Replikon Bode: Po rrokullisni ekonominë, s’do të ketë investime


Blerina Spaho


cani komision ekonomieMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, ka deklaruar dje në Komisionin e Ekonomisë se të ardhurat për vitin 2014 do të rriten me 40 miliardë lekë. “Nga përmirësimi administrativ shohim rritje të të ardhurave në këtë paketë, prej 40 miliardë lekësh, aq sa është mesatarja e rritjes së të ardhurave nga tatimet dhe doganat në 10 vitet e fundit”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.


Buxheti 2014


Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh se buxheti i 2014-s nuk do të bëjë mrekulli, por do të shoqërohet me një disiplinë fiskale dhe buxhetore, përgjegjshmëri, si dhe transparencë. “Ky buxhet ka rritje prej 14.5% kundrejt atij të 2013-s. Rivendosja e ekuilibrave makroekonomikë, si sjellja e deficitit buxhetor në kufirin e 3% të PBB-së dhe ulja e borxhit publik në maksimumi 60% kërkojnë një program afatmesëm për të cilin të gjithë do të duhet të kontribuojnë”, tha ministri Cani. Por menjëherë pas ministrit, ka replikuar Ridvan Bode, i cili ka deklaruar se kjo qeveri fundos ekonominë e vendit. “Po rrokullisni ekonominë, keni rritur taksat dhe keni ulur investimet. Ku do e gjeni rritjen ekonomike?”, u shpreh Bode, i cili është përplasur disa herë verbalisht me ministrin aktual të Financave, Shkëlqim Cani. Ky i fundit ka akuzuar drejtpërdrejt Boden duke iu drejtuar: Duhet të kërkoni falje, pasi keni shkaktuar tërmet në ekonominë e vendit. “Ky buxhet shquhet për realizëm, për vërtetësi, për ndarje të përgjegjësive dhe një seri politikash të reja, që do të sjellin shpejt (6-mujorin e dytë) optimizëm, gjallëri, rritje dhe zhvillim ekonomik”, tha Cani.


Sipas tij, për vitin 2014 parashikohet një rritje reale ekonomike prej 2.1%, ndërsa nominale rreth 3%. Borxhi publik parashikohet në 74.8% të PBB-së”, tha Cani. Sipas tij, ky do të jetë dhe kufiri i stabilizimit nga ku do të nisë dhe ulja e borxhit. Po kështu, Cani është shprehur se pritet kontributi i të gjithëve për të ulur deficitin buxhetor në nivelin 3 për qind, uljen e borxhit në masën 60 për qind, si dhe rivendosjen e ekuilibrave makroekonomikë. “Vetëm borxhi i fshehur që qeveria i ka biznesit është rreth 5 për qind e PBB-së. Do të nisim shlyerjen e këtyre detyrimeve. Po kështu, financat publike do të ndeshen me një sërë masash të reja shtrënguese dhe monitoruese për të mos lejuar përsëritjen e fenomenit të krijimit të detyrimeve të reja të papaguara në kohë”, deklaroi Cani. “Viti 2014 do të jetë fillimi i rrokullisjes së shpejtë, sepse këtu në këtë buxhet qeveria nuk reflekton asnjë model zhvillimi”, tha Bode. Ky i fundit ka arsyetuar se do të jetë biznesi i cili do të paguajë 7 miliardë lekë më shumë në të njëjtat rrethana dhe kjo do të bëjë që të pakësohet kapaciteti i tij për të investuar. “Hiqet mundësia që rreth 15 mijë aspirantë për t’u punësuar të marrin përgjigje negative për shkak të taksave të larta, investime të huaja direkte nuk do të ketë sepse shihen premisat, pasi keni rritur dhe 45 për qind tatimin mbi fitimin. Si do jetë kjo rritje?”, replikoi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili akuzoi qeverinë se nuk ka një plan zhvillimi dhe se vetëm synon të mbledhë të gjithë të ardhurat e qytetarëve dhe biznesit. Por sekretari i këtij komisioni, Anastas Angjeli, u shpreh se këto lekë që shkojnë në buxhet do t’u kthehen njerëzve në politika më të mira.


 


 


Boks aperture


 


Koçi: Të hetohen koncesionet me abuzim në miliona


Ndërkohë, deputeti i PS-së, Ervin Koçi, i ka kërkuar ministrit Cani që të nisin hetimet për kontratën e kredisë të marrë për rrugën e Kombit me interes 15 për qind, krejtësisht abuzive në krahasim me normën e tregut bankar nuk ka qenë asokohe më shumë se 10%. “Kërkoj publikisht të shikohen tre koncesione, ai i  pullave të akcizës, me dëm 15 milionë euro në vit, koncesioni i skanimit të automjeteve në dogana me dëm ekonomik 15 milionë euro dhe ngjyrosja e karburantit me dëm ekonomik 15 milionë euro. Janë tri koncesione që dëmtojnë rëndë interesin publik dhe nëse kërkohet të ngrihet komision hetimor që të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto koncesione duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë administrative dhe penale”, tha deputeti Koçi.