Analizë mbi sfidat e buxhetit në 2014-n
Prof. dr. Ermelinda Meksi
(Pjesa e dytë)
Rritja ekonomike dhe performanca fiskale
Nga studimi i buxhetit të vitit 2014, gjykoj se ai është ambicioz dhe parashikon një rritje shumë të madhe të të ardhurave, duke arritur nivelin e rreth 364 miliardë lekëve. Kjo rritje me mbi 42 miliardë lekë kundrejt 2013-s është arritur vetën në vitin 2008. Por analizat tregojnë se rritja atëherë i dedikohej jo pak rritjes së çmimit të naftës dhe drithërave në atë vit. Në këto kushte ky nivel të ardhurash për 2014-n mund të arrihet vetëm me metoda jo të zakonshme apo thjesht me disiplinë të fortë buxhetore, por me një aksion kompleks me shumë përgjegjësi e profesionalizëm në disa drejtime.
Ndërsa të ardhurat buxhetore në periudhën 2010-2013 janë karakterizuar nga stanjacioni dhe rënia në termat realë, buxheti i 2014 duhet të realizojë me prioritet frenimin e rënies së tyre, duke orientuar rritjen e lartë të të ardhurave buxhetore.
Sipas relacionit që shoqëron buxhetin, realizimi i të ardhurave në vitin 2014, do të bazohet në tri drejtime kryesore: 1. rritje ekonomike reale në 2014 prej 2%, 2. paketën e re fiskale në vitin 2014; 3. miradministrimin në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore.
Rritja e të ardhurave nga rritja ekonomike
Duhet theksuar se parashikimi i rritjes reale 2%, kundrejt 1,3% në 2013, në konsultim dhe i mbështetur nga FMN dhe BB synon të garantojë rivendosjen e stabilitetit makroekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë. Për të siguruar rritjen ekonomike, ministri i Financave në konferencën për shtyp të 17 dhjetorit përmendi masat që vijojnë: 1. përmirësimin e klimës së biznesit. (2) shlyerjen e një pjese të faturave të papaguara rreth 35 miliardë lekë, duke filluar nga janari i 2014-s. Ky është borxhi për punë e shërbime publike të kryera nga biznesi për qeverinë, si dhe për shlyerje të detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit për TVSH apo fitim të parapaguar, por të pashlyer në vitet e shkuara. Ky veprim do të rriste besimin e biznesit dhe do të përmirësonte gjendjen e likuiditetit në sektorin privat për të nxitur aktivitetin e biznesit privat dhe për të ulur nivelin e kredive të këqija në banka. 3. strategji e plotë dhe transparente, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financës, mbi pagesën e detyrimeve të prapambetura, për të monitoruar kontratat publike, që të shmangen pagesë-vonesat në të ardhmen.
Këto masa, krahas paketës së re fiskale dhe përmirësimit të miradministrimit në mbledhjen e të ardhurave, shoqërojnë parashikimin për një shtesë në të ardhurat nga tatimet e doganat në 2014-n me 42 miliardë lekë. Këtu kujtoj se në terma nominalë, shtesa e PPB është vetëm 48 miliardë lekë. Por në kushtet kur disa sektorë të ekonomisë si bujqësia apo rritja e shpejtë e eksporteve ndikojnë në rritjen e PBB, por nuk ndikojnë ose ndikojnë pak në rritjen e të ardhurave buxhetore, është e qartë se ky faktor nuk mbetet përcaktues. Nga ana tjetër, kjo rritje e PBB është parashikuar jo duke u mbështetur në rritjen e faktorëve të tillë si teknologjia, dija, reformat strukturore, por nga shtimi i borxhit, investimet e larta publike prej 64 miliardë lekësh.
Prandaj rritja e të ardhurve buxhetore mbështetet në dy faktorët e tjerë, paketën e re fiskale në vitin 2014 dhe miradministrimin në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore.
Paketa e re fiskale në vitin 2014 rrit të ardhurat buxhetore
Kjo paketë ka aspekte të dyfishta, nga njëra anë reflekton premtimin elektoral, duke kaluar nga tatimi i sheshtë, në atë progresiv, nga ana tjetër ajo gjeneron rreth gjysmën e shtesës së të ardhurave buxhetore ose rreth 18,5 miliardë lekë shtesë të ardhura. Megjithëse njihet teorikisht efekti negativ i rritjes së tatim-taksave në rritjen ekonomike (PPB), në kushtet kur për zgjidhjen e problemeve të ekonomisë shqiptare po japin ndihmesën e vet aktorët ndërkombëtarë si FMN, BB dhe BE nëpërmjet financimeve nga IPA, është e natyrshme që edhe të gjithë aktorët e brendshëm: qeveria, biznesi si dhe individët të marrin përgjegjësitë e tyre për frenimin e përkeqësimit të treguesve fiskalë dhe makroekonomikë e sidomos për rivitalizimin e ekonomisë. Sipas kësaj pakete, barra fiskale synon të shpërndahet midis bizneseve 12,5 miliardë lekë dhe individëve me rreth 6 miliardë lekë.
1. Nga zbatimi i tatimit progresiv të të ardhurave sipas llogaritjeve të prezantuara, përfitojnë 97% e punonjësve të tatueshëm dhe vetëm 3% e tyre paguajnë më shumë, duke sjellë në buxhet një efekt negativ minus 1.5 miliardë lekë. Ndërkaq nga rritja e taksës gjenerohet një e ardhur shtesë në buxhet rreth 7,5 miliardë lekë, ose një barrë gjithsej rreth 6 miliardë lekë, e cila do të paguhet nga individët. Efektet konkrete në buxhet janë: nga taksa e qarkullimit, 5,5 miliardë; taksat për shtëpinë, godinave për biznes, 1,1 miliardë lekë; heqjes së tavanit të sigurimeve shëndetësore, 0,9 miliard lekë.
2. Kurse rritja e taksave që do të paguajnë bizneset do të sjellë një rritje të të ardhurave në buxhet me rreth 14,5 miliardë lekë. Konkretisht efektet nga rritja e tatimfitimit nga 10 në 15%, në bizneset me mbi 8 milionë xhiro, 7 miliardë lekë; përjashtimet e tatim-taksave të sektorit të hidrokarbureve, rreth 4 miliardë lekë, rritja e akcizës për duhanin rreth 3.5 miliardë lekë. Ndërkohë shfuqizimi i taksës biznesit të vogël, me qarkullim vjetor deri në 8 milionë lekë do të pakësojë të ardhurat e pushtetit vendor rreth 2 miliardë lekë në vit. Pra barra fiskale që do të paguajnë gjithsej bizneset do të jetë rreth 12,5 miliardë lekë.
Këto rritje të ardhurash në buxhetin e 2014-s do të mundësojnë, pa zvogëluar investimet, më shumë mbështetje sociale për shtresat në nevojë, kompensime për politika të reja, lidhur me reduktimin e TVSH-së për energjinë, për shportën e ushqimeve, etj., si dhe përjashtimin e TVSH barnave dhe shërbimeve shëndetësore, që do të sjellë një ulje më shumë se 10% të çmimeve të barnave, më pak kontribut për sigurime shëndetësore për të punësuarit etj.
Të ardhura nga miradministrimi në mbledhjen e të ardhurave tatimore dhe doganore
Një vëmendje të veçantë, buxheti i vitit 2014 i kushton këtij faktori, i cili, së bashku me rritjen ekonomike do të gjenerojnë më shumë se gjysmën e shtesës prej 40 miliardë lekësh, që buxheti siguron nga zëri tatime dhe dogana. Miradministrimi nëpërmjet zgjerimit të bazës së të ardhurave dhe rritjes së konkurrencës, kërkon masa të forta për mbledhjen e taksave duke zvogëluar korrupsionin, mbasi për mbarëvajtjen e biznesit është shumë e rëndësishme barazia në mbledhjen e taksave. Por miradministrimi, sipas përvojave të vendeve të tjera dhe ato të vendit tonë, nuk arrihet menjëherë, kur kemi nivelin më lartë të informalitetit në ekonomi dhe një nga treguesit më të ulët të efikasitetit të taksave në rajon. Prandaj sfidë mbetet rritja e eficencës së administratës së tatimeve dhe doganave, nëpërmjet informalizimit të tyre dhe masave të tjera. Ulja e informalitetit do të përmirësojë konkurrencën e do të rrisë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas duke nxitur më tej biznesin dhe ekonominë dhe duke rritur të ardhurat buxhetore.
Buxheti 2014 dhe FMN
Në tre drejtimet e sipërpërmendura, buxheti i 2014 ka marrë mbështetjen e FMN-së, duke theksuar veçanërisht mbështetjen financiare të FMN dhe BB, për shlyerjen e pagesave të prapambetura biznesit për rreth 35 miliardë lekë.
Marrëveshja me FMN ofron garanci financiare për marrjen e huave me terma të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke forcuar besimin e investitorëve të brendshëm e të huaj. Sipas përfaqësuesit të FMN: “Ajo do të ndihmojë në fokusimin në reformat e ardhshme për zhvillimin ekonomik, për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike. Në fokus do të jetë rritja ekonomike, krahas uljes së borxhit”.
Megjithëse buxheti i 2014-s nuk parashikon deficit primar sikurse ndodhi gjatë vitit 2013, ulja e borxhit mbetet sfida ekonomike e së ardhmes. Shpenzimet buxhetore nuk janë shkurtuar, përkundrazi investimet janë më të larta se viti 2012, me rreth 66 miliardë lekë dhe skema e sigurimeve shoqërore vazhdon me shpejtësi të rrisë deficitin. Në kushtet ku rreth gjysmën e shpenzimeve për to e paguan buxheti i shtetit, përmirësimi i kësaj skeme mbetet sfidë e reformës në të ardhmen.
