Një skaner mbi faktorët dhe aktorët që rrënuan financat dhe ulën ritmet e ekonomisë shqiptare 


Prof.dr. Ermelinda Meksi*


(Pjesa e parë)


Aksion per bllokimin e lojrave te fatit (1) Në fundvitin 2013, në prag të debatit të buxhetit të 2014 dhe paketës së re fiskale, ekonomia jonë ndodhet përpara disa sfidave të vështira. Për të folur mbi to, do i referohesha vlerësimit që agjencia “Moody’s” bëri për Shqipërinë referuar vitit 2012, ku jep disa mesazhe me vlerë.


Këto mesazhe përfaqësojnë sfidat e vërteta për ekonominë shqiptare në të ardhmen ku do të theksoja tre prej tyre: 1. Niveli në rritje i borxhit publik 2. Ngadalësimi i rritjes ekonomike që pritet edhe gjatë viteve të ardhshme 3. Sfidat e rëndësishme fiskale. Këto janë mesazhe të përsëritura së fundi edhe nga ministri i Financave, FMN dhe BB, të cilët kapërcimin e kësaj situate nuk e shohin një detyrë afatshkurtër. Sipas tyre,rivendosja e ekuilibrave makroekonomikë (deficit buxhetor 3% të PBB-së dhe ulja e borxhit publik në maksimumi 60%) kërkojnë një program afatmesëm ku duhet të kontribuojnë të gjithë.


Aksion per bllokimin e lojrave te fatit (2)


Këto probleme, si dhe ekspertë të tjerë të ekonomisë i kam shtruar me forcë që me shfaqjen e krizës globale financiare dhe asaj në eurozonë në vitet 2008-2009. Edhe më vonë vazhdimisht veçanërisht në vitet elektorale kur ekonomia nuk është administruar nga logjika ekonomike, por politika e ditës, jam munduar të trajtoj risqet që i vinin ekonomisë nga cikli politik. Mosdëgjimi me kohë i këtyre mesazheve përbën problemin e ekonomisë sonë për adresimin në të ardhmen të sfidave të sipërpërmendura. Tashmë janë bërë më të vështira zgjidhjet e tri sfidave si: (1) rritja e PPB, (2) borxhi i lartë, (3) përkeqësimet fiskale, sepse ato janë të lidhura midis tyre.


Sipas ‘Moody’s’: “..përkeqësimi i ndjeshëm i performancës fiskale të qeverisë gjatë vitit të kaluar, është shfaqur me një nivel borxhi të lartë, madje më të lartë se vendet që vlerësohen si B1. Ishte kjo arsyeja qe agjencia “Standart&Poors”, duke parë performacën fiskale uli vlerësimin e Shqipërisë në vitin 2013 një shkallë më poshtë. Viti 2013 është karakterizuar nga deficit fiskal në rritje që u shoqërua si asnjëherë në 10 vitet e fundit me deficit fiskal korrent deri në gusht të 2013-s. Kjo do të thotë kur me të ardhurat nuk mbulohen shpenzimet korrente. Kështu, marrja borxh për këto shpenzime rriti në mënyrë kreshendo borxhin publik, duke vënë në rrezik shërbimin e tij dhe zhvillimin e vendit në kushtet e zvogëlimit të investimeve. Kjo situatë nuk ndodhi papritur, por erdhi si pasojë e filozofisë së ndjekur me financat publike veçanërisht në vitet elektorale, sfidë që mbetet për çdo qeveri.


Në këtë situatë, problemi është vështirësuar, sepse janë rritur detyrimet e prapambetura  ndaj biznesit dhe për pasojë ndërlikohet marrja e mëtejshme e  borxhit.


Prandaj buxheti i vitit 2014 me  konsulencën e plotë të FMN-së dhe BB-së duhet të synojë garantimin e rivendosjes së stabilitetit makroekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. Kjo së pari duke evituar euforinë e shifrave për arritje fiktive ekonomike dhe duke parë me realizëm këtë situatë të vështirë.


