Dosja “Gjika”


GJYKATA E LARTË  


Akuza – Këto protesta dëmtojnë zhvillimin normal të procesit dhe nuk mund të mënjanohen me mënyra të tjera, përveçse duke u transferuar në një gjykatë tjetër


Gjika – Aktiviteti i datës 09.11.2013, ka qenë paqësor dhe protestuesit nuk kanë krijuar incidente apo rrethana të tilla, që mund të konsiderohen si rrezik për sigurinë publike


Gjykata – Krijohet bindja se situata lokale e pretenduar dhe pasojat që mund të vijnë prej saj, do të ndikojnë në moszhvillimin e një procesi të rregullt gjyqësor 


Zbardhet vendimi që transferoi çështjen në Tiranë: 68 vetë denoncuan Gjikën


Transferimi – Transferimi i dosjes u është komunikuar brenda afatit të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardha, Gentian Sherifaj, Gëzim Feta, Blerdi Liçaj, Mustafa Tartari, Artan Ferhati dhe Aleks Ahmataj


Kundërshtimi – Brenda afatit 7-ditor disa prej tyre kanë paraqitur vërejtjet përkatëse para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Të pandehurit Shpëtim Gjika, Blerdi Liçaj, Gentjan Sherifaj e Mustafa Tartari, nëpërmjet mbrojtësve të tyre, kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës


Sokol Çobo


shpetim gjika“I pandehuri Shpëtim Gjika ushtron detyrën e kryetarit të Bashkisë Vlorë prej disa vitesh. Gjatë fazës së hetimeve paraprake të kësaj çështjeje kanë paraqitur kallëzim penal ndaj tij 68 shtetas. Në këtë çështje është parashikuar që të pyeten 19 dëshmitarë. Për shkak të funksionit që ushtron aktualisht i pandehuri, duke marrë shkas nga zhvillimet e bëra publike deri më tani, organi i akuzës gjykon se në Vlorë ekziston një situatë e rëndë lokale, e cila cenon lirinë e vullnetin e personave që marrin pjesë në gjykim. Këto rrethana dëmtojnë zhvillimin normal të procesit dhe nuk mund të mënjanohen me mënyra të tjera, përveçse duke u transferuar në një gjykatë tjetër”. Ky është arsyetimi i Prokurorisë së Vlorës për të transferuar çështjen në Tiranë, kërkesë e cila është pranuar nga Gjykata e Lartë.


 


Kërkesa e Prokurorisë së Vlorës


Në vendimin e zbardhur, gjykata supreme pohon se prokuroria kërkoi transferimin e kësaj çështjeje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konform bazës ligjore të cituar. Ajo parashtroi disa arsye. “Gjatë kohës që çështja penale është dërguar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është konstatuar se në qytetin e Vlorës janë kryer aktivitete publike në mbrojtje dhe mbështetje të të pandehurit Shpëtim Gjika, e konkretisht aktiviteti i zhvilluar me datë 09.11.2013, ku kanë marrë pjesë edhe qytetarë të qytetit të Vlorës, me qëllim mbështetjen e kryetarit të Bashkisë për akuzën e ngritur. Ky aktivitet është shfaqur në disa televizione si dhe në shtypin e shkruar. Po kështu, edhe në datë 31.10.2013, ka pasur grumbullim të disa qytetarëve në qytetin e Vlorës, pamje të cilat janë transmetuar nga televizionet dhe janë bërë publike, me qëllim për të mbështetur të pandehurin Shpëtim Gjika”, thuhet në kërkesë, e cila vijon se 68 personat që e denoncuan mund të mos paraqiteshin në gjykim, apo edhe 19 dëshmitarët e thirrur në këtë proces. “Kjo kërkesë, pra transferimi i dosjes, i është komunikuar brenda afatit të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardha, Gentian Sherifaj, Gëzim Feta, Blerdi Liçaj, Mustafa Tartari, Artan Ferhati dhe Aleks Ahmataj. Brenda afatit 7-ditor disa prej tyre kanë paraqitur vërejtjet përkatëse para Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.


 


Shpëtim Gjika e kundërshtoi


Të pandehurit Shpëtim Gjika, Blerdi Liçaj, Gentjan Sherifaj e Mustafa Tartari, nëpërmjet mbrojtësve të tyre, kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës, duke parashtruar këto shkaqe: Kërkesa e organit të akuzës mbështetet në hamendësi, nuk ka asnjë ankesë nga ana e të pandehurve apo dëshmitarëve se ndaj tyre po ushtrohet presion. Duke u gjykuar çështja në Tiranë vështirësohet sjellja e provave, sidomos ardhja e dëshmitarëve, të cilët janë banues në Vlorë. Transferimi do të ndikonte në zvarritjen e çështjes, seanca e parë e të cilës është caktuar në datë 15.11.2013. Transferimi i çështjes imponohet vetëm kur siguria publike dhe zhvillimi normal i procesit cenohen nga faktorë të jashtëm kriminalë të pashmangshëm. Aktiviteti i datës 09.11.2013, i përmendur si shkak nga prokuroria për transferim, në të cilin i pandehuri Shpëtim Gjika deklaroi se është i pafajshëm nuk cenon askënd; edhe qytetarët që dolën në mbështetje të tij në këtë aktivitet kanë qenë paqësore dhe nuk kanë krijuar incidente apo rrethana të tilla, që mund të konsiderohen si rrezik për sigurinë publike”, thuhet në vendim.


 


Gjykata e Lartë


Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi mori në shqyrtim shkaqet e parashtruara në kërkesën e paraqitur dhe dispozitat respektive të Kodit të Procedurës Penale në të cilat referohet, vlerëson se kërkesa e paraqitur duhet të pranohet. Pretendimet e parashtruara nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, përbëjnë shkak të arsyeshëm, për transferimin e kësaj çështjeje për gjykim në një gjykatë tjetër. “Arrihet në këtë konkluzion, pasi nga aktet në dosje, krijohet bindja se situata lokale e pretenduar dhe pasojat që mund të vijnë prej saj, do të ndikojnë në moszhvillimin e një procesi të rregullt gjyqësor për palët në proces, kjo dhe mbi atë që njeri prej të pandehurve, Shpëtim Gjika, është në funksionin e kryetarit të Bashkisë Vlorë, funksion të cilin e ushtron prej shumë vitesh, fakt ky që ka bërë që në ato seanca gjyqësore të zhvilluara në qytetin e Vlorës, të jenë zhvilluar aktivitete publike në mbrojtje e mbështetje të tij, pasqyruar ato në televizione të ndryshme dhe organe të shtypit të përditshëm, e që plotësojnë kriteret e kërkuara nga neni 94 i Kodit të Procedurës Penale. Për sa më sipër, bazuar në aktet e bashkëngjitura kërkesës, çmohet se kërkesa duhet të pranohet dhe çështja t’i kalojë për gjykim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, pohon Gjykata e Lartë.


 


Detaje


Dispozitivi


1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.


2. Transferimin e çështjes penale nr.1532/2012, ndaj të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardha, Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Liçaj, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.


3. Njoftimin e vendimit prokurorit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre.