Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka deklaruar dje, se rritja e taksës së qarkullimit mbi karburantet nuk do të ketë ndikim në buxhetet e familjeve shqiptare veçanërisht në konsumin mujor të karburantit apo ndikim në rritjen e çmimit të ushqimeve bazë. “Sipas përllogaritjeve, taksa për karburantin shkon në 2 për qind të shpenzimeve sikur të marrë një përdorim të plotë nga një familje, kostoja shtesë është vetëm 100 lekë në muaj, për këtë bëhet e gjithë ‘furtuna’”, është shprehur ministri Cani. Ndërkohë, ky i fundit ka sqaruar se karburanti për subjektet prodhuese kompensohet 100 për qind nga shteti. “Duhet thënë se vetëm tre për qind e furrave të bukës përdorin karburant, por dhe ato kompensohen 100 për qind nga shteti. E gjithë industria prodhuese rimbursohet në këtë masë nga shteti”, theksoi ministri. Sipas tij, taksa e qarkullimit në të gjithë Europën trajtohet si taksë ambienti, që të ulet konsumi i karburantit. “Kjo, pasi mendohet se mbrohet më mirë ambienti, mbrohet shëndeti i popullsisë. Duhet parë se ku shkon kjo taksë. Çdo drejtues makine që paguan një taksë a kërkon rrugë më të mira, sinjalistikë më të mirë, riparime në rrugë? Janë parashikuar miliarda lekë për ndërtim, përfundim rrugësh, riparim apo sinjalistikë. Numri i vdekjeve në rrugë është shumë i lartë dhe për shkak të sinjalistikës së munguar. Dikush duhet të paguajë që të arrijmë në nivelet e standardeve europiane për rrugët”, ka deklaruar kreu i Financave shqiptare, Shkëlqim Cani.