INSTAT- Filipi: Nga korriku deri në shtator, prodhimi ra në 2.26%. Rritje vetëm bujqësia
Periudha e rotacionit të pushtetit solli rënien ekonomike
Ekonomia kombëtare në tremujorin e tretë të vitit 2013 pësoi një rënie me mbi 2 për qind, në krahasim me prodhimin e brendshëm bruto të së njëjtës periudhë të vitit 2012. Kjo tkurrje e ekonomisë erdhi si rezultat i rënies së sektorëve kryesorë të ekonomive, si industria, ndërtimi, tregtia, shërbimet. I vetmi sektor që pati rritje të lehtë ishte bujqësia. Këto shifra u publikuan dje nga kreu i INSTAT-it, Gjergji Filipi, i cili deklaroi se në krahasim më një vit me parë sektori bujqësor është i vetmi që ka pasur rritje me 2.9 % duke dhënë ndikimin kryesor në ekonominë shqiptare. “Sipas treguesit të vlerës së shtuar bruto, tremujori i tretë vlerësohet të ketë pasur një rënie prej 2.26 për qind të krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012. Ndikimi kryesor i kësaj rënieje vjen nga tërësia e degëve të ekonomisë dhe përjashtimi në këtë rast është vetëm bujqësia. Sipas degëve, krahasimi i 3-mujorit të tretë të vitit 2013 ndaj 3-mujorit të tretë të 2012-s për treguesin e vlerës së shtuar bruto është i tillë: Aktiviteti bujqësor ka një rritje prej 2.9 për qind të këtij 3-mujori”, tha Filipi. Drejtori i INSTAT-it, Filipi, bëri të ditur edhe treguesit e disa sektorëve të tjerë me ndikim në ekonomi që pësuan rënie. “Grupi i industrive ka një rënie prej 4.6 për qind ku vlen rënia e industrisë përpunuese me 7 për qind. Aktiviteti i ndërtimit në 3-mujorin e tretë të 2013-s ka shënuar një rënie prej 10 për qind krahasuar me vitin 2012. Grupi tregeti-hotele-restorante ka pësuar një rënie prej 3.4 për qind, transporti u ul me 4.2 për qind, post-telekomunikacioni ka pësuar rënie me 1.2 për qind”, theksoi Filipi. Gjithashtu, ndikim negativ kanë pasur edhe aktivitetet e tjera të shërbimit kolektiv, social, kulturor etj. Sa u përket ndryshimeve ndaj tremujorit pararendës, ekonomia vlerësohet me rënie prej 2.26 për qind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013, tregues këta që ekonomia shqiptare vijon të dobësohet duke pësuar rënie me 2.26% për tremujorin e tretë të vitit që sapo u mbyll.
Tremujori i parë
Në pjesën e parë të vitit aktiviteti ekonomik qëndroi në nivele të ulëta, por pozitive: 1.87 për qind në tremujorin e parë dhe 1.68 për qind në tremujorin e dytë. Rënia e fortë e tremujorit të tretë rrezikon të komprometojë edhe parashikimet e qeverisë për një rritje prej 1.3 për qind për 2013. Ndërkohë që edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë ishin se ekonomia do të luhatej në të njëjtat shifra të gjashtëmujorit të parë edhe në pjesën e dytë të vitit.
Reagon Shoqata e Turizmit: Paketa fiskale rëndon barrën
Turizmi nëse nuk ka ulje të TVSH-së rritet papunësia
Paketa e re fiskale sipas Shoqatës së Turizmit jo vetëm nuk lehtëson barrën e taksave për këtë industri, por e rëndon më tepër atë me rritjen e tatimit të fitimit të biznesit të madh në masën 50%. Në rast se nuk do të merret asnjë masë në favor të këtij sektori, sipas shoqatës viti 2014 do të jetë edhe më i vështirë çka do të jepte efekt direkt në ekonominë e vendit dhe do të reflektohej në mijëra të papunë.
Shoqata Shqiptare e Turizmit ka reaguar ndaj mosrealizimit të uljes së TVSH-së së turizmit që ishte premtuar nga qeveria edhe gjatë fushatës elektorale.
“Duke qenë se ne kemi taksat 300 për qind më të larta se rajoni, sigurisht që kjo përkthehet në standarde dhe cilësi. Të njëjtën pagesë që paguajnë turistët në Maqedoni nuk mund ta marrin me të njëjtin çmim edhe në Shqipëri. TVSH-ja rekomandohet nga 5 në 15, pjesa më e madhe e vendeve e kanë gati te 5 deri në 7 dhe ka shumë vende të Europës që e kanë çuar nën 5. Kjo është thjesht një taksë e pamerituar, e cila nga 0 bëhet 20 për qind”, tha Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës së Hotelieri-Turizmit.
“Ne pretendojmë që nëpërmjet zbutjes së taksave rregullimi i parë është rregullimi i formalitetit të tregut, i cili në të vërtetë prodhon taksa me të ardhura reale në burime të tjera për shtetin”, tha Enver Mehmeti, president i Shoqatës Shqiptare të Turizmit.
Ndërtuesit, në pritje të likuidimit të investimeve nga shteti
Shoqata e Ndërtuesve: Bizneset nuk pasqyrojnë borxhet
Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar likuidim të detyrimeve nga shteti në një periudhë sa më të shkurtër për të krijuar më shumë likuiditet që do të shpëtojë nga falimentimi shumë biznese. Kryetari i shoqatës së ndërtuesve për degën e Elbasanit, Fatbardh Doko, vuri theksin te problemet që është përballur biznesi i ndërtimit gjatë vitit 2013. Ai shprehet se problem mbetet informaliteti, si dhe mosshlyerja e detyrimeve që i ka shteti biznesit të ndërtuesve. Në lidhje me vlerën financiare që i kanë institucionet shtetërore ndërtuesve të Elbasanit, Doko tha se shifra nuk dihet për shkak se vetë ndërtuesit refuzojnë ta bëjnë publike atë, por konsiderohet problematike, pasi shumë biznese ankohen për vështirësi të mëdha financiare. Drejtori ekzekutiv i shoqatës së ndërtuesve të Shqipërisë, Maksim Muçi, tha se kësti i parë i paralajmëruar që kap vlerën e 4 miliardë lekëve do të jetë një ogur i mirë për biznesin që të ristartojë këtë vit. Ai gjithashtu vuri theksin te bllokimi i legalizimit të apartamenteve që prej vitit 2006.
“Janë rreth 300 pallate në Shqipëri të pahipotekuara, gjë e cila ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare. Ndërkaq, ai shtoi se me ndryshimin e qeverisë dhe të administratës po punohet për zgjidhjen e këtij ngërçi. B. Nergjoni
Haxhinasto: Borxhet ndaj kompanive private, shlyerje pas verifikimeve
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, tha dje se kompanitë që kanë kryer punë publike dhe nuk janë paguar nga shteti do të shlyhen pas një verifikimi të hollësishëm mbi cilësinë e realizimit të këtyre veprave.
“Ekziston një fond prej 120 milionë dollarësh. Do të jetë një procedurë transparente, mbi bazën e një verifikimi me teknologjinë më të fundit që vepron sot, të gjendjes së veprave dhe punëve për të cilat është krijuar borxhi”, deklaroi Haxhinasto.
Gjatë inspektimit të punimeve në segmentin rrugor për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, ministri Haxhinasto tha se fondi për realizim e kësaj rruge tashmë është alokuar nga buxheti i shtetit dhe se kjo do të jetë edhe mënyra se si do të veprohet në të ardhmen për të shmangur akumulimin e borxheve ndaj kompanive.
Më tej, ministri tha se fillon një marrëdhënie e re midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit apo kompanive të cilat realizojnë veprat e infrastrukturës.
