[callout]$200 milionë – Kjo është shuma e përgjithshme e taksave shtesë që do të mbledhë qeveria gjatë vitit 2014
$70 milionë – Janë taksat shtesë që do të mblidhen nga kompanitë e nxjerrjes së naftës, gjithsej 2 kompani
$70 milionë – Pritet të merren më shumë nga fitimet e kompanive vendëse apo të huaja vitin e ardhshëm
Minus 15 milionë – Qeveria do t’i falë shqiptarëve me pagë nga 30 në 130 mijë lekë 15 milionë dollarë tatime
$56 milionë – Nga rritja e taksës mbi naftën e benzinën, qeveria do të mbledhë më shumë para nga konsumatorët
$33 milionë – Kaq do të paguajnë më shumë duhanpirësit në Shqipëri plus disa miliona të tjera nga pijet alkoolike
$11 milionë – Qeveria ka në plan të taksojë më rëndë shqiptarët për shtëpitë dhe dyqanet për pushtetin vendor
$1 milion – Kaq do të përfitojnë shqiptarët nga heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi ilaçet dhe spitalet[/callout]
Një e treta e taksave shtesë do të dalin nga nxjerrja e naftës, një e treta nga kompanitë dhe pjesa tjetër nga konsumatorët
Gjergj Erebara
Qeveria shqiptare ka në plan të mbledhë 200 milionë dollarë taksa dhe tatime shtesë nga ekonomia shqiptare gjatë vitit 2014, përmes rritjes së taksave të akcizave dhe tatimit mbi fitimin e kompanive, si dhe përmes anulimit të disa lehtësirave fiskale për kompanitë e nxjerrjes së naftës bruto. Nga 200 milionët e taksave të reja, rreth një e treta do të nxirret nga rritja e tatimit mbi fitimin e kompanive, një e treta nga sektori prodhues dhe eksportues i naftës dhe një e treta nga konsumi i popullsisë.
Brenda taksave dhe tatimeve mbi popullsinë e gjerë do të ketë edhe disa ulje. Rreth 34 për qind e njerëzve që fitojnë pagë do të ketë ulje të tatimit mbi të ardhurat, ndërsa për 6 për qind të tyre, pritet të ketë rritje. Të dhëna të sakta nuk ka ende për shkak se informacionet e qarkulluara mbi buxhetin e shtetit deri tani kanë qenë të pakta dhe kontradiktore.
Tatimi mbi të ardhurat
Qeveria ka vendosur të ndryshojë mënyrën e taksimit të pagës, ndërsa mbeten të pandryshuara taksimi i të ardhurave nga qiratë, nga dividentët apo nga honoraret. Për pjesën dërrmuese të të punësuarve që kanë paga nën 30 mijë lekë në muaj, ligji i ri nuk sjell asnjë ndryshim. Që nga maji i këtij viti, kjo pjesë e shoqërisë nuk i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat. Rreth 160 mijë shqiptarë që kanë paga nga 30 deri në 130 mijë lekë në muaj do të kenë reduktim të ngarkesës fiskale, ndërsa për një minorancë me të ardhura mbi 130 mijë lekë do të ketë rritje. Qeveria do të taksojë me 13 për qind pagat e fashës së dytë, por ky taksim do të rëndojë vetëm për shumën mbi 30 mijë lekë. Pra nëse dikush e ka pagën 50 mijë lekë, do të paguajë 13 për qind të 20 mijë lekëve. Për pagat mbi 120 mijë lekë, taksimi do të jetë 13 për qind për shumën nga 30 deri në 120 mijë dhe 23 për qind për shumën mbi 130 mijë lekë.
Ligji i ri do ta ruajë dallimin mes të ardhurave nga paga me të ardhurat nga burimet e tjera si qira, honorare, apo të ardhurat nga dividentët e kompanive. Zyrtarët që marrin të ardhura ekstra nga pozicionet nëpër borde të ndryshme kompanish publike, do të paguajnë për këto të ardhura 10 për qind tatim. Ky duket se është edhe defekti më i madh i skemës së re, pasi krijon hapësira të shumta për të shmangur tatimin nga njerëzit në fashën e lartë. P.sh., një biznesmen që ka një shtëpi nën pronësi, mundet ta deklarojë shtëpinë si të dhënë me qira për biznesin dhe për këtë të paguajë 10 për qind dhe jo 23 për qind. Pra fitimet e kompanive, të cilat teorikisht duhet të paguajnë 15 për qind tatimfitimi dhe 10 për qind tatim mbi dividentin, mund të deklarohen si të ardhura nga honoraret për pjesëmarrje në bord nga pronarët, apo pagesa për shërbime konsulence për familjarët e tyre. Qeveria pritet të humbasë nga skema e re e tatimit mbi të ardhurat rreth 15 milionë dollarë, të cilat do t’i përfitojnë shqiptarët me pagë nga 30 deri në 120 mijë lekë në muaj. Në një sistem fiskal normal do të duhej të zbatohej ligji në tërësi dhe të taksohej koncepti “e ardhur” dhe veçmas paga dhe veçmas të ardhurat e tjera. Për këtë, qeveria ka menduar të vijojë me skemën aktuale të deklarimit vullnetar të të ardhurave përmes faqes së internetit të tatimeve. Por nuk dihet nëse realisht do të ketë efekt konkret.