 


Ekonomia dhe viti elektoral


Situata e sotme e ekonomisë kërkon një analizë mbi impaktin që ka pasur mbi të faktori elektoral afatshkurtër dhe faktorët afatgjatë. Efekti i parë që u ndje në ekonominë tonë lidhet me impaktin e krizës globale financiare, e cila u reflektua në ekonominë tonë në fund të vitit 2008 dhe 2009, kohë në të cilën jam shprehur publikisht. Pa folur për efektin elektoral të 2013-s mendoj se situata aktuale ka shkaqe të hershme. Gjendja e ekonomisë ishte e njohur nga qeveria e mëparshme, e cila nuk reagoi në kohë. Për të vërtetuar këtë do përmend faktet e mëposhtme:


1. Në kuadrin makroekonomik fiskal 2013-2015, që u miratua nga  Ministria e Financave dhe qeveria në gusht të 2012 ishte parashikuar deficiti buxhetor për vitin 2013 me rreth 28 miliardë lekë, duke reflektuar kështu pozitivisht në kohë ndaj shqetësimeve të FMN dhe BB për borxhin publik. Gjithashtu, kjo qasje reflektonte shqetësimin e ish-ministrit të Financave, i cili në qershor të vitit 2012 deklaronte se ekonomia jonë ka hyrë në “Luginën e Ferrit”. Por ky dokument i qeverisë i miratuar në gusht u zhbë nga ajo në tetor-nëntor të vitit 2012, me miratimin e buxhetit të vitit elektoral 2013. Sipas këtij, buxheti deficiti buxhetor u projektua jo 28 miliardë sa qe parashikuar në gusht, por 49 miliardë lekë, duke rritur borxhin aq shumë sa u hoq me ligj tavani i tij. Ky fakt shpreh ndikimin e efektit elektoral që u shfaq dukshëm në ligjin e buxhetit dhe ligje të tjera.


2. Më vonë u adoptuan një sërë politikash elektorale të uljes së tatim-taksave që nuk ishin parashikuar më parë në buxhet, duke thelluar deficitin e parashikuar si pasojë e efektit negativ të tyre në të ardhurat buxhetore.


3. Në emër të privatizimit të 4 hidrocentraleve u thellua më tej deficiti nga 49 miliardë lekë ai arriti 60 miliardë lekë. Kjo rriti shpenzimet në vitin elektoral nga 409 miliardë lekë në 421 miliardë lekë. Kjo ndodhi megjithëse duke analizuar performancën e treguesve ekonomiko-fiskale, paralajmëroja më fort se të tjerë zonën e kuqe të rrezikut për ekonominë, kur edhe specialistë të tjerë të ekonomisë flisnin me shqetësim për ekonominë.


Po vërtetohej teza mbi ciklin politik të biznesit që karakterizohet nga: “tendenca për të destabilizuar ekonominë nga ulja e taksave dhe rritja e shpenzimeve qeveritare para zgjedhjeve dhe rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve pas zgjedhjeve” 


 


Përkeqësim i vetëdijshëm dhe i papërgjegjshëm


Situata aktuale ekonomike u projektua në mënyrë të plotë e të vetëdijshme  para 23 qershorit. Me sloganin  se: “me ne do ketë vetëm rritje pagash, pensionesh dhe investimesh“, ekonomia kombëtare u menaxhua pa përgjegjësi dhe logjikë ekonomike për interesa të politikës së ditës duke rrezikuar drejtimin pa orientim drejt kolapsit buxhetor dhe krizës së sektorit real. Dëshmi e qëndrimit të vetëdijshëm është hedhja në Gjykatën Kushtetuese e aktit normativ të buxhetit të 2013-s, kur ish-mazhoranca, pasi rriti borxhin sa më s’ka deri në gusht, kur deficiti arriti 54 miliardë lekë, akuzon qeverinë e re që e mbajti deficitin në tetor në po 54 miliardë lekë, për rritje borxhi, që rrezikon situatën makro-ekonomike.


Sa më sipër na mëson se: jo çdo luftë politike për pushtet është  progresive. Forcat politike janë progresive vetëm kur mbështeten në alternativa të reja dhe jo kush bërtet më shumë refrenin e vjetër.


 


Efektet e taksës së sheshtë


Vitet 2007 dhe 2008 u karakterizuan nga reforma fiskale, nga tatimi progresiv i përdorur deri në atë kohë u kalua në taksën e sheshtë, një model tjetër i njohur tasksimi. Konkretisht nga tatimi progresiv mbi të ardhurat personale me një ngarkesë mesatare 3-4% u kalua në taksën e sheshtë 10%, duke rritur të ardhurat e buxhetit. Pati edhe masa të tjera si ulja e tatim-fitimit në vitin 2008 dhe ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore në vitet 2006, 2007 dhe 2009. Të dhënat tregojnë se këto ndryshime dhanë efekte në 1. rritjen e investimeve të huaja direkte dhe  2. numrin e të siguruarve me rritje më të lartë që ishte e natyrshme.


