimin nga 10 për qind në 15 për qind prek direkt biznesin e madh, i cili e sheh këtë si kërcënim për financat e tij, sidomos në një treg jo formal siç ekziston në Shqipëri. Dje, përfaqësues të këtij komuniteti, kanë kërkuar njëzëri që qeveria të mos nisë aplikimin e taksës progresive nga 1 janari i vitit 2014, por të konsultohet me biznesin dhe 2014-a të konsiderohet pak a shumë si një “vit prove” dhe konsultimesh të gjera me grupet e interesit për të hartuar një paketë fiskale, e cila të mos dëmtojë interesat e sipërmarrjes private, si dhe të ekonomisë së vendit.
Jo paketës fiskale!
Dy ditë më parë, Dhoma Amerikane e Tregtisë lëshoi një deklaratë, ku theksonte se hartimi dhe miratimi i paketës fiskale 2014 po bëhej me shumë nxitim nga qeveria dhe se duhej të konsultohej më parë me komunitetin e biznesit, ndërkohë që ka pak informacion zyrtar nga qeveria, duke mos lejuar këtë dhomë dhe partnerët e tjerë të sektorit privat që të japin një opinion zyrtar mbi paketën e re fiskale. Presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crawford, dje u shpreh se politika e re fiskale duhet të nxisë investimet e huaja direkte dhe investimet lokale. “Ndryshimi i menjëhershëm i sistemit fiskal, në mungesë të një debati publik efikas, mund të çojë në rritjen e evazionit fiskal”, tha ai. Sipas tij, Dhoma Amerikane e Tregtisë mendon se ajo që pritet është marrja e masave konkrete, që do të ndikojnë në një ulje të ndjeshme të nivelit të evazionit fiskal dhe për të treguar qartë se Shqipëria është një vend ku të gjithë paguajnë taksa sipas ligjeve në fuqi. Për këtë arsye, tha ai, qeveria shqiptare nuk duhet të aplikojë paketën fiskale në datë 1 janar 2014, por duhet të lejojë më shumë kohë për konsultim dhe zbatimin e saj. “Për shkak të mungesës së zbatimit të ligjeve tatimore, do të duhet më shumë kohë për të diskutuar dhe zbatuar siç duhet çdo legjislacion të ri tatimor”. Nga ana tjetër, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, u shpreh se kjo situatë ka ardhur dhe për shkak të mosmarrjes së masave që para 4 vitesh, në vitin 2010, kur nuk u parandaluan efektet e krizës që kaploi të gjithë globin. Por dhe kjo mazhorancë, sipas tij, nuk po e menaxhon si duhet situatën. “Ne si komunitet biznesi, tha ai, i kemi paraqitur qeverisë disa propozime që do të ulnin efektet e krizës. Mazhoranca aktuale kishte kohën e nevojshme për të prezantuar një platformë të saktë strategjike se si mund të dilet nga kriza dhe se si mund të zhvillohet ekonomia e vendit tonë. Ndërsa sot ndodhemi para faktit të emergjencës për të miratuar një buxhet, i cili do të shoqërohet edhe me paketën fiskale. Duke u ndodhur në kushte të emergjencës, duhet të miratohet me shpejtësi dhe të nisë implementimin nga 1 janari 2014”, tha Jaka. Ky i fundit u shpreh qartë se i gjithë komuniteti i biznesit që operon në Shqipëri është unifikuar në mosmiratimin e kësaj pakete. “Jemi të unifikuar në kërkesën tonë për të mos e përfshirë paketën fiskale nga 1 janari 2014, por viti që vjen të mbetet si një vit debati konsulence, në mënyrë që të kemi një paketë fiskale të mirëmenduar dhe pa efekt negativ mbi sipërmarrjen e që t’i shërbejë zhvillimit të ekonomisë së vendit”, deklaroi Jaka. Ky i fundit kërkoi nga qeveria aktuale transparencë në marrjen e vendimeve, sidomos kur ndikojnë direkt në grupe të caktuara dhe në ekonominë e vendit. Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, konsultimi dhe më pas vendimmarrja me dinjitet do t’u shërbejë të gjithëve. Po kështu, dhe kryetari i Dhomës Britanike të Tregtisë në Tiranë, Zenel Hoxha, tha se DHBT ka si synim kryesor të rrisë interesin para investitorëve të huaj për Shqipërinë. “Ne do të dëshironim të bashkëpunonim me qeverinë e re për politikat fiskale”, tha ai.