Brenda muajit miratohet drafti për kriteret për ndarjen e re të bashkive

Tryeza e qeverisë u organizua me përfaqësuesit e USAID dhe të Këshillit të Europës

reforma 1Donatorët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në drejtimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçit, zhvilluan dje një takim për të diskutuar mbi draftin e kritereve të reformës territoriale që qeveria pret ta miratojë së shpejti. Të pranishme iu prezantua nga ana e sekretariatit teknik për këtë reformë dhe vetë ministri hapat që janë ndërmarrë deri tani për kryerjen e kësaj reforme të rëndësishme dhe të domosdoshme, kriteret që do ta shoqërojnë atë dhe detaje rreth tyre. Në këtë takim ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues së USAID-it për pushtetin vendor dhe të Këshillit të Europës, pjesëmarrësit dhanë opinionet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me reformën e cila pritet të nisë dhe të përfundojë brenda këtij viti. Ky aktivitet konsultativ është i pari në radhën e një serie aktivitetesh që do të shtrihen në të gjithë vendin për këtë çështje. Projekti STAR (projekt asistence për reformën administrativo-territoriale me kontributin e SIDA, USAID dhe UNDP) mbështeti financiarisht realizimin e aktivitetit. Qeveria pritet të marrë në shqyrtim këtë muaj dhe draftin e kritereve, i cili përcakton piketat kryesore ku do të bazohet kjo ndarje. Në këtë draft theksohet se si bazë për ndarjen territoriale do të shërbejnë 36 rrethet, të cilët kanë ekzistuar gjatë kohës së komunizmit. Po përveç këtyre qendrave do të krijohen dhe tri radhë të tjera njësish vendore në vend, të cilat do të nisin me ato që do të mbajnë 30 mijë banorë për të përfunduar me njësitë më të vogla të cilat nuk do të jenë më pak se 10 mijë banorë në një njësi vendore. Kjo reformë pritet të jetë gati në shtatorin e këtij viti, për të nisur më pas dhe një reformë zgjedhore që do t’i përshtatet ndarjes së re.

 

LSI

Vasili: Ndarja e re nuk i cenon ekuilibrat politikë

vasiliNënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha dje se reforma administrative dhe territoriale nuk do të ketë asnjë efekt për sa i përket konfigurimit politik në vend. Në një prononcim për televizionin “AS”, Vasili deklaroi se politika ka një rregull, sipas të cilit, sa vota të kesh, aq mandate merr, pavarësisht ndarjes së ndryshme të zonave zgjedhore. “Nuk mund të them që mund të ketë forca politike që për hir të takticizmit politik, si për shembull për të fituar një kryetarë komune më shumë do të cenonte një reformë që u takon të tërëve. Politika ka një rregull, sa vota të kesh, aq do kesh edhe përfaqësim. Nuk besoj që ndarja administrative do të cenonte ekuilibrat”, theksoi Vasili në lidhje me këtë çështje, duke dhënë në këtë mënyrë dhe konsensusin e plotë të LSI-së për këtë reformë tepër të rëndësishme. Por nga ana e kampit opozitar ekziston frika se kjo reformë mund të përdoret nga mazhoranca në pushtet për të përfituar edhe nga pikëpamja elektorale në të ardhmen.

 

Autor te 8 Janar 2014. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry