LEONARD BODURI
Për fat të mirë, pas shumë vitesh pa interes mbi politikat fiskale dhe miratimin e tyre automatik me anë të robotizimit të kartonëve të parlamentarëve të bindur, debati për sistemin fiskal dhe buxhetin shtetëror po merr më në fund vëmendjen e duhur publike. Pasi sheshet janë mbushur kryesisht vetëm me mitingje të organizuara nga partitë politike, më në fund shqiptarët po bëhen praktikë dhe po protestojnë për politikat fiskale. Bazuar në pikëpamjen mekaniciste (të aplikuara në vendet demokratike) qeveria është thjesht një “mjet” që duhet të kënaqë vendimet e shumicës së qytetarëve dhe pritshmëritë e tyre dhe nuk mund të përbëjë asnjëherë një qëllim në vetvete. Në këtë këndvështrim, qeveritë duhet t’u përmbahen premtimeve elektorale që kanë shpalosur me zë të lartë gjatë fushatave elektorale. Një nga premtimet më të lakuara në fushatën e fundit nga koalicioni që rezultoi fitues ishte vendosja e taksës progresive, të cilën kryeministri nuk ka mundur ta argumentojë dot ndryshe, përveçse me përsëritjen e sloganit populist: “kush fiton më shumë, paguan më shumë dhe kush fiton më pak, paguan më pak”. Kori i oborrit qeveritar, edhe se në mes tyre ka specialistë të fushës, nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka mbajtur ison kryeministrit, duke përsëritur fjalë për fjalë gjëegjëzën e tij fiskale. Gjithashtu, një tjetër premtim i madh ka qenë zhdukja e klientelizmit dhe diferencimeve në trajtimin fiskal, duke i dhënë fund njëherë e mirë padrejtësive dhe korrupsionit galopant në dogana dhe në tatime. Rilindja, premtonte z. Rama në komunikimet e zakonshme në Twitter, do t’i jepte fund dhe do të zhbënte bandat e “xhandarmërisë tatimore” që po shkatërronin me gjoba abuzive çdo shitës e biznes dhe do të zhvillonte një sistem të drejtë që nuk do t’i binte më qafë askujt. Mirëpo pushteti të prish dhe natyrisht ngrohja e kolltukëve të pushtetit shoqërohet me “humbje të pjesshme” të kujtesës. Ne shquhemi historikisht për kolltukofagë të suksesshëm dhe kjo nuk përbën lajm për askënd.
Së pari, qeveria e re, pasi i është përkushtuar tërësisht jetës së salloneve dhe shfaqjes sa më bukur në televizione nuk besoj të ketë harruar kaq shpejt sulmet e saj të drejta gjatë kohës që ishte në opozitë mbi menaxhimin e financave shtetërore. Fatkeqësisht në programin e saj nuk mund të veçojmë asnjë objektiv sasior lidhur me reduktimin e evazionit fiskal, i cili, sipas burimeve të Bankës Botërore, vlerësohet në normën 35 për qind dhe sipas DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit) vlerësohet në masën 50 për qind. I kemi parë shpeshherë rilindësit të protestojnë për padrejtësitë e aplikuara nga mazhoranca e djeshme në vjeljen e tatimeve, për diferencimin klientelist në trajtimin e bizneseve si dhe për korrupsionin e lartë në sektorët e doganave dhe tatimeve. Në këtë drejtim, qeveria e re nuk po sjell asnjë reformë të qenësishme dhe asnjë strategji të besueshme për të reduktuar shkallën e informalitetit në vend. Nga ana tjetër, me paqartësitë dhe hapësirat e lëna në formatin e ri për taksimin e të ardhurave nga burime të ndryshme ka inkurajuar fort manipulimin e të dhënave fiskale dhe fshehjen e të ardhurave si nga individët ashtu edhe nga bizneset. Strategjia e ndjekur deri më tani për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike, duke ia “ngopur “faturat e papaguara nga konsumatorët abuzivë atyre që paguajnë rregullisht, siç duket ka frymëzuar qeverinë e re në hartimin e paketës fiskale. Nëse marrim të mirëqena burimet e të dhënave të BB dhe DASH, të cilat e vlerësojnë informalitetin në masën 35-50 për qind, në rast të reduktimit të informalitetit, jo vetëm që nuk do të ishte e nevojshme të rriteshin detyrimet fiskale për të reduktuar deficitin buxhetor, por do të kishte hapësira për lehtësim të barrës fiskale. Sipas paketës së re: barrën e atyre që fitojnë më shumë dhe deklarojnë më pak ose nuk deklarojnë fare do ta paguajnë ata që deklarojnë atë që fitojnë realisht, duke paguar më shumë. Nga ana tjetër, në planin strategjik, me anë të rritjes së barrës fiskale në një kohë kur ekonomia nuk po kalon kohët më të lumtura e bën më pak tërheqës vendin tonë për thithjen e investimeve të huaja në krahasim me rajonin.
Mirëpo qeveria po propagandon fuqishëm se nuk po e kuptojmë hiç mirë formën e paketës së re fiskale, sepse ajo ka ruajtur parimin e taksimit progresiv dhe solidar, si dhe ajo që publiku dhe dhomat e bizneseve e quajnë rritje të barrës fiskale është në fakt ulje. Goditja tërësisht e paarsyeshme që i bëhet pagave të larta të personave, që pa ekzagjerim mund të konsiderohen truri i vendit me një normë deri në 23 për qind, e hedh menjëherë poshtë parimin e progresivitetit si dhe aspiratën e qeverisë së re për të thithur talentet shqiptare apo përpjekjet e saj “titanike” për të realizuar këtë objektiv. Kjo është ftesa më e fortë për largim që mund t’i bëhet profesionistëve të këtij vendi, si dhe pengesa më e madhe e zhvillimit të inovacionit në fusha të ndryshme. A mund të argumentojë dot ndonjë nga pjesëtarët e kabinetit qeveritar se përse një biznes që mund të ketë një rentabilitet të lartë dhe shifra fitimi të llogaritura në miliona euro duhet të paguajë vetëm 15 për qind të të ardhurave të realizuara ose 8 për qind më pak se një rrogëtar i mirëpaguar? Kush fiton më shumë, aksioneri që paguan për dividentin e tërhequr vetëm 10 për qind të shumës apo rrogëtari i cili shfrytëzon drejtpërdrejt kohën dhe aftësitë e tij personale dhe tatohet 23 për qind? Me anë të kësaj pakete fiskale, për fat të keq mbrohet fort mediokriteti dhe dekurajohet zhvillimi në karrierë. Për sa më sipër, është qartësisht e vërtetuar se me anë të këtij diferencimi në taksim, qeveria nuk e ka mbajtur aspak premtimin për zbatimin e parimit të progresivitetit. Gjithashtu, ajo nuk i ka konsultuar fare marrjet e vendimeve fiskale me grupet e interesit dhe as nuk është munduar as të argumentojë dhe as të bindë, duke treguar shenja të forta autoritarizmi në marrjen e vendimeve.
Së fundmi, të frymëzuar mbase edhe nga suksesi i papritur i Sazan Gurit në protestën kundër armëve kimike, ka edhe ministra të PS-së dhe LSI-së që kanë hedhur në tavolinën e diskutimeve edhe teorinë e rritjes së taksës së qarkullimit për të ndalur ngrohjen globale. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, z. Haxhinasto, jo vetëm që ka kritikuar sjelljen e qytetarëve shqiptarë që “edhe bukën e blejnë me makinë” (e cituar fjalë për fjalë), por ka shprehur qëndrimin e tij të palëkundur për mbrojtjen e planetit nga ngrohja globale, duke barazuar dëmin që shkaktojnë shqiptarët me anë të makinave private me dëmin e shkaktuar nga industria e rëndë. I ndodhur para kësaj situate të paqartë për publikun, kryeministri së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe ministrin e Mjedisit ka organizuar një takim me qytetarët për të dhënë shpjegime për paketën fiskale. Mund të mirëpriten argumentimet e qeveritarëve në lidhje me rritjen e akcizës për duhanin dhe alkoolin, duke qenë se ndikojnë si në përkeqësimin e shëndetit të qytetarëve, ashtu dhe në rritjen e kostove publike, por argumentimi se një mall i fortë (term ekonomik) si karburantet nuk ndikon në rritjen e çmimeve të mallrave të tjerë sipas një efekti zinxhir, është i papranueshëm. Nëse do ta pranonim këtë argumentim si të vërtetë, duhet të ftonim më parë të gjithë autorët klasikë dhe modernë të ekonomiksit të hidhnin në kosh librat e tyre. Si mund të pretendojë qeveria se me anë të paketës fiskale përfitojnë 97 për qind e qytetarëve, kur nga rritja e taksave mbi mallrat specialë vuajnë 100 për qind e tyre? A mos duhet që shqiptarët të lënë edhe konsumimin e kafesë dhe të hidhen te konsumimi i çajit për të reduktuar shpenzimet e tyre dhe për t’ia dalë të paguajnë faturat deri në fund të muajit? Mbase qeveritarët nuk i kanë bërë mirë hesapet dhe janë nxituar në propozimet e tyre për paketën fiskale.
Nuk është e nevojshme të pohojmë se paratë në duart e privatëve janë shumë herë më produktive se në duart e qeveritarëve, pasi kjo tezë vërtetohet kollaj vetëm nga cilësia e veshjeve dhe makinave private të emrave kryesorë të politikës. Nëse qeveria dëshiron të rritë të ardhurat buxhetore, le të bëhet më efektive në mbledhjen e tatimeve dhe taksave. Në fund të fundit, për këtë punë e marrin edhe rrogën, përveç parave që i “fitojnë me djersë” gjatë ushtrimit të detyrave shtetërore. Qeveritarët e rinj, edhe pse kanë marrë një mbështetje të fortë popullore në zgjedhjet e fundit, duhet të mos harrojnë se janë thjesht një mjet që duhet të pasqyrojë interesat publike dhe duhet të udhëhiqen vetëm nga interesat e shumicës së qytetarëve. Adam Smith, në librin “Pasuria e kombeve”, thotë se detyra parësore e një qeverie është që të mbrojë qytetarët e saj nga dhuna dhe nga padrejtësia, por ai nuk mund të parashikonte rolin e një qeverie që ka një axhendë jopërfaqësuese të elektoratit të saj. Nëse qeveria nuk ka çfarë t’i bëjë gomarit (evazionit fiskal) të mos ia nxjerrë më kot inatin samarit (rritjes së normës së taksave), por të përpiqet të përdorë instrumentet e duhura për të arritur qëllimet e saj. Vetëm pasi të ketë bërë mjaftueshëm në planin e reduktimit të informalitetit, atëherë qeveria ka të gjithë të drejtën e Zotit të kërkojë rritjen e barrës tatimore. Nëse nuk mundet që ta realizojë një gjë të tillë, atëherë le t’ia lërë vendin një mjeti (qeverie) tjetër më të mirë për qytetarët shqiptarë…