Përse pirja e duhanit është tmerrësisht tërheqëse

Shkencëtarët kanë gjetur përgjigjen se përse bëhemi lehtësisht vartës të duhanit në përgjithësi dhe të nikotinës në veçanti. Kjo e fundit ka një mënyrë të sajën për të “promovuar veten” dhe për të na dëmtuar ne…

Vesi

Të bëhesh i/e varur nga zakoni i pirjes së duhanit është shumë më e lehtë nga se mendohet. Në fakt, nuk është e nevojshme të thuash “vetëm një cigare dhe kaq”, sepse vetëm një mjafton për të vënë në lëvizje “një mekanizëm” që shfrytëzohet nga nikotina e që më pas ajo “pushton” trupin dhe për pasojë edhe mendjen tonë. Ata që zbuluan këtë mekanizëm ishin shkencëtarët e Institutit të Teknologjisë së Pasadenas në Kaliforni, ndërsa rezultatet e studimit të tyre i publikuan në Gazetën e Përgjithshme të Fiziologjisë. Studimi është kryer në modelin e kafshëve (për të simuluar efektet në trupin e njeriut) dhe më konkretisht te  minjtë me integrin alfa 6. Minjtë janë shënuar përmes një proteine fluoreshente për të treguar se ekspozimi ndaj nikotinës në një nivel të krahasueshëm me atë të duhanpirësve vepron mbi rregullimin e receptorëve të njeriut nAChR në fusha të caktuara të trurit. Sipas qendrës tashmë shumë të njohur të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC), nikotina aktivizon në një mënyrë mjaft dramatike këta receptorë nAChR dhe në ndryshim nga pjesa më e madhe e drogave të tjera, ajo vepron si një lloj “guide farmakologjike” për të stabilizuar “asamblenë” e receptorëve të brendshëm të retikulumit endoplazmatik (ER), ndërsa rrit edhe praninë e tyre në sipërfaqet qelizore (ose Up-regulation). I ashtuquajturi Up-regulation (ose rritja e  detyruar e aktivitetit të receptorëve) mbi nAChR luan një rol të rëndësishëm në varësinë ndaj nikotinës dhe ndoshta një ndjeshmëri të reduktuar të duhanpirësve me sëmundjen e Parkinsonit. Studiuesit zbuluan gjithashtu se receptorët që përmbajnë nën njësi të alpha6 (alpha6 – nAChR)janë të bollshme në rajone të ndryshme dhe të veçanta të trurit. Ja pra se si nikotina, duke vepruar në një gjendje mjaft delikate për të ndryshuar përgjigjet organike në tru, na bënë të paaftë për të jetuar pa kompaninë e saj “toksike”.

Çfarë mund të bëni nëse jeni në grackën e varësisë ndaj duhanit? Edhe nëse nuk shihni rrugëdalje, kini shpresë!

Nëse dëshironi të dilni nga “gracka” e pirjes së duhanit, atëherë duhet të kuptoni varësinë që ai ju shkakton

Ka disa faktorë që duhet të mbani mend. Së pari, nikotina është kimikati më i fuqishëm që shkakton varësi te truri i njeriut. Në kontrast me drogat e tjera, njeriu që pi duhan merr dozën e nikotinës 10 deri 40 herë në ditë, ose madje më shumë. Arsyet pse duhanpirësit nuk janë shumë të shqetësuar për duhanin siç do të ishin për ndonjë drogë jolegale është që kënaqësia që vjen nga duhani nuk është aq e fortë sa drogat e tjera. Gjithashtu, duhani nuk ndikon te funksionimi i përditshëm, siç bën alkooli, heroina ose kokaina etj. Së dyti, truri ka një qendër të kënaqësisë që stimulohet nga një kimikat i quajtur dopaminë. Ushtrime fizike, ngrënia, qeshjet, pirja e ujit dhe marrëdhënia seksuale të gjitha prodhojnë dopaminën, prandaj njerëzit i përsërisin këto veprime shpeshherë. Drogat gjithashtu ndikojnë në prodhimin e dopaminës, por thelbi i varësisë është te sasia e lezetit, e cila është shumë herë më e madhe sesa nga çdo kënaqësi tjetër normale jetësore. Çmimi që njerëzit paguajnë patjetër është shëndeti i dëmtuar. Megjithatë, edhe kjo është arsyeja e tretë pse aq shumë njerëz kanë vështirësi për të lënë duhanin. Pra duhanpirja në krahasim me drogat e tjera, nuk dëmton direkt dhe shpejt   organizmin. Shumica e njerëzve nuk do të ndiejnë efektet e këqija (si kolla e duhanpirësit) për 15-30 vite pas fillimit të pirjes së duhanit. Arsyeja e katërt pse është aq e vështirë të lësh duhanin është që çdo 20-60 minuta pas pirjes së një cigareje, duhanpirësi fillon të ndiej simptomat e tërheqjes së kënaqësisë, dhe një cigare tjetër krijon një përshtypje të gabuar që duhanpirja të bën të ndihesh më mirë. Arsyeja e pestë, disa gjendje të shëndetit mendor mund të bëjnë më të vështirë lënien e duhanpirjes, sepse duhani duket sikur e lehtëson jetën. Diskutoni këtë mundësi me doktorin tuaj, nëse keni dyshim që mund të vuani nga ankthi, depresioni, çrregullimet bipolare (maniak-depresiv), çrregullimet e hiperaktivitetit (ADHD), çrregullimet e stresit pas-traumatik, skizofrenia ose çrregullimet e ngrënies.

 

Autor te 9 Janar 2014. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry