Vizita në Greqi, Avramopulos kërkon funksionimin e komisionit ndërshtetëror për varrezat
Herion Mesi

Nderimi për ushtarët
Gjatë vizitës së saj në Athinë, ministrja Kodheli ka kryer homazhe dhe ka vendosur një kurorë me lule te monumenti i “Ushtarit të panjohur”, ku janë shkruar edhe emrat e disa qyteteve të Jugut të Shqipërisë, si Gjirokastra, Korça, Përmeti etj., si pjesë e “trojeve greke” për çlirimin e të cilave dhanë jetën qindra ushtarë.
Prej dy ditësh, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Greqisë, Dimitris Avramopulos. Vizita e Kodhelit duket se ka detyruar Kryeministrin e Greqisë, Antonis Samaras, që të shkelë protokollin shtetëror të takimeve. Kjo është hera e dytë që Samaras thyen rregullat protokollare, pasi për herë të parë ai e shkeli duke pritur në takim ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Vestervele. Veç çështjeve dypalëshe që Shqipërinë e lidhin me Greqinë, temë kryesore e bisedimeve gjatë kësaj vizite ka qenë edhe çështja e integrimit europian, duke pasur parasysh se në qershor të këtij viti pritet një tjetër provim për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kryeministri Samaras i ka shprehur Kodhelit nevojë për rishikimin e të gjitha marrëveshjeve mes të dyja vendeve. “Ne dëshirojmë që të rishikojmë dhe të forcojmë më tej të gjitha marrëveshjet mes nesh”, mësohet të jetë shprehur Samaras gjatë këtij takimi. Nga ana e saj, Kodheli e njohu Kryeministrin grek me reformat e ndërmarra në institucionin që ajo drejton, duke u ndalur te lufta kundër korrupsionit, reformën në Forcat e Armatosura etj. Kodheli e uroi Samaras edhe për presidencën e BE-së dhe u shpreh: “Shqipëria shpreson të marrë statusin e vendit kandidat në 6-mujorin e parë të 2014-s. Në këtë pikë ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj”, nënvizoi ajo. Kryeministri grek dha mbështetje të plotë për Shqipërinë në aspiratën e saj europiane. Ai u shpreh i bindur se nën drejtimin e Kryeministrit Rama, të cilin e cilësoi mik dhe një njeri solid, Shqipërinë e pret një perspektivë e qartë europiane.
Varrezat

Në takimin që ministrja Kodheli zhvilloi pasditen e djeshme me homologun e saj Avramopulos, një nga temat e bisedës ka qenë dhe çështja e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri. Ministri grek ka deklaruar në këtë takim, se puna e këtij komisioni ka stopuar. Dy ministrat kanë rënë dakord që ky komision të mblidhet gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Kjo, pasi pala shqiptare po ndryshon përbërjen e ekspertëve, për shkak të rotacionit të pushtetit, ku në përbërje të këtij komisioni kanë qenë pjesëtarë të qeverisë së mëparshme “Berisha”. Në vijim të vizitës së saj, ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, vendosi një kurorë në monumentin e “Ushtarit të panjohur” në sheshin “Sindagma” në Athinë. Në këtë monument janë shkruar edhe emrat e disa qyteteve të Jugut të Shqipërisë, si Gjirokastra, Korça, Përmeti etj., si pjesë e “trojeve greke” për çlirimin e të cilave dhanë jetën qindra ushtarë. Temat e tjera të diskutuara mes dy ministrave ishin për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, si dhe mbështetjen e padiskutueshme në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Të dyja palët ndanë të njëjtin mendim, që takimi i sotëm i jep një dimension të ri bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Në deklaratën për mediat, ministri Avramopulos u kujdes të theksojë se ky është një kapitull i ri në bashkëpunimin dypalësh. Sipas tij, bashkëpunimi do të jetë shumë i vlefshëm për ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku Greqia do të ofrojë të gjithë mbështetjen e saj.
[callout]Problemi i toponimeve
Totozani: Të përdoren pasaportat aktuale deri në përfundim të afatit
Ministria e Jashtme duhet të ndërhyjë nëpërmjet një marrëveshjeje me shtetin grek, që t’i konsiderojnë të vlefshme pasaportat e emigrantëve shqiptarë deri sa atyre t’u skadojë afati i përdorimit. Në të kundërt, theksoi dje Avokati i Popullit, Igli Totozani, të gjithë emigrantët që prej kohësh po hasin probleme për shkak të emërtimeve gjeografike në pasaportat e tyre, shteti shqiptar t’i pajisë ata me pasaporta të reja dhe duhet ta paguajë vetë koston. “Çfarë janë pasaporta të bëra deri më sot me këto probleme dhe defekte, ne i kemi propozuar shtetit shqiptar që të gjendet gjuha e përbashkët me republikën greke, që të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në ditën e mbarimit të afatit të tyre. Në rast të kundërt, kostot për pasaportat e reja duhet t’i mbajë shteti shqiptar”, tha dje Totozani në një prononcim për “Top Channel”. Sipas tij, pasaporta shqiptare përmban edhe gabime të tjera, përveç toponimeve, pasi nuk janë të plotësuar në anglisht të gjitha rubrikat e saj, ndërkohë që mungon germa ‘ë’ dhe ‘ç’. Lidhur me këtë çështje, Ministria e Jashtme shqiptare është duke biseduar me palën greke për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që të mos ndëshkohen emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në vendin fqinj.[/callout]