Prof. Asoc. Dorian Çene 


EKO-CONCERTO_0042-copy1 Francesco Prode ishte pianisti,  të cilit festivali “Pianodrom” i kishte besuar koncertin e 10 të Edicionit të tij të parë. Me aq koncerte sa kam mundur të ndjek në dhjetëvjeçarin e fundit, kam krijuar bindjen, e cila sa vjen e përforcohet, se profesionalizmi dhe cilësia artistike e muzikantëve nuk duhet paragjykuar nga CV e pasur ose nga shpeshtësia me të cilën rezonanca e emrit të tyre mbërrin në veshët tanë, por nga kohëzgjatja koncertit të tyre në memorien tonë. Duke qenë i bindur tek kjo e fundit, mund të them pa pikë hezitimi se do të duhet të kalojë shumë kohë që emri Francesco Prode dhe memoria tingëllore që i bashkangjitet këtij emri të zvetënohet. Prode kishte zgjedhur një program i cili, nga këndvështrimi strategjik, ishte i mirëmenduar por që nisur nga  kompleksiteti që paraqiste do të përbënte sfidë ndoshta edhe për emra si Pierre-Laurent Aimard. Diversiteti stilistik, qasjet estetike dhe konceptet kompozicionale të trupëzuara në secilën prej veprave presupozonin një shkëputje të menjëhershme nga interpretimi i veprës paraardhëse për tu përqëndruar në atë që pasonte.  Koncerti i Prode-s fillon me ciklin pianistik “Musica Ricercata” të kompozitorit Hungarez György Sándor Ligeti dhe interpretohet për herë të parë në Shqipëri. Cikli përbëhet nga 11 pjesë të cilat në rend progresiv përmbajnë 2, 3, 4 nota  për të përfunduar me 12 nota në pjesën e fundit. Prode duket i sigurt në vetvete që në tremolo-n e parë të La-ve të pozicionuara thuajse në ekstremet e pianos,  të cilat interpretohen rigorozisht forte, sikurse edhe janë shënuar nga kompozitori në part. Si njohës i mirë i muzikës bashkëkohore, ç’ka vërtetohet edhe nga CV-ja e tij, ai materializon shumë mirë kontekstin interpretativ të pjesëve qoftë në dinamikë e qoftë në tempi-t e impostuara nga autori. Prekja e tasteve të pianos paraqitet e fortë atje ku duhet por jo e ashpër, dhe e butë në vende të tjera por jo e dobët. Francesco Prode të mahnit me saktësinë mekanike që realizon secilën prej notave, panvarësisht ndonjë difekti të vogël që vjen si pasojë e distancës mes regjistrave, dhe me pasionin që manifeston gjatë rezonancës së tyre në hapësirë.


img_3118


Duket sikur ka arritur të lexojë përtej notave, ndodhi kjo e rrallë ndër pianistë të shumtë, dhe kërkon të interpretojë edhe atë ç’ka Ligeti do të bënte më mbrapa, kam parasysh këtu mikro-polifoninë dhe strukturat mekanike. E themi këtë sepse cikli “Musica Ricercata” panvarësisht së është kompozuar në një periudhë të hershme 1951-53, shpalos në formën e tyre më rudimentare elementë që më vonë do të ishin tipizues për György Ligeti-n. Koncerti vazhdon me “Studi Boreali” të Ivan Fedele-s, një nga kompozitorët më të rëndësishëm sot në Itali por edhe në Botë, sikurse, së fundmi, edhe Drejtori Artistik i Muzikës në Bienalen e Venecias 2013. Fedele karrierën e tij artistike e konsolidoi në Francë ç’ka, për fat të keq, ndodh  shpesh herë me kompozitorët e rëndësishëm italianë të dy shekujve të fundit të cilët pjesën më të madhe të aktivitetit artistik e kanë në Gjermani dhe Francë për tu rikthyer mandej “triumfues” në Itali. Panvarësisht se është një ndër kompozitorët italianë më në zë, Fedele në Shqipëri nuk njihet thuajse fare qëkurse ky është kontakti i dytë që publiku ka me të dhe vepra “Studi Boreali” interpretohet për herë të parë në Shqipëri. Hera e parë që publiku shqiptar dëgjoi emrin e Ivan Fedele-s dhe botën e tij tingëllore ka qenë në festivalin “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare”, përsëri me një pjesë për piano interpretuar nga Ciro Longobardi, dhe kjo ka ndodhur kohë më parë aq sa tashmë tregohet me “na ishte një herë”. Francesco Prode e prezanton vetë veprën e Fedele-s, sikurse edhe veprat e tjera, dhe na bën me dije se frymëzimin për këtë vepër kompozitori e ka hasur kur është ndodhur për herë të parë nën ndriçimin magjik të Aurorës në Finlandë. Vepra fillon në regjistrin e sipërm për tu kontrastuar menjëherë me lartësitë tingëllore të regjistrit të poshtëm. Rezonanca tingëllore e ndihmuar nga pedali krijon një klimë “boreale” mes mbetjes karakteristike të timbrikës së tingujve që fluktuojnë të pashqetësuar në hapësirë dhe atyre që prodhohen rishtazi. Harmonikët mbushin hapësirën akustike pa dëshirën e tyre qëkurse shkaktohen nga vibrimet e tingujve të tjerë duke përbërë kësisoj pasojën, shkakësia e së cilës duhet kërkuar gjetiu. Interpretimi i Prode-s është tërësisht brenda karakterit të veprës. Ia dela mbanë edhe në pasazhet më të vështira ku ndoshta shumë pianistë do të stamponin damkën ” e painterpretueshme”, term ky i fundit nga i cili shumë vepra janë lënë në harresë për një kohë të gjatë dhe mandej janë konsideruar “mrekullisht” të lehta për tu bërë pjesë e repertorit pianistik. Loja e Prode-s në regjistrin e sipërm të pianos është magjike. Realizimi i dinamikave shumë të imëta në 3 ndoshta në 4 piano , por jo të zbehta, të krijon përshtypjen se pianisti nuk e shtyp tastin por e përkëdhel atë.   Klavierstück IX e Karlheinz Stockhausen është vepra që pason „Studi Boreali” të Fedele-s. Vepra për piano e Stockahusen-it në përgjithësi është një prej shtigjeve që ç’do pianist duhet të përshkojë nëse synon zotërimin e muzikës së shek. XX. Stockhausen është ndoshta kompozitori më i rëndësishëm mbas Luftës së Dytë Botërore, një ndjekës i devotshëm i serializmit dymbëdhjettingëllor sikurse dhe novator i kësaj teknik së bashku me Pierre Boulez. Klavierstück IX bazohet në një seri dymbëdhjettingëllore, e cila ishte përdorur më përpara nga autori edhe tek Klavierstück VII , ku gjysma e dytë e serisë është retrograd i gjysmës së parë. Seria e Fibonacci-t  qeveris strukturën ritmike të veprës, qoftë në formën e saj më të thjeshtë qoftë në variante të prodhuar nga shumatore me 2,3,4,5 numra. Këtu nuk mund të mos vërejmë përzgjedhjen e zgjuar që Francesco Prode ka bërë mes Ligeti-t dhe Stockhausen-it, ku  i pari kontrollon sasinë e notave për pjesë ndërkohë që Stockhausen kontrollon rradhitjen e notave përbrenda pjesës. Vepra fillon me një akord prej katër notash, interpretuar me vetpërmbajtje nga Prode, i cili shkon drejt zvetënimit për të filluar përsëri ethshëm  por tashmë i destinuar në përsëritjen e të njëjtit ritual. Përgjatë gjithë veprës shfaqet e rishfaqet i njëjti akord “Mëmë” i përsëritur, i cili kombinohet me shkallën kromatike, vlerat e notave të së cilës, sikurse e nënvizuam më sipër, kontrollohen nëpërmjet serisë së Fibonacci-t. Francesco Prode me siguri duhet ta ketë interpretuar me dhjetëra herë këtë vepër, dhe kjo nuk na çudit aspak nisur edhe nga bashkëpunimi i ngushtë që ka pasur në Kürten(Gjermani) me Stockhausen-in. Ai ia del të materializojë me mjeshtëri proçedurat që karakterizojnë krijimet e kompozitorit gjerman. Vendos një balancë të kënaqshme mes tingujve që goditen nga çekiçët e tastierës dhe atyre që nuk ceken por ama duhet të rezonojnë si pasojë e “ngacmimit” që ju shkaktohet.  Veprat që përmbyllin koncertin e Francesco Prode-s janë “Cartesius Cantus” nr. 4 dhe “Valle mbi xham” të Aleksandër Peçit. Krijimtaria për piano e prof. Peçit përmban një numër të madh veprash të grupuara nga pikëpamja estetike në ato të krijuara përpara dhe mbas viteve 90. Një pikëmbërritje e rëndësishme e Peçi-t është realizimi i ciklit “Cartesius Cantus” interpretuar për herë të parë  nga Mikhail Dubov në Tiranë. Sigurisht që në memorien e publikut interpretimi i Dubov-it përbën një standart krahasues me të cilin, në mënyrë të pavetëdijshme, vlerësohet edhe loja e Prode-s. Peçi ka zgjedhur që ta ndajë pianon në dy timbrika të veçanta duke përftuar kësisoj dy instrumentë virtualë 1) loja standarte në tastierë, ç’ka na jep tingëllimin tradicional të pianos 2) loja brenda kasës së pianos, në tela, realizuar me battuto-t, rezultantja e të cilës është një timbrikë e veçantë më e shndritshme si pasojë e theksimit të harmonikëve të sipërm. Dy timbrikat e mësipërme alternohen duke nxjerrë në sipërfaqe herë pas here një melodi “jugore”, fenomen ky që haset shpesh në krijimtarinë e Aleksandër Peçit. Vepra e dytë “Valle mbi xham” është një prej pjesëve të ciklit pianistik “32 Albanian Folkdances” që kompozitori ka krijuar së fundmi. Një melodi, me tendeca pentatonike, rezonon në tingujt e regjistrit të mesëm të pianos. Materiali muzikor copëzohet nga ndërhyrjet e diferencuara në kohë vendosur njëkohësisht në ekstremet e tastierës.


Francesco Prode i interpreton me profesionalizëm të dyja veprat të cilat, sipas fjalëve të vetë pianistit, përbëjnë një zbulim interesant edhe për të. Peçi  materializon edhe një herë me mjeshtëri idenë e tij të kahershme se si mund të trupëzohet materiali muzikor popullor (folklorik) në strukturat dhe organizimet muzikore bashkëkohore. Por tashmë qartësimi i kësaj ideje i mbetet Francesco Prode-s  i cili, sipas mendimit tonë,  nuk i ka zgjënjyer pritshmëritë e kompozitorit shqiptar. Panvarësisht mosnjohjes së traditës tonë popullore Prode ja del me sukses të vëjë në dukje çdo tingull që përbën strukturën e melodisë së copëzuar në “Valle mbi xham” dhe të qartësojë me mjeshtëri diferencimin timbrik tek “Cartesius Cantus” nr. 4.