Aktualitet Vodhi mbi 150 mijë USD nga pesë llogari, në gjyq drejtori i...

Vodhi mbi 150 mijë USD nga pesë llogari, në gjyq drejtori i bankës

1044
0
SHPËRNDAJE

Dosja

Prokuroria mbyll hetimet për tre punonjës banke

gjykataDrejtori i një filiali banke në Tiranë është dërguar në gjykatë, pasi akuzohet për vjedhjen e mbi 150 mijë dollarëve nga pesë llogari të ndryshme bankare. Madje, pothuajse gjysmën e këtyre parave i ka vjedhur nga llogaria bankare e bashkëshortes dhe vajzës së biznesmenit, Ilir Trebicka. Ngjarja zë fill rreth tre vite më parë, ndërkohë që bashkë me drejtorin e bankës, prokuroria ka përfunduar hetimet edhe për dy vartëse të tij. Sipas të dhënave, nga hetimet e kryera ka rezultuar se për paratë e vjedhura, përgjegjës është Genci Markollari, ndërkohë që punonjëset kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke abuzuar me detyrën.

Rasti i parë

Nga hetimet e kryera rezulton se Genci Markollari ka qenë me detyrë drejtor i degës së një banke në Rinas. Gjatë ushtrimit të detyrës, ai ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash në llogaritë e disa klientëve të kësaj banke. Gjithashtu, Entela Jovani, me detyrë specialiste pranë kësaj banke, gjatë ushtrimit të detyrës ka përdorur paratë nga llogaritë e klientëve, si dhe ka falsifikuar dokumente. Sipas dosjes penale, në llogarinë e klientes Vjollca Trebicka, e cila rezulton se është bashkëshortja e biznesmenit Ilir Trebicka, është përvetësuar shuma 7 milionë lekë më datë 2 dhjetor 2010. Në mandatin e tërheqjes për këtë kliente është bërë shënimi në gjuhen angleze “Conform by phone” (konfirmuar nga telefoni). Por, kjo shumë ka rezultuar se nuk është tërhequr nga klientja, si dhe ajo nuk ka urdhëruar nëpërmjet telefonit se do të tërhiqte paratë. I pyetur në lidhje me këtë fakt të parashtruar në kallëzim, Genci Markollari ka pranuar se ka përvetësuar shumën e sipërcituar në llogarinë e kësaj klienteje. Ai ka shpjeguar se ka urdhëruar njërën prej punonjësve të bankës të ekzekutojë veprimin e tërheqjes, duke i shpjeguar se ka folur në telefon me klienten për kryerjen e këtij veprimi, si dhe ka bërë shënimin në mandat konfirmuar nga telefoni. Gjithashtu, ai ka deklaruar se për të mbuluar këtë veprim të tij, ka kryer disa veprime në sistem derdhjeje dhe tërheqjeje fiktive me qëllim që veprimi të mos zbulohej. Veprimet i ka kryer vetë në sistem dhe dokumentet ua ka dhënë t’i plotësonin punonjëset e bankës. E pyetur në lidhje me veprimet e sipërcituara të kryera në sistem nga arkëtarja, Elvana Cani ka shpjeguar se veprimet me Vjollca Trebickën i kryente vetë Markollari. Ajo vetëm pasqyronte në mirëbesim veprimin në sistem, pasi Genci i jepte dokumentin e firmosur nga klientja. Madje, kjo është vërtetuar edhe nga verifikimi i firmave përkatëse në dokumentet e sekuestruara në bankë.

Rasti i dytë

Por, ai nuk ka ndaluar me kaq, pasi ka vjedhur edhe vajzën e biznesmenit. Sipas prokurorisë, në llogarinë e klientes Emira Trebicka është përvetësuar shuma 2 milionë e 880 mijë lekë. Kjo shumë është tërhequr nga Genci Markollari më datat 04 qershor 2012, 13 qershor 2012 dhe 28 qershor 2012. Në mandatet e tërheqjes gjendet një nënshkrim i klientes, i cili dyshohet të jetë i falsifikuar. Edhe në lidhje me këtë fakt, Genci Markollari ka shpjeguar se ka falsifikuar mandatet e tërheqjes dhe ka përvetësuar shumat e parave sipas mandateve përkatëse.

Rasti i tretë

Ndërkaq, nga hetimi ka rezultuar se ka pasur edhe një rast të tretë. Në llogarinë e klientes Donika Topçiu është përvetësuar shuma 5 mijë euro dhe 3 milionë e 500 mijë lekë. Shuma 5 mijë euro është pranuar të jetë përvetësuar nga Genci Markollari, ndërsa shuma tjetër është marrë me qëllim për t’u përdorur nga Entela Jovani, e cila rezulton se ia ka kthyer klientes këtë shumë pas kallëzimit të kryer nga banka. Sipas prokurorisë, Genci Markollari ka përvetësuar 5 mijë euro nga llogaria e klientes Donika Topçiu. Pasi ka kryer veprimin e kundërligjshëm, ai ka urdhëruar njërën nga arkëtaret të plotësonte dokumentin e debitit meqë veprimi ishte kryer nga ana e tij. Plotësimi i dokumentit për debitimin e kësaj shume është bërë nga arkëtarja Elvana Cani, e cila pavarësisht nga fakti që nuk ka pasur dijeni për vjedhjen e kësaj shume nga Genci Markollari, ka plotësuar mandatin pa qenë klientja e pranishme, duke pasqyruar në dokumentin të dhëna të pavërteta.

Rasti i katërt

Për klientin Besim Murati, nga hetimi ka rezultuar se paratë e vendosura në llogaritë e tij janë përdorur nga Entela Jovani. Klienti, në mars të vitit 2011 ka kërkuar vendosjen e shumës 60 mijë euro në depozitë. Depozita është krijuar dhe më pas është fshirë në sistem dhe shuma e parave është tërhequr në datat 16, 21 dhe 23 mars të vitit 2011 nga 20 mijë euro. Nga hetimi është vërtetuar se këto shuma janë marrë nga Entela Jovani. Ajo ka deklaruar se ka pasur marrëveshje verbale me klientin (jo shumë të qartë për klientin) që t’i përdorte këto shuma, duke i dhënë klientit një shumë më të lartë interesi. Por, me qëllim që klienti të ishte i sigurt, ajo nuk i ka treguar se paratë do t’i përdorte jashtë bankës. Për këtë arsye, në llogarinë e klientit janë bërë herë pas here veprime fiktive. Edhe pse veprimet janë fiktive, në dokumentin që tregonte tërheqjen e parave, klienti ka nënshkruar në mirëbesim nga ana e tij.

Rasti i pestë

5- Në llogarinë e klientit Vlash Bushpepa është përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma 600 mijë lekë. Klienti ka deklaruar se ka vendosur në depozitë me afat që prej datës 27 janar 2010 shumën e lartpërmendur. Ai ka shpjeguar se ka ardhur nga Italia në fund të muajit korrik të vitit 2011 dhe pas disa ditësh ka shkuar në bankë për të tërhequr vetëm interesat e depozitës. Fillimisht nga punonjësit e bankës i është dhënë një shumë e vogël interesi, për të cilin ai nuk ka qenë dakord. Pas disa ditësh, punonjësit e bankës e kanë thirrur përsëri dhe i kanë dhënë një pjesë tjetër të interesave, duke i shpjeguar se kishin bërë një gabim, të cilin e kanë korrigjuar. Ai ka deklaruar se në bankë i kanë dhënë gjithashtu një dokument që tregonte rinovimin e depozitës në shumën 600 mijë lekë dhe ai është larguar. Ky person ka deklaruar se ka firmosur disa dokumente në bankë në momentin e tërheqjes së interesave, por nuk ka qenë i vëmendshëm për shkak se besonte në korrektësinë e punonjësve të bankës. Në muajin dhjetor të vitit 2012 ai ka shkuar të tërheqë shumën e depozitës të vendosur në bankë, por ka mësuar se nuk ishte në llogarinë e tij. Nga këqyrja e llogarisë së këtij klienti, si dhe nga këqyrja e dokumentacionit që justifikon kryerjen e veprimeve në llogarinë përkatëse rezulton se në datë 27 korrik 2011 është prishur depozita e klientit dhe po në të njëjtën datë është tërhequr nga llogaria e këtij klienti shuma 646 mijë lekë. Ky veprim i kryer në llogarinë e këtij klienti, jo vetëm që nuk pranohet nga Vlash Bushpepa, por nga këqyrja e sistemit “TIMS” rezulton se ai nuk ka qenë në Shqipëri. Nga hetimi rezulton se vjedhja e parave nga llogaritë e klientit është bërë nga Genci Markollari. Në këtë datë në bankë kanë qenë në punë ai dhe arkëtarja Elvana Cani.

Akuzat e prokurorisë

Nga sa më sipër ka rezultuar se Genci Markollari, me veprimet e tij të kundërligjshme ka konsumuar elementet e veprës penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, të kryer disa herë dhe “falsifikim të dokumenteve të kryera nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”. Shtetësia nën hetim Entela Jovani ka konsumuar elementet e veprës penale “falsifikim të dokumenteve të kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit dhe në bashkëpunim”. Gjithashtu edhe shtetasja nën hetim Elvana Cani ka konsumuar elementët e veprës penale “falsifikim të dokumenteve, të kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit dhe më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”. “Nga ana subjektive, veprat penale nga i pandehuri Genci Markollari janë kryer me qëllim përfitimin e paligjshëm material. Kurse nga e pandehura Entela Jovani, veprimet janë kryer me qëllim përdorimin e shumave të parave të vendosura në llogaritë e klientëve. Ndërsa Elvana Cani i ka kryer veprimet, nën ndikimin e të pandehurit Genci Markollari. Red. Akt.