Ndarja e territorit: Harta e bashkive të reja përfundon në tetor të 2014-s

Neni 11

Afatet

a. Brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, prefektët krijojnë komitetet rajonale.

b. Brenda datës 10 prill 2014, komitetet rajonale miratojnë dhe dërgojnë pranë ministrit të Shtetit propozimet e hartës së re të ndarjes administrativo-territoriale për çdo qark.

c. Nëse nga komitetet nuk respektohet afati i mësipërm, prefektët brenda datës 15 prill 2014 miratojnë dhe dërgojnë pranë ministrit të Shtetit propozimet për çdo qark të hartës së re të ndarjes administrativo-territoriale.

d. NJQV-të që kanë ndërmarrë procesin vullnetar duhet që brenda datës 10 prill 2014 të dorëzojnë pranë ministrit të Shtetit propozimet përkatëse. Propozimet duhet të kenë kaluar procesin e konsultimit publik.

e. Ministri i Shtetit, bazuar në propozimet si më sipër për njësitë vendore të nivelit të parë dhe pas shqyrtimit të përputhshmërisë ligjore të tyre, i paraqet të gjitha propozimet, përfshirë hartën e re të ndarjes administrativo-territoriale, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale brenda datës 30 prill 2014.

f. Komisioni i Posaçëm shqyrton propozimet dhe i miraton ato në parim deri në datën 20 maj 2014.

g. Propozimet e miratuara nga Komisioni i Posaçëm konsultohen me komunitetet e zonave përkatëse deri më datë 30 korrik 2014.

h. Pas konsultimeve, ministri i Shtetit përgatit projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” me propozimin për hartën e re të ndarjes administrativo-territoriale dhe ia dërgon për miratim Këshillit të Ministrave brenda datës 15 shtator 2014. Projektligji për ndarjen e re administrativo-territoriale përfshin edhe propozimin për njësitë vendore të nivelit të dytë.

Fatjona Mejdini

Tirana skylineZbardhet drafti për kriteret që do të përdoren për ndarjen e re territoriale për riformatimin e njësive të qeverisjes vendore. Gazeta Shqip siguron në mënyrë ekskluzive projektligjin “Për

kriteret dhe metodologjinë që do të ndiqet për ndarjen e re administrativo-territoriale të Republikës së Shqipërisë”. Nisma paraprake e qeverisë do të diskutohet nga sot me grupet e interesit dhe në fund të muajit pritet të marrë miratimin përfundimtar nga Kuvendi.

Afatet

Qeveria kërkon që reforma e re territoriale të hyjë në fuqi brenda tetorit të vitit 2014, pra rreth 10 muaj nga fillimi i saj. Në këtë mënyrë, reforma i lë mundësinë edhe ndryshimeve të Kodit Zgjedhor që imponon, nisur nga fakti se në mesin e vitit 2015 pritet të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Ky fakt jepet në mënyrë të qartë në pikën 11 të draftit të qeverisë, ku jepen afatet e qarta përmes të cilave kjo reformë duhet të kalojë. 15 shtatori i vitit tjetër përcaktohet dhe si koha në të cilën kjo reformë do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe normalisht më pas do të kalojë në Parlament për miratimin e saj përfundimtar. “Pas konsultimeve, ministri i Shtetit përgatit projektligjin ‘Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë’, me propozimin për hartën e re të ndarjes administrativo-territoriale dhe ia dërgon për miratim Këshillit të Ministrave brenda datës 15 shtator 2014. Projektligji për ndarjen e re administrativo-territoriale përfshin edhe propozimin për njësitë vendore të nivelit të dytë”, theksohet në draftin e qeverisë. Ndërkaq aty theksohet se komisioni i posaçëm parlamentar shqyrton propozimet dhe i miraton ato në parim deri më datën 20 maj 2014. Më pas këto propozime të komisionit do të konsultohen me komunitetet e zonave përkatëse deri më datë 30 korrik 2014. Në draft është përcaktuar se brenda datës 10 prill 2014, komitetet rajonale miratojnë dhe dërgojnë pranë ministrit të Shtetit propozimet e hartës së re të ndarjes administrativo-territoriale për çdo qark, duke kaluar dhe fazën më të rëndësishme të procesit.

Strukturat

Në draftin e kritereve theksohet se brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, Kuvendi do të krijojë një komision të posaçëm parlamentar për reformën administrativo-territoriale, me bashkëkryesim të përfaqësuesit të mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Paralelisht me këtë proces, në 12 qarqet e vendit me urdhër të prefektit, krijohen komitetet rajonale të reformës administrativo-territoriale. Këto komitete do të drejtohen nga prefekti dhe do të përbëhen nga gjashtë anëtarë, përkatësisht nga tre kryetarë të këshillave të bashkive dhe komunave përfaqësues të mazhorancës parlamentare dhe tre të tjerë, përfaqësues të opozitës parlamentare. Komitetet rajonale do t’i propozojnë ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, dhe hartën e re të ndarjes administrativo-territoriale të nivelit të parë të qeverisjes vendore, brenda kufijve të qarkut përkatës. Ndërkaq ministri koordinon punën e të gjithë institucioneve publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe merr masat dhe nxjerr udhëzimet e nevojshme metodologjike për realizimin e procesit. Propozimet e ardhura nga 12 Komitetet rajonale, ministri ia paraqet për shqyrtim Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

Rrethet – Si parim udhëheqës, për grupet e punës është vendosur rimarrja në konsideratë e ndarjes së vjetër territoriale të Shqipërisë në 36 rrethe. Kjo ndarje ka ekzistuar para vitit 1990.

Situata – Ndarja aktuale administrativo-territoriale e njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri është përcaktuar me ligjin nr. 8653 të vitit 2000.

Njësitë – Aktualisht në vend janë 385 njësi të qeverisjes vendore. Ato janë ndarë në komuna dhe në bashki. Në total kemi 65 bashki, 308 komuna dhe 12 qarqe e 11 njësi bashkiake

Përjashtimi – Nga kriteret e vendosura në draftin e ri për ndarjen territoriale theksohet se do të ketë përjashtime për zonat e minoriteteve kombëtare, kjo për të bërë të mundur ruajtjen e tyre.

Kostot – Qeveria, me mbështetjen e donatorëve si qeveria suedeze, ajo zvicerane dhe italiane, USAID dhe PNUD sigurojnë financimin e nevojshëm dhe mbështetjen për kryerjen e kësaj reforme.

Suedia – Instituti suedez SKL, në vitin 2012, ka publikuar një studim ku rekomandohet që Shqipëria të mos ketë më shumë se 80 njësi të qeverisjes vendore.

SHKSH – Shoqata e Komunave të Shqipërisë ka rekomanduar në prill të këtij viti një ndarje të re administrativo-territoriale ku të ketë 160 komuna, nga 308 që janë aktualisht

KLSH – KLSH ka sugjeruar pas një auditi që bashkitë të riorganizohen me një minimum popullsie prej 15.000 banorësh, ndërsa komunat duhet të kenë një minimum prej 10.000

Plani – Reforma e re territoriale pritet të sjellë përgjysmim të njësive vendore të Shqipërisë, duke e çuar numrin e tyre në rreth 150. Kjo konsiderohet një masë drastike

Qëllimi – Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kritereve dhe metodologjisë për ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë, si dhe instrumentet dhe afatet

Konsultimet – Në relacionin që shoqëron projektligjin theksohet në mënyrë të qartë se çdo hap i këtij procesi duhet të kalojë me kompromisin e grupeve të interesit

Politika – Të gjitha komisionet e reformës pritet të përfshijnë dhe anëtarët e opozitës në vend. Deri tani, opozita nuk ka shprehur një vendim të qartë në lidhje me këtë çështje

 

Njohja e qeverisë

Fonde plus për komunat që bashkohen vullnetarisht

Draft ligj kriteret_metodologjia_ndarja_administrative-1Është interesant fakti që përveç pesë kritereve që do të ndiqen për ndarjen, qeveria ka parashikuar dhe stimulime të veçanta financiare për ato njësi të qeverisjes vendore, të cilat bashkohen në mënyrë vullnetare me njëra-tjetrën. Një bonus buxhetor i rëndësishëm pritet të jepet për investime për ato njësi të cilat do të marrin iniciativën ta kryejnë vetë këtë proces. Ashtu si dhe Shqip kishte paralajmëruar, ndarja e re territoriale do të niset mbi bazën e 36 qendrave të ish-rretheve shqiptare dhe më pas do të bëhen ndarjet e tre njësive, duke mos lejuar më krijimin e një njësie vendore me më pak se 10 mijë banorë. Në draftin e qeverisë theksohet se procesi vullnetar i ndarjes administativo-territoriale do të shoqërohet me bonuse financiare për të gjitha ato njësi vendore që e realizojnë. Në nenin 8 të draftit theksohet se njësia e re vendore e krijuar si rezultat i procesit vullnetar, përfiton për katër vitet një bonus investimi nga buxheti i shtetit, në masën 10 për qind e buxhetit vjetor të secilës njësi që përfshihet në propozimin vullnetar. Kjo masë është përcaktuar për të bërë të mundur shtimin e atyre njësive vendore që do ta kryejnë këtë proces mbi baza vullnetare pa pritur, që vendimi për bashkimin të kaloj përmes komisioneve të posaçme dhe pastaj Parlamentit.

 

5 kriteret e ndarjes territoriale

Kriteri I – Kriteri i parë lidhet me qenien e njësisë si zonë funksionale më vete. Ajo duhet të jetë një qendër me shërbime të pavarura.

Kriteri II – Kriteri i dytë lidhet me distancën e qendrës së NJQV me territorin. Kjo distancë nuk duhet të pengojë shërbimet.

Kriteri III – Kriteri i tretë lidhet me parimin e vazhdimësisë territoriale, në mënyrë që ai të jetë i vazhdueshëm dhe jo të krijojë “ishuj”

Kriteri IV – Kriteri i katërt lidhet me numrin e popullsisë. Njësitë duhet të kenë një popullsi mesatarisht mbi 30.000 deri në 10.000 banorë.

Kriteri V – Kriteri i fundit lidhet me historinë dhe traditat e zonës. Synohet që njësia e propozuar të ketë dhe kohezion social.

Votat – Ligji i ndarjes territoriale kërkon një shumicë të madhe votash në Kuvend, atë të 93 deputetëve, pra të dy të tretave të Parlamentit

 

Autor te 19 Dhjetor 2013. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry