Kriza ekonomike
Ekspertët: 2014-a, viti i fundit ku qeveria stimulon ekonominë me borxhe
Herion Mesi
Ekspertët ndërkombëtarë për ekonominë e kanë cilësuar vitin e kaluar 2013 si viti që shënoi pikën më të ulët të ekonomisë shqiptare. Ndërkohë, për vitin 2014 për shkak të nivelit të lartë të borxhit rreziqet janë shtuar sa u përket parashikimeve për rritje të lehtë të ekonomisë gjatë këtij viti. Pikërisht për këtë çështje ekspertët e ekonomisë Arben Malaj dhe Selami Xhepa u shprehën dje për “Top Channel” të mendimit se ekonomia ndodhet në udhëkryq dhe viti 2014 është një test i fortë, që do të përcaktojë të ardhmen e saj. Për ish-ministrin e Financave, ky është viti i fundit kur qeveria shqiptare ka luksin ta stimulojë ekonominë me borxh. “Në parim ato reforma që do të bëhen dhe se si do ndërtohet buxheti afatmesëm 2015-2017 do të shohim se ai do të jetë më i shtrënguar në krahun e shpenzimeve, çka do të thotë nuk do të kemi të njëjtin fleksibilitet. Duhet të përgatitemi për reforma të cilat na ndihmojnë që shtrëngesat që vijnë nga ulja e deficitit, të kompensohen nga rritja e investimit privat dhe të biznesit vendas dhe të huaj në ekonominë shqiptare. Në rast të kundërt do të jetë të vështirë të jemi optimistë”, tha Arben Malaj. Qeveria do të shpenzojë 455 miliardë lekë në total, 35 miliardë nga të cilat shkojnë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Dhe për këtë, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa u shpreh se stimuli i fortë mund të nxisë rritjen ekonomike, teksa nënvizoi se pikërisht prej tij rrjedhin edhe rreziqet më të mëdha për ekonominë. “Në veçanti rritja e huamarrjes, pra nëse nga njëra anë është pozitive për shkak të rritjes së kërkesës agregate, nga ana tjetër shoqërohet me një rritje të ndjeshme të barrës së borxhit publik dhe për rrjedhojë ndikimet që kjo mund të ketë në tregjet financiare mund paraqesin kërcënime për zhvillimet e ardhshme. Po kështu, pasiguritë mbeten edhe zhvillimi që do të kenë normat e interesit në tregjet europiane”, tha Xhepa.
Reformat
Konsensusi mes ekonomistëve është se i vetëm, borxhi i lartë nuk mund të jetë varka e shpëtimit për ekonominë, nëse qeveria nuk fillon reformat për të lehtësuar biznesin. “Qeveria duhet t’i japë prioritet lehtësimit të të bërit biznes, t’i japë prioritet funksionimit të shtetit ligjor. Biznesi duhet të ndiejë që do të konkurrojë, që do të ketë me pak ose të eliminohen pengesat që e kanë sjelle rritjen tonë ekonomike 1 për qind”, u shpreh Malaj. Ndërsa, Selami Xhepa thotë se veç klimës së biznesit dhe administrimit fiskal, reformat duhet të prekin edhe entet publike që mbikëqyrin tregjet. “Ajo, që mundet të konsiderohet si një çështje që mund t’i kundërbalancojë këto efekte negative, duhet të jenë reforma strukturore dhe këtu kam parasysh reformën në përmirësimin e sistemit të administrimit të politikave në tërësi, duke nisur që nga entet rregullatore, duke vazhduar me entet e mbikëqyrjes së tregjeve. Normalisht ajo çfarë po ndodh është një rritje shumë herë më e madhe e këtyre ndryshimeve në paketën fiskale, po i faturohet konsumatorit dhe kjo tregon për dobësi në funksionimin e autoriteteve të mbikëqyrjes së tregjeve dhe që tregojnë për mënyrën se si tregjet duhet të funksionojnë normalisht”, tha Selami Xhepa.