MF po harton strategjinë e pagesës, ngrihet komisioni ndërministror
Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit do të bëhet nga qeveria nëpërmjet një komiteti ndërministror, i cili do të ketë në dorë vendimmarrjen, si dhe do të bëjë një raport mujor për të gjitha kontratat. Qeveria e ka pranuar tashmë se borxhet që shteti ka ndaj bizneseve për punët e papaguara apo për detyrimet tatimore është i lartë. Për këtë qëllim, financat kanë ndjekur një proces intensiv të evidentimit, vlerësimit dhe auditimit të tyre. Kompania Deloitte për këtë arsye ka përpiluar raportin për detyrimet e prapambetura të buxhetit të shtetit ndaj biznesit privat vendas dhe të huaj për punime e shërbime publike, të cilat kapin vlerën 24.6 miliardë lekë. Sipas këtij raporti, rreth 65% të këtij detyrimi apo në vlerën rreth 16 miliardë lekë, buxheti i shtetit i detyrohet projekteve të infrastrukturës, 17% të tij e ka ndaj kompanive të farmaceutikës dhe pajisjeve mjekësore, 8.42% ndaj ndërtimit të shkollave. Ndërkohë që, deri tani nga administrata tatimore është evidentuar dhe kontrolluar një detyrim në masën 22.8 miliardë lekë për zërat që kërkojnë rimbursim të TVSH-së, si dhe tatim-fitimit. Deri në këto nivele, këto detyrime janë bërë pjesë e këtij buxheti, duke u përcaktuar edhe burimi i financimit të tyre. Ndërkohë, Ministria e Financave është duke përfunduar strategjinë e pagesës së këtyre detyrimeve, proces i cili jo vetëm do të auditohet, certifikohet nga ministritë e linjës, por do të auditohet mbi bazë risku edhe nga një kompani audituese me eksperiencë ndërkombëtare, e cila do të rekrutohet me një proces të hapur tenderimi. Vendimmarrja, si dhe raportimi mujor mbi kontratat që do të paguhen, do të jetë kompetencë e një komiteti ndërministror, i cili do të mbikëqyrë të gjithë procesin. Kontrolli i Lartë i Shtetit është më se i mirëpritur në këtë proces kaq të rëndësishëm për buxhetin dhe ekonominë shqiptare. Borxhet e pashlyera nga shteti ndaj biznesit vendas dhe të huaj kanë qenë qendra e përplasjeve të herëpashershme mes 2 kaheve politike. Pozita e sotshme akuzon atë të djeshmen se i ka lënë shtetit shqiptar një barrë të madhe huaje të pashlyer, e cila mban dhe ekonominë në stanjacion. Për këtë arsye, Ministria e Financave pas konsultimit me misionin e FMN-së, si dhe ekspertëve të Bankës Botërore është rënë dakord dhënia e një huaje 300 milionë euro qeverisë shqiptare, një pjesë e së cilës do të shkojë pikërisht për shlyerjen e këtij borxhi. B. Spaho