Extra Kuriozitete Melitta Rogner: “Më duket se në jetën time të mëparshme, kam qenë...

Melitta Rogner: “Më duket se në jetën time të mëparshme, kam qenë shqiptare”

567
3
SHPËRNDAJE

zjrognerRudina Hoxha

Melitta Rogner, bashkëshortja e biznesmenit austriak, Robert Rogner, që ka ndërtuar Rogner Hotel Tirana në qendër të Tiranës dhe që është i pranishëm në Shqipëri me investimet e tij prej rreth 20 vitesh, gjendet këto ditë në Tiranë. Është fat, ta takosh.

Në fakt, unë munda ta takoj në ambientet e Rogner Hotel Tirana në një moment ideal: ajo sapo ndahej duke e përqafuar fort vajzën që e kishte shpëtuar nga një sëmundje e rëndë falë bamirësisë së saj. Ishte pikërisht zj. Rogner që mbuloi shërbimet mjekësore për të në Austri. Nëse atëherë qante për fatkeqësinë e kësaj vajze, sot ajo buzëqesh për jetën e saj të mirë.

“Nëpërmjet kësaj vajze, është forcuar akoma dhe më shumë edhe lidhja ime dhe e bashkëshortit tim me Shqipërinë”, thotë zj. Rogner, e cila në 1997 pati rastin të takonte Nënë Terezën në qytetin e Romës.

Gruaja bamirëse austriake ka një lidhje të veçantë me Shqipërinë. Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri së bashku me bashkëshortin, ishte viti 1992. “Sapo e pamë këtë vend, si unë ashtu edhe burri im u dashuruam me shikim të parë. Dhe vendosëm të bënim diçka për të”, rrëfen zj. Rogner në këtë intervistë ekskluzive:

 

Çfarë është bamirësia për ju, zj. Rogner?

Gjëja më e bukur për mua është të ndihmoj njerëzit. Një gjë e tillë më jep një kënaqësi shumë të madhe.

 

A ka bamirësia një histori në familjen tuaj?

Është traditë nga familja. Im shoq vjen nga një familje shumë e varfër. Gjatë gjithë kohës ai dëshiron t’i ndihmojë njerëzit në nevojë.

 

Ju jeni aktive në Shqipëri me aktivitetin e bamirësisë sidomos ndaj fëmijëve shqiptarë. A mund të na thoni se si lindi ideja juaj e bamirësisë kundrejt fëmijëve të Fshatit SOS?

Fshati SOS është ndërtuar nga ne. Përveç kësaj, ne i kemi falur edhe një nga godinat këtij Fshati. Në të gjitha vendet ku ne kemi ndërtuar hotele si në Rusi, Poloni e të tjera, ne kemi lënë mbrapa edhe trashëgiminë e bamirësisë.

Kemi qenë në shumë vende, por Shqipërinë e duam më shumë. Nuk e di, është diçka që të tërheq te shqiptarët. Ata janë shumë të dashur, komunikues, pak afër në natyra me austriakët. Austria dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta si për shembull të dyja fillojnë me germën “A” dhe të dy vendet kanë shqiponjën si pjesë të emblemës së tyre kombëtare. Përveç atyre që thamë, mendoj se janë njerëzit që janë të veçantë këtu. Shpesh kam përshtypjen se në jetën time të mëparshme, kam qenë shqiptare.

 

Ju keni ndërtuar edhe një shtëpi për fëmijët jetimë në Elbasan. Cila është historia e saj?

Po, këtë shtëpi e kemi ndërtuar ne dhe atë e menaxhojnë motrat e Nënë Terezës. Kam pasur një respekt të veçantë për Nënë Terezën sepse rastësisht kam të njëjtën ditëlindje me të (26 gusht). Madje kam pasur edhe fatin e madh ta takoj në Romë në vitin 1997. Duhej të ndërtohej një shtëpi e re për disa fëmijë jetimë në Elbasan. Biseduam me Bashkinë e Elbasanit e cila na dha një tokë dhe unë e bleva atë për këta fëmijë. Kjo tokë kushtoi diku tek 30,000-35,000 euro. Gjithashtu në Austri, mblodha ndihma nga bizneset për këtë projekt. Të gjithë këta fëmijë që ishin aty ishin jetimë ose me probleme të ndryshme. Ata vinin nga zonat përreth Elbasanit.

 

Bashkëpunimi juaj shkon edhe përtej kësaj shtëpie për jetimët, apo jo?

Po, unë bashkëpunoj edhe me Shoqatën e Urdhrit të Maltezëve që është më e pranishme në Veriun e Shqipërisë. Kam mbledhur fonde për ta nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme në Austri dhe ia kam dërguar kësaj Shoqate që e ka qendrën në qytetin e Shkodrës.

 

Kur i keni filluar përpjekjet e bamirësisë në Shqipëri?