Politika stimuluese monetare e BSH është një mbështetje tjetër për rritjen e investimeve dhe rritjes ekonomike, pasi ulja e normës bazë të interesit në dy muajt e fundit do të stimulojë interesin e biznesit për kredi më të lirë, si dhe do të ulë koston e borxhit, megjithëse ai rritet edhe në buxhetin e 2014-s.
Masa të mëtejshme për rritjen e të ardhurave
Së pari, mendoj se duhet adresuar pa humbur kohë problemi i abuzimit me të drejtën e koncesioneve, i ngritur nga biznesi, problem që sjell rritjen e kostos së tij. Kjo nuk përjashton, por presupozon maturinë përkatëse.
Së dyti, rritja e mëtejshme konkurrueshmërisë, nëpërmjet kushteve për funksionimin e konkurrencës do të rriste të ardhurat buxhetore, veçanërisht në sektorët sensitivë, ku dhe abuzimet janë më të mëdha. Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar prej vitesh ndarjen e furnizuesit publik me shumicë nga gjenerimi i energjisë elektrike, të cilat janë sot dy struktura në varësi të KESH, pra rritjen e konkurrencës në prodhimin e importimin e energjisë elektrike. Kjo masë, nëse merret nga qeveria, do të çonte në rritje të të ardhurave fiskale dhe do të rriste rentabilitetin e KESH dhe moskryerjen e investimeve jorentabël.
Së treti, ka ardhur koha për evidenca statistikore të sakta dhe në kohë që t’i shërbejnë rivitalizimit të ekonomisë. P.sh. sado e thjeshtë të duket publikimi i 100 produkteve kryesore të eksport – importit nga INSTAT për të pasur pamjen reale të ekonomisë, (që a mund të realizohet pothuajse vetëm me një klikim), ajo mund të shërbejë për adresimin e zgjidhjen e problemeve të ndryshme dhe vëmendjen me politika stimuluese për sektorët që sjellin të ardhura. Kjo do shmangte situatën aktuale kur rriten eksportet por jo të ardhurat buxhetore. Ose duke publikuar se sa ka qenë vlera e zhdoganimit të karburanteve në maj 2008, kur u rrit çmimi i biletave të transportit urban dhe abonentëve dhe sa është sot, e më pas dhe të çmimit me pakicë të tyre për efekt të ndryshimit të politikës fiskale, që kushdo të shohë se sa e bazuar është kërkesa e sindikatave të transportit urban për dyfishimin e çmimit të biletave të transportit urban dhe abonentëve.
Së katërti, problemi i borxheve prej 440 milionë dollarësh i OSSH, duhet të ndiqet me kujdes, duke i kërkuar ERE-s të publikojë nivelin e arkëtimeve dhe humbjeve për këtë institucion çdo muaj. Po kjo duhet ndjekur njësoj nga ERU për ujësjellësit. Publikimi mujor i humbjeve dhe arkëtimeve të energjisë elektrike, jo vetëm në tërësi por dhe sipas qarqeve, rretheve, biznesit, familjarëve dhe rritjes së borxhit të OSSH-CEZ, do të ndihmonte për përshpejtimin dhe ndërmarrjen e reformave adekuate në sektorin e energjisë elektrike
Së pesti, për të zvogëluar informalitetin, Instituti i Sigurimeve Shoqërore duhet të botojë të dhënat për sigurimet shoqërore në fshat, konkretisht numrin e të punësuarve dhe të atyre që paguajnë sigurime shoqërore, që të mos kemi shifra si ajo e vitit 2012, ku nga 522 mijë të punësuar, vetëm 168 mijë ishin të siguruar në vitin 2012. Kjo do sillte rritjen e të ardhurave nga ky institucion, por dhe adresimin e duhur të referimit të pensioneve, jo duke rritur moshën por duke lidhur masën e përfitimit të tij me kontributin e dhënë.
Ndërhyrjet komplekse fiskale në buxhetin e 2014 duhet të studiohen për të njohur e kuptuar sa më mirë efektet që të gjejnë mbështetje, në mënyrë që zbatimi i tyre në praktikë të realizojë parashikimet në buxhetin e 2014-s. Pas një periudhe të ngërçit fiskal, rënies së fortë të kreditimit, rritjes së borxhit dhe problemeve të likuiditetit në sistem, plani i veprimit në konsultim me FMN por edhe faktorët e interesit, sidomos biznesin, duhet të sigurojnë një mjedis atraktiv për investime, sidomos ato direkte. Kohezioni social parim i BE-së do të thotë më shumë përgjegjësi sociale, që ekonomia të lehtësohet nga rritja e të ardhurave që gjeneron një tatim më i drejtë.
Me angazhimin për taksën progresive, qeveria e dalë nga koalicioni i së majtës, merr mbi vete koston politike të premtimit me të cilin erdhi në pushtet. Prandaj ajo duhet të garantojë suksesin e premtimit jo si qëllim në vetvete, por si një instrument që i gërshetuar me të tjerë instrumente që u shpjeguan në këtë shkrim, të orientojë ekonominë në rrugën e rritjes së qëndrueshme.