“Do të jetë një marrëdhënie shumë solide e korrekte, një marrëdhënie me detyrime reciproke që do të kenë në bazën e tyre korrektësinë maksimale nga ana e qeverisë për të alokuar buxhetin e duhur, për të paguar TVSH-në, për të realizuar shpronësimet e veprës, por nga ana tjetër do të kemi edhe një performancë shumë korrekte e cilësore sipas standardeve nga ana e kompanive realizuese të këtyre projekteve”, sqaroi ministri i Transporteve Haxhinasto.
Verifikimi i titujve të pronësisë zgjat deri në mesin e vitit 2016
Verifikimi i titujve të pronësisë për tokën bujqësore do të zgjasë deri 30 qershor të vitit 2016. Vendimi u publikua dje në Fletoren Zyrtare duke hyrë kështu menjëherë në fuqi, pas nismës së qeverisë për ta shtyrë dhe me dy vite të tjera këtë proces që skadonte brenda këtij viti. Ndryshimi i afatit në ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar u bë me konsensusin e të majtëve dhe të djathtëve në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare. Tashmë Ministria e Bujqësisë duhet të përgatisë të gjitha statistikat e nevojshme për të evidentuar atë çka është bërë me ligjin e vitit 2008 për titujt e pronësisë dhe për të parë atë që duhet të bëhet më tej. Në qershorin e këtij viti, kjo ministri duhet të raportojë për atë çka do të bëjë pas shtyrjes me dy vjet të procesit të verifikimit të titujve të pronësisë. Në vend, pavarësisht investimit të qeverisë së mëparshme, ende nuk ka mbaruar regjistrimi përfundimtar i tokës bujqësore. Një prej arsyeve kryesore për këtë vonesë, ka të bëjë me faktin se kryesisht në zonat malore e kodrinore, pas vitit 1990, tokat janë ndarë me mirëkuptim, sipas kufijve të vjetër, ndërkohë që pronarëve nuk u lind e drejta e marrjes së titujve të pronësisë sipas ligjit të tokës bujqësore numër 7501. Komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë janë ngritur prej vitesh e funksionojnë pranë prefektëve të secilit qark, por pa një rezultat përfundimtar për këtë proces Për regjistrimin përfundimtar të tokës bujqësore, u mendua pajisja e këtyre pronarëve, që përfaqësojnë mijëra familje, me vërtetimet përkatëse, që do t’u mundësonin regjistrimin e pronës përfundimisht në kadastër.
Vendimi i qeverisë
Eliminimi i kimikateve, punonjësit me trajtim të posaçëm financiar
Të gjithë ata përfaqësues të Forcave të Armatosura shqiptare të cilët do të angazhohen në eliminimin e kimikateve stoqe, të cilat gjendjen aktualisht në Shqipëri do të trajtohen sipas një statusi të veçantë financiar. Kjo do të ndodhi nisur nga amendimi që iu bë vendimit nr.997, datë 10.12.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit”, të ndryshuar. “Me anë të këtij vendimi propozohet që personeli ushtarak i Forcave të Armatosura, që angazhohet në procesin e eliminimit të kimikateve stoqe, të trajtohet si një kategori e veçantë përfituese, për efekt të trajtimit financiar lidhur me dietat ditore, shpenzimet e fjetjes, si dhe shpenzimet e transportit kundrejt dokumentit tatimor përkatës, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, në analogji edhe me punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit, kur marrin pjesë në shërbime operacionale”, theksohet në vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave. Aktualisht, në Shqipëri ndodhen 100 tonë mbetje kimike, të cilat janë ripaketuar dhe pritet të nxirren jashtë vendit. Por për të bërë të mundur këtë Shqipërisë i duhet një fond prej 250 mijë euro, për t’i transportuar kimikatet tashmë të paketuara në mënyrë të sigurt për t’u shkatërruar në impiantet e asgjësimit të kimikateve jashtë Shqipërisë.