Tatimi mbi fitimin
Qeveria ka dy ndryshime ligjore të rëndësishme në lidhje me kompanitë. E para, tatimi mbi fitimin rritet nga 10 në 15 për qind. Duke marrë parasysh edhe përpjekjet për evazion fiskal të nxitura nga kjo rritje, Ministria e Financave parashikon të ardhura shtesë në buxhet prej minimalisht 70 milionë dollarëve. Ndryshimi i dytë, që është edhe më i rëndësishëm, është vendosja e një kuadri ligjor që synon të kontrollojë përpjekjet e kompanive për transferimin e fitimeve që realizojnë në Shqipëri parajsa fiskale nëpër botë. Ky ligj i dytë ka potencial të nxjerrë dhjetëra milionë dollarë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit, por këto të ardhura janë të pasigurta pasi administrata tatimore do të duhet ta zbatojë këtë ligj. Ato që bëjnë evazion fiskal të këtij lloji janë kompani multinacionale të cilat kanë pushtet të jashtëzakonshëm përballë inspektorëve të thjeshtë tatimorë dhe shpesh gëzojnë mbështetjen diplomatike të qeverive të vendeve të origjinës. Një ligj që ndalon praktika të tilla ka qenë në fuqi në Shqipëri që nga viti 1998, por administrata tatimore nuk ka guxuar kurrë ta zbatojë.
Naftë, duhan, birrë
Shqiptarët pritet të përballen me çmime më të larta të disa mallrave nga janari i vitit të ardhshëm. Cigaret pritet të shtrenjtohen me 20-30 lekë për paketë, ndërsa qeveria ka në plan të luftojë edhe duhanin artizanal që shitet i hapur dhe pa taksa, qoftë nga importi, qoftë prodhim vendës. Qeveria parashikon gjithashtu që akciza për duhanin të rritet me 10 lekë për paketë për vitin 2015 dhe 10 lekë të tjera më 2016. Rritja e akcizës së duhanit ka qenë gjithmonë një thikë me dy presa për qeverinë. Rritja e ardhshme ka gjasa që do ta bëjë më joshëse trafikun e cigareve nga Mali i Zi drejt Shqipërisë, për shkak se Mali i Zi e ka aktualisht akcizën 49 lekë për paketë, nga 90 lekë që pritet të bëhet në Shqipëri në janar. Në total çmimi i cigareve pritet të rritet me 10-15 për qind.
Konsumatorët do të paguajnë një çmim nafte apo benzine prej minimalisht 10 lekësh më të lartë nga ai aktuali. Natyrisht që efekti i kësaj takse nuk do të rëndojë vetëm te përdoruesit e makinave, por do të shtrihet si kosto shtesë për të gjitha mallrat dhe shërbimet. Në total qeveria do të mbledhë 56 milionë dollarë më shumë nga kjo taksë, e cila është taksë mbi konsumin dhe rrjedhimisht, rëndon mbi të gjithë shqiptarët, por poseduesit e makinave do të paguajnë më shumë se të tjerët.
Vera, birra e produktet e tjera alkoolike pritet gjithashtu të pësojnë rritje, por efekti final te konsumatori është i paqartë për shkak se ky segment tregu ka një dozë shumë të lartë evazioni fiskal.
Dyfishim takse banese
Qeveria ka në plan të autorizojë pushtetin vendor që të mbledhë 11 milionë dollarë më shumë se sa më parë nga dyfishimi i taksës aktuale mbi pronën, shtëpi apo ambiente tregtare. Kjo taksë do të rëndojë mbi të gjithë, por fakti mbetet që pushteti vendor është përballur me evazion shumë të lartë nga kjo taksë dhe shqiptarët e paguajnë atë vetëm kur u lind nevoja për të marrë një certifikatë lindjeje nëpër zyrat e gjendjes civile. Dhe për shkak të zëvendësimit të certifikatës me kartën e identitetit, nevojat e shqiptarëve për certifikata lindjeje janë pakësuar ndjeshëm, gjë që ka bërë edhe mbledhje më të paktë të kësaj takse.
Biznesi i vogël
Ministria e Financave ka në plan të abrogojë ligjin aktual të taksës mbi biznesin e vogël, për ta zëvendësuar me një formë “taksimi mbi fitimin”. Taksa e re do të rëndojë vetëm për bizneset që vlerësohet se kanë të ardhura nga 20 mijë deri në 80 mijë dollarë në vit, pra nuk do të taksohen mikrobizneset, por qeveria pret që të mbledhë në këtë mënyrë në total 11 milionë dollarë në të gjithë vendin. Efekti real mbi bizneset e vogla pritet të shikohet nga metoda e përdorur për zbatim. Për shkak se tatimet nuk kanë kapacitete për të matur realisht të ardhurat dhe fitimet e çdo kioske apo biznesi të vogël në Shqipëri, vlerësimet dhe taksat afrofe kanë qenë metoda e përdorur deri tani.
TVSH mbi ilaçet
Premtimi elektoral i qeverisë për të hequr Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për ilaçet dhe shërbimet mjekësore pritet t’i marrë qeverisë nga njëra anë 10 milionë dollarë dhe t’i japë nga ana tjetër 9 milionë dollarë. Shqiptarët do të përfitojnë ulje taksash reale prej 1 milion dollarësh. Kjo ndodh për shkak se blerësi më i madh i ilaçeve dhe shërbimeve mjekësore në vend është Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor e cila blen ilaçe në treg për t’ia dhënë përfituesve të skemës së sigurimit, përgjithësisht fëmijë dhe të moshuar.