Por në fakt, reforma e taksës së sheshtë, në vend që të sillte rritjen e të ardhurave, solli rritjen e madhe të borxhit publik me pasoja sot. Në këtë situatë natyrshëm lind pyetja: Cili është efekti i investimeve të huaja (që u nxitën nga taksa e sheshtë) në rritjen e propaganduar ekonomike, kur niveli i borxhit publik prej vitit 2008 deri më tani është rritur rreth 200 miliardë lekë?


Përgjigjja kërkon analizë të plotë ekonomike të shkaqeve dhe jo politike siç ndodh rëndom. Për ilustrim po ndalem në ndikimin e investimeve të huaja direkte nga privatizimet në ekonomi.


Me shitjen e 4 hidrocentraleve para zgjedhjeve të 2013, nga pikëpamja statistikore u rritën investimet e huaja direkte. Por privatizimi i tyre si proces nuk u shoqërua me rritje të prodhimit të energjisë elektrike, të punësimit apo të ardhurave, duke bërë thjesht tjetërsimin e pronës nga publike në private. Krejt ndryshe do të ishte efekti në ekonomi sikur investitori i huaj të ndërtonte hidrocentrale të reja, ku nga gjenerimi i sasisë shtesë të energjisë, do të kishim rritje të  prodhimit, punësimit dhe të të ardhurave në ekonomi.


Si përfundim: (1) Investimet e huaja si ai i sipërpërmendur nuk ndihmuan rritjen e ekonomisë, por rritjen e shpenzimeve para fushatës elektorale me paratë e privatizimit të tyre. (2) Duhet theksuar se privatizimi i 4 hidrocentraleve publike do të ketë pasoja negative në rritjen e çmimit të energjisë elektrike të prodhuar prej tyre. Sipas një vendimi të ERE blihej nga Furnizuesi Publik me Shumicë (pranë KESH), me një çmim për KW orë nga 2,2 lekë në 2,8 lekë, kur hidrocentralet ishin publike, tashmë si private ai e ble deri në 9,3 lekë.


Po kështu, megjithëse taksa e sheshtë rriti numrin e kontribuuesve të sigurimeve shoqërore, skema e sigurimeve ka falimentuar, ndërsa ajo mbi 50% financohet nga buxheti.


Analiza tregon se politika e ndjekur e taksave të ulëta, (taksa e sheshtë 10%) rriti borxhin publik në nivele alarmante. Kujtoj se taksa e sheshtë në fakt solli uljen e të ardhurave në vitin 2008, por në total të ardhurat buxhetore u rritën si pasojë e rritjes së çmimit të naftës së importit atë vit. Rritja e çmimit të naftës ndikoi në uljen e importit të tij në sasi duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Ky është rasti tipik kur mungesa e analizës shkencore kundrejt asaj mediokre politike i dha gabimisht kredite taksës së sheshtë si faktor i rritjes së të ardhurave dhe prodhimit.


Analiza e impaktit të taksës së sheshtë tregon se ndryshimi i sistemit të taksave nuk dha efekte në rritjen e PPB. Ky sistem taksor vetëm sfazoi rënien e ritmeve të ekonomisë, por nuk e frenoi rënien e saj. Nëse do ishte rritur ekonomia gjatë 2008-2013 pse nuk u rritën të ardhurat, por borxhi publik u rrit për këtë periudhë me 200 miliardë lekë? Kjo vërteton se rritja e pretenduar erdhi vetëm nga borxhi publik dhe jo nga rritja ekonomike e stimuluar nga taksa e sheshtë sipas mbështetësve të saj.


Si përfundim, sfida e ekonomisë sonë është rivitalizimi i ekonomisë. Kjo sfidë në afatshkurtër do të thotë frenim i rënies së të ardhurave dhe rritja, kryesisht miradministrimi, filozofi që shprehet në buxhetin e 2014 që do trajtohet në pjesën e dytë të shkrimit.