Opinion Prova e mjaftuar, për të pamerituarit

Prova e mjaftuar, për të pamerituarit

37
1
SHPËRNDAJE

cipa protesteAleksandër Çipa

E lehtë të lëvizin njerëz në qeverinë e Kryeministrit Rama. Por më e lehtë është të ndryshosh disa emërime të bëra në krye të 100 ditëve të qeverisjes që u vetëpagëzua “Qeveri e Rilindjes”. Kjo mundësi është paralajmëruar prej vetë Kryeministrit Rama në prag të mbylljes së tremujorit të qeverisjes. Diçka e tillë s’ka qenë e lehtë në qeverisjet pararendëse. Një gjë e tillë ka qenë pothuajse krejtësisht e penguar në qeverisjen e zotit Berisha, ku ministrat e tij mbetën në shumicë të pandryshuar në dy mandatet e qeverisjes. Ndërsa në raportet me aleatët në qeverisje, nuk u ndërhy kurrë dhe nevoja për moscenim të koalicionit ngrihej mbi nevojën për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të institucioneve. Natyrisht 100 ditët e para të qeverisë Rama janë ditë që nuk kanë pasur akt rilindjeje, por vetëm një brendi instalimesh njerëzore, të kryera në rrethana të një problematike mirëkuptimi mes dy aleatëve në qeverisje. Në këtë plan, kostoja e grumbulluar si pakënaqësi “ndër të vetët” për këto emërime, ende nuk është verifikuar se sa dhe deri ku mund të shkojë apo të rezultojë si e tillë brenda PS-së.

Por ajo çka tejkalon instalimin e deritanishëm në qeverisje është premisa e mbarë e frymës dhe betejës antikorrupsion. Një nisje me bujë dhe natyrisht me sfida të hapura. Janë nisje të bujshme proceset para drejtësisë për disa ish-titullarë të lartë dhe qeverisës vendorë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, abuzim me detyrën, shpërdorim të fondeve dhe keqpërdorim të buxheteve publike, shpërfillje të procedurave tenderuese dhe shumë krime mbi mjedisin dhe praktikat e urbanizimit. Të gjitha janë një dosje lëvduese për përpjekjen e qeverisë për të rikthyer edhe një herë ndërgjegjen e mposhtur nga antiligji në këtë vend. Kjo sipërmarrje natyrisht duhet konsideruar ende në fillesë. Pasi përdorimi i saj dhe i aktorëve të deritanishëm, thjesht për një fushatë për të fituar ose propagandën ose imazhin e përkohshëm për një betejë rilindëse, do të sjellë një pasojë shumë herë më të rëndë se vetë gjendja e deritanishme e kënetëzimit të shtetit dhe ligjzbatimit.

Por kjo nisje është e dënuar të mos lihet në mes të rrugës, për shumë arsye. Në vijimin e saj, pashmangshmërisht do të përfshihen penalitete të shumta dhe sidomos aktorë të tjerë të rëndësishëm, të cilët kurrë nuk e kanë menduar se puna dhe bëmat e tyre do të revizionohen jo më në mënyrë informale, por në procese dhe praktika formale ligjore. Disa prej aktorëve dhe protagonistëve të jetës politike dhe publike të viteve të shkuara, tashmë sipas shumë gjasave, kanë për të qenë aktorë të proceseve ballafaquese me gjykimin e gjykatave dhe akuzave ligjore. Kësaj nisme bëhet mirë t’i hiqet konteksti i 100-ditëshit. Sepse, nëse e vendosim atë në epiqendër të lëvdimit qeverisës, atëherë gjasat janë që vlera e procesit të keqinterpretohet si vlerë fushate dhe bëmë politizuese, siç edhe ka ndodhur në kohët e afërta me qeverisje paraardhëse.

Në këto 100 ditë, qeveria Rama pretendoi auditimin e trashëgimisë institucionale dhe faktike të paraardhësve dhe në një pikëpamje ia ka dalë të mposhtë propagandën dhe pretendimin e tyre për një gjendje financiare dhe ekonomike shumë më ndryshe nga realiteti faktit. Me këtë betejë 100-ditëshe, qeveria Rama ia ka dalë, falë edhe mbështetjes mediatike, të krijojë perceptimin e drejtë publik për një gropë që “mbulohej gjatë nga gjelbërimi propagandistik i ish-kryeministrit Berisha”. Deklarimet e FMN-së dhe disa institucioneve të huaja, kanë bërë të mundur që në marrëdhëniet mes opozitës së re dhe qeverisësve të rinj të pranohet pa antagonizëm realiteti i një krize dhe një grope financiare njëkohësisht.

Por, në këto 100 ditë, ende nuk është arritur diçka në skenën politike të vendit. Mes dy palëve dhe në të dyja palët, ende nuk kanë zënë vendet e duhura dhe nuk kanë lënë vendet e duhura aktorët kryesorë. Tek opozita, procesi i brendshëm reformues nuk ka nisur dhe nuk ka gjasa të burojë mbi parime dhe praktika të parapara nga statuti i vetë forcës kryesore, PD-së. Si në gjithë jetën e mëparshme politike, edhe te PD-ja e kryesuar zyrtarisht nga zoti Basha, po vijohet shpërfillja e tekstit faktit statutor, pra, afatet, koha dhe e drejta e respektimit të afateve kohore të forumeve dhe institucioneve partiake. Ndërsa përballë një PD-je me proces të penguar reformues, qeverisja duket se ka nevojë për një paketë tjetër 100-ditore për të instaluar përpjekjen e gjithështrirë për lindjen e ndërgjegjes antikorrupsion në përmasa dhe dimensione gjithëvendore. Për ta nisur këtë instalim nevojitet një selektim më i mirë individësh në nivele të qeverisjes, në krye të institucioneve dhe një baraskontroll në të dyja copat e bashkuara të qeverisësve majtistë. Kjo nuk mund të arrihet me një betejë të ricikluar politike me KLD, prokurorinë apo gjyqësorin, por me një paketë ligjore që tejkalon ndrojtjen prej pasojës politike, duke fituar kohën për rezultatin me anë të legalitetit që të jep shumica e cilësuar në Parlament. Për t’u arritur kjo, Kryeministri Rama duhet të kapërcejë defektin e vet në raport me kastën e munguar të juristëve pranë vetes. Në 100 ditët e para të qeverisjes “Rama”, opozita nuk është në cilësinë dhe vendin e duhur të opozitarizmit, por edhe te vetë qeveria ka mjaftuar prova për disa të pamerituar.

  • sinan hibro

    Analize calamane dhe hermafrodite …te cilen e ben edhe me te cale stili … Nga nje analize politike , e kuptuar si mesazh per lexuesin dhe jo per ndonje tjeter, une kerkoj konkretesi dhe thjeshtesi….. Tjeter nder shume te tjera : ” ….kryeministri Rama duhet te kaperceje defektin e vet …. kasten e munguar te juristeve prane vetes …” Si mund te hidhen ” qesim” konkluzione te tilla, qe per t` argumentuar apo vertetuar do te kerkonin disa analiza shumefjaleshe…!