Qeveria, marrëveshje me FMN-në për tri vitet e ardhshme


Shefi i misionit te FMN per Shqiperine Nadeem Ilahi dhe Ministri i Financave Shkelqim Cani


Qeveria shqiptare arrin një marrëveshje me FMN-në, e cila konsiston më së shumti dhe në marrjen e një huaje 300 milionë dollarë në vit. Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmoi arritjen e një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, Nadeem Ilahi u shpreh: “Kemi arritur një marrëveshje mbi një program trevjeçar. Asistenca jonë do të ndihmojë që të përcaktohet se ku do të përqendrohen reformat e ardhshme për zhvillimin ekonomik. Asistenca do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike. Në fokus do të jetë rritja ekonomike, krahas uljes së borxhit. Por kjo marrëveshje do të miratohet në fillim të vitit nga bordi i FMN-së në Uashington”. Ndërsa ministri Cani u shpreh se ekonomia shqiptare është nën potencialin e zhvillimit të saj. “Rritja ekonomike për vitin 2013 është diku tek 1,3%, ndërsa parashikimi për vitin e ardhshëm pritet një rritje prej 2%, që është përsëri shumë larg dëshirave tona. Përmirësimi i klimës së biznesit do të jetë bazë për rritjen ekonomike. Por, në një periudhë afatmesme, e rëndësishme është që të mos krijojmë detyrime të tjera shtesë. Qeveria është e zotuar që të shlyejë një pjesë të faturave, pasi borxhi ndaj biznesit është rreth 35 miliardë lekë”, u shpreh ministri. Ky i fundit është shprehur se përmirësimi i financave të shtetit mund të vijë nga shkurtimet, një metodë jo e pëlqyeshme ose nga zgjerimi i bazës së tatueshme. Në këtë kuadër, ministri i Financave foli për një sërë masash, duke nisur nga “masa për rritjen e pagesës së taksave dhe uljen e korrupsionit. Administrimi i doganave nga “Crown Agent” rrit efikasitetin dhe ul korrupsionin. Do të kryejmë kontrolle më të shpeshta për të ulur mundësinë e abuzimit me pagesat e TVSH-së, ndërsa FMN-ja do të ndihmojë me futjen e një sistemi të ri në tatime. Ndërkohë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, parashtroi disa nga sfidat më të mëdha që përballet ekonomia e vendit tonë, ndërsa vërtetoi se bisedimet me FMN-në kanë qenë të suksesshme. “Mbështetja financiare e FMN-së dhe BB-së sjell reduktim të huamarrjes në tregun e brendshëm dhe njëkohësisht, shmang tkurrjen dhe interesat e larta me të cilat Shqipëria do të përballej në tregjet e tjera financiare”, komentoi Fullani. I pranishëm dhe në këtë konferencë për shtyp, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, shtroi si nevojë emergjente dhe ndryshimin e modelit energjetik në vend. “Duhet të ndryshojmë modelin dhe të fokusohemi në uljen e mospagesave”, deklaroi Ahmetaj duke iu referuar kryesisht problematikave të kompanisë më të madhe të shpërndarjes së energjisë, CEZ. B. Spaho