Qeveria shqiptare po negocion me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një kredi, e cila mund të luhatet nga 300 deri në 400 milionë dollarë. “Top Channel” ka mësuar se palët janë në minutat e fundit të negociatave dhe po përcaktojnë detajet e mbetura të kushteve që qeveria duhet të përmbushë për të marrë financimin. Marrëveshja e huas pritet të bëhet zyrtarisht publike të hënën, në një konferencë të përbashkët për mediat të Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesve të FMN-së. Burime nga Ministria e Financave thanë për “Top Channel” se me shumë gjasa kredia do të lëvrohet në dy këste me nga 200 milionë dollarë secili në dy vitet e ardhshme dhe do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që shteti ka ndaj bizneseve. Mësohet se tashmë qeveria dhe FMN-ja kanë rënë dakord për kushtet që lidhen me treguesit e buxhetit, si deficiti, të ardhurat e shpenzimet dhe janë duke negociuar detajet e fundit që lidhen me ndryshimet në administrimin e Thesarit të shtetit. Shqetësimi i ndërkombëtarëve është që pas shlyerjes së detyrimeve aktuale sistemi i Thesarit të mos lejojë grumbullimin e borxheve të tjera. Për këtë janë duke u diskutuar një sërë ndryshimesh ligjore. Kredia e Fondit Monetar i bashkëngjitet asaj të Bankës Botërore. Të dyja paketat e huave mund të arrijnë deri në 600 milionë dollarë ose afër 5 për qind e Prodhimit Kombëtar, të cilat do të përdoren për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit dhe financimin e projekteve të nisura të investimeve.