Që në vitin 1992. Gjërat e mëdha kanë ardhur më vonë por edhe në fillim fare, ne nisëm të shikonim iniciativat tona të bamirësisë në Shqipëri me përparësi. Ne kemi dhuruar bamirësi në shumë vende të Lindjes por Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën time dhe të burrit tim. Parimi i tij ka qenë gjithmonë që të dhurojë diçka përveç parave që fiton.

 

Si ka ndryshuar Shqipëria nga optika juaj? Që nga viti 1992 dhe deri në këto ditë që ju gjendeni sërish në Shqipëri?

Ndryshimi është i jashtëzakonshëm. Kur kemi ardhur këtu për herë të parë, kemi parë vetëm 2-3 makina në qarkullim. Aeroporti ishte shumë i vogël dhe mund të shihje edhe lopë në pistën e tij. Megjithatë ishte natyra e këtij vendi dhe ajo e njerëzve të saj që e bënë burrin tim dhe mua të dashuroheshim me këtë vend me shikim të parë. Të dy ramë dakord të bënim diçka për këtë vend.

 

Çfarë ju “goditi” kaq shumë?

Ishin njerëzit që na pëlqyen shumë. Po ashtu edhe natyra.

 

A mund të ndani me ne ndonjë episod mbresëlënës me shqiptarët?

Kam kaq shumë kujtime sa e kam të vështirë të përzgjedh. Vetëm mbrëmë shkuam në një nga restorantet në malin e Dajtit sepse më kishte bërë përshtypje bukuria e vendit. Dhe ishte një mrekulli. Po ashtu, edhe Durrësi më ka pëlqyer shumë. Pra, ngado që shikoj, më pëlqen.

 

Nuk e di, nëse e dini por në të njëjtën kohë, burri im, z. Robert Rogner është edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Austri, në zonën e Karinthias. Ai ka ndihmuar edhe shumë shqiptarë që jetojnë në këtë zonë.

Mendoj se Shqipëria ka shumë kulturë dhe ai është shumë i bukur. Ka edhe shumë austriakë që nuk kanë një imazh të drejtë për Shqipërinë. Unë ju demonstroj atyre fotografitë që kam bërë në Apoloni apo Butrint apo edhe në zona të tjera të Shqipërisë dhe ato mahniten. Më vjen shumë inat kur ata kanë një imazh të gabuar për Shqipërinë.

 

Keni albume me foto nga Shqipëria?

Po, kam albume me foto nga Butrinti, Apolonia, Kruja, Gjirokastra por edhe foto nga plazhet tuaja të bukura.

 

E paskeni vizituar të gjithë vendin tonë?

Kam vizituar shumë nga Shqipëria por jo të gjithën. Në fillim, kemi parë nga helikopteri të gjithë zonën nga Vermoshi në Konispol. Në qytetin e Pukës kam shkuar sepse aty kam ndihmuar Motrat e Nënë Terezës me ndihma të ndryshme.

 

Ju sapo mbaruat një takim me një vajzë, shërimin e së cilës e keni financuar pikërisht ju. Si ishte ky takim?

Po, kjo vajzë vuante nga leucemia. Ne i morëm përsipër të gjitha pagesat që i nevojiteshin spitalit. Ishte ambasadori austriak i asaj kohe, z. Florian Rauning, i cili së bashku me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, bënë të mundur transportimin e saj në Austri brenda një kohe shumë të shkurtër. Ajo kishte vetëm një javë jetë. Më kujtohet mjaft mirë kur e sollën me karrocë me rrota, shumë të dobësuar dhe të lodhur. Më erdhi për të qarë. Por edhe sot më erdhi për të qarë nga gëzimi kur e pashë që ishte shumë më mirë dhe e shëruar. Qëndroi atje një vit dhe kreu të gjitha analizat e nevojshme dhe mori kohën e duhur për t’u shëruar. Jemi shumë ë lumtur që ajo është mirë tani. Nëpërmjet kësaj vajze, është forcuar edhe lidhja ime dhe e bashkëshortit tim me Shqipërinë.

 

Zj. Rogner, a keni një mesazh për shqiptarët në këtë fundvit?

Gjëja që më mërzit gjithmonë është imazhi i gabuar që të tjerët kanë për Shqipërinë. Dhe për ta ndryshuar këtë imazh, edhe qeveria shqiptare ka shumë në dorë. Prandaj mesazhi im do të ishte më shumë punë për ta ndryshuar këtë imazh të padrejtë.

  • Leo

    Faleminderit për të gjitha zj.Rogner !

  • Ardi

    Respekte per zonjen e nderuar Rogner.I urojme shendet familjes te saj,e ti shtohen sa me shume kontaktet me njerzit e thjeshte por besembajtes te keij populli.

  • ALPET SHQIPTARE-FR

    Duke falenderuar,Zonjen per ate çfare ka bere per shqiptare dhe Shqiperine,i propozoj t’i vizitoje edhe shqiptaret jashte Shqiperise;te Kosoves,Malit te Zi,Maqedonise dhe te Greqise! Qofsh me shendet,Zonje!