Nafta
Ministri Gjiknuri: Deklarojnë vetëm shpenzime për të mos paguar taksa. Kontroll licencave të kromit
Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ka lajmëruar se qeveria do të auditojë bilancet e kompanive hidrokarbure që shfrytëzojnë rezervat e naftës në Shqipëri, pasi ka dyshime se në to raportohen shpenzime të fryra për të shmangur tatimet.
“Ka ardhur momenti që të mos të miratohen më plan-zhvillime symbyllazi dhe ku kompanitë hidrokarbure paraqesin plane aspak të bazuara dhe pa asnjë logjikë ekonomike mbrapa dhe bën që fitimi i atyre kontratave të shtyhet në vite. Këtë ne nuk duhet ta lejojmë dhe i përket punës sonë, një auditimi të imët të të gjithë këtyre kontratave për të përcaktuar qartë se cilat janë ato shpenzime reale që lidhen direkt me zhvillimin e sektorit e fushave të naftës apo të prodhimit të naftës”, tha Gjiknuri.
Ministri i Energjetikës shfrytëzoi një takim pune në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të bërë të ditur se ndërhyrje do të ketë edhe në licencat e kromit në zonën e Bulqizës.
“Kërkoj që brenda një afati të shkurtër, pas një urdhri të nxjerrë nga unë, të përcaktohet përfundimisht zona e rrezikshme në Bulqizë në mënyrë që aty të mos zhvillohet më asnjë aktivitet minerar dhe të revokohen licencat të cilat operojnë në atë zonë. Kjo bëhet për të siguruar jetën e minatorëve, jetën e njerëzve. Ne nuk e kemi fare me industrinë e kromit, industrinë e kromit duam ta përkrahim”, tha Gjiknuri.
Sipas tij, ministria së bashku me AKBN-në po diskuton një rregullore, së bashku edhe me kompanitë hidrokarbure.
“Jemi në fazat e fundit të përpilimit të kësaj rregullore, ku do të përcaktojmë njëherë e mirë ato norma se çfarë do të njihen si shpenzime, cila do të jetë mënyra e komunikimit dhe si do të mbrohet edhe pasuria në terma afatgjatë. Sepse, ne nuk kërkojmë që nafta thjesht të merret dhe të ikin dhe të shfrytëzohet për një kohë të shkurtër, por të ketë zhvillim të qëndrueshëm dhe një ndarje e një përfitim afatgjatë për vendin tonë”, sqaroi ministri.
Por një tjetër sektor ku koncesionet do të rishikohen është edhe ai i energjisë elektrike. Ministri Gjiknuri ka lënë të nënkuptohet se qeveria mund të ndërhyjë për të ndryshuar çmimin, sipas tij të lartë, me të cilin KESH detyrohet të blejë energjinë nga HEC-et e ndërtuara me koncesion.
“Fatkeqësisht është krijuar një problem i madh me gjendjen e rëndë financiare të sektorit, sepse këto investime nuk janë reflektuar drejt te shpenzimet dhe çështja e balancës në energji dhe planifikimit të burimeve të reja dhe sa mbështetje financiare këto do të kenë, patjetër do të shihet me prioritet nga qeveria shqiptare”, tha Gjiknuri.
Sektori i energjisë po kalon një krizë të thellë financiare e materializuar në një zinxhir borxhesh që ka përfshirë të gjitha kompanitë më të rëndësishme, veçanërisht KESH-in dhe CEZ-in.
Dje në analizën e AKBN-së nuk u la pa u përmendur edhe fakti që për herë të parë, një kombinim i tre strukturave, pjesa e ministrisë, me agjencinë, me AKBN-në dhe me RISHM-in ushtruan një kontroll të imtë në Bulqizë, ku u morën disa masa të nevojshme dhe një ndërhyrje emergjente, në një zonë ku për shumë vjet nuk ishte vënë dorë nga shteti.
[callout]Deklarata
Gjiknuri: Ai që ka detyrime, t’i revokohet licenca
“Fatkeqësisht, kemi konstatuar kompani të cilat punojnë jashtë projekteve të miratuara nga AKBN-ja, do të thotë kompani të cilat nuk duhet të operojnë më në atë fushë. U bë një punë e mirë këta muaj për evidentimin e subjekteve që nuk kishin paguar garancitë financiare. Besoj se është kompletuar e gjithë lista me subjektet që akoma i detyrohen shtetit, të fillohet menjëherë nga procedurat e revokimit të licencave. Këto miniera, le të dalin në ankand, siç janë rregullat, sipas ligjit, subjekte të interesuara dhe që kanë interes të investojnë dhe ta pasurojnë këtë fushë, të vazhdojnë të punojnë. Ne nuk mund të lëmë mënjanë detyrimet që kanë këto kompani ndaj institucioneve shtetërore.[/callout]