Sport Dinastia Mema në “familjet e futbollit”

Dinastia Mema në “familjet e futbollit”

1005
SHPËRNDAJE

Tiranasit, në specialen e UEFA-s mbi familjarët e famshëm

Ali Mema – Ish-futbollisti dhe trajneri i Tiranës është nderuar në vitin 2006 me titullin “Legjendë e futbollit shqiptar” nga FSHF-ja

Sulejman Mema – Ish-futbollisti dhe trajneri i Tiranës ka “tradhtuar” traditën familjare duke drejtuar Partizanin gjatë dy sezoneve

Familja Mema, e njohur për traditën e saj futbollistike, ka qenë pjesë e një specialeje që UEFA ka publikuar në faqen e saj të internetit kushtuar të ashtuquajturave “familje të futbollit” në të gjithë kontinentin. Në këtë speciale, ku rreshtohen disa emra shumë të njohur të futbollit botëror, tregohet edhe historia e kësaj dinastie shumëvjeçare tiranase që ka kaluar brez pas brezi.

“Në vitet ‘60-’70, tre vëllezërit Mema – Haxhi, Ali dhe Osman – ishin pjesë e Tiranës si lojtarë apo trajnerë, me këtë pasion për futbollin që iu shpërnda edhe gjeneratave të tjera. Gjatë periudhës së suksesshme të tij si trajner i Tiranës, skuadrat e Ali Memës përfshinë edhe nipin e tij, Sulejmanin (djalin e Haxhi Memës), që më vonë mori drejtimin e skuadrës së Tiranës, në të cilën ishte pjesë Ardiani, djali i Ali Memës. Tirana është në gjakun e familjes – edhe pse Osmani për një periudhë të shkurtër luajti për rivalët e Partizanit gjatë shërbimit ushtarak. Ndërsa Sulejmani kaloi një periudhë të vështirë kur mori drejtimin e Partizanit. ‘Kisha gjithë familjen kundër’, kujton ai. ‘Xhaxhallarët e mi, nipërit, gjithkush, përfshirë edhe dy vajzat e mia’”, është pjesa që i kushtohet Shqipërisë dhe dinastisë Mema në këtë speciale të UEFA-s mbi familjet më të njohura futbollistike të kontinentit.

Në vendet e tjera, bie në sy tradita e familjes Maldini, që ka nxjerrë dy nga futbollistët më të mëdhenj të futbollit italian. Çezare Maldini fitoi Ligën e Kampioneve me Milanin në vitin 1963, ndërsa djali i tij Paolo, fitoi këtë trofe në vitet 1989, 1990, 1994, 2003 dhe 2007. Sikur të mos mjaftojë kjo, dy djemtë e Paolos tashmë janë bërë pjesë e akademisë së Milanit dhe 17-vjeçari Kristian është stërvitur disa herë edhe me ekipin e parë të klubit.

Po aq e famshme është edhe familja Çarlton në Angli, ku vëllezërit Xhek dhe Bobi ishin dy nga heronjtë që i sollën këtij vendi suksesin e vetëm në Kupën e Botës, në vitin 1966. Vëllezër shumë të njohur në arenën ndërkombëtare janë edhe holandezët Kuman. Babai i tyre, Martin Kuman, ishte një legjendë te Groningen, ku pasi luajti rreth 300 ndeshje me këtë klub, drejtoi akademinë e tij, nga e cila më vonë dolën Ervin dhe Ronald. I pari luajti me shumë ekipe të njohura, ndërsa në vitin 1988 fitoi Kupën e Kupave me Meshelen. I dyti fitoi Ligën e Kampioneve në vitet 1988 dhe 1992, respektivisht me PSV dhe Barcelonën. Të dy së bashku ishin pjesë e Holandës që arriti të fitonte Kampionatin Europian në vitin 1988. Legjendare në futbollin danez është familja Laudrup, e cila u përfaqësua fillimisht me Fin Laudrup, për të vazhduar pastaj me djemtë e tij, Majkëll dhe Brajan. Vëllai i vogël fitoi Kampionatin Europian me Danimarkën në vitin 1992, ndërsa vëllai i madh në vitin 2006 u shpall futbollisti më i mirë danez i të gjitha kohëve. Fakti se djemtë e tij Mads dhe Andreas janë aktualisht pjesë e Helsingborgs, tregon se dinastia e famshme daneze nuk ka ndër mend të largohet edhe për shumë kohë nga bota e futbollit.

Kuman

Ervin dhe Ronald Kuman kanë qenë për shumë vite dy nga mesfushorët më të mirë të futbollit botëror. Dy vëllezërit fituan Europianin e vitit 1988 me Holandën