Kompania kanadeze mohon shkeljet, por nuk jep sqarime


Akuza – Një dokument i “Albpetrolit” hedh dyshime, të cilat implikojnë “Bankers Petrolium”, në një tregti të paligjshme karburantesh


Shkelja – “Bankers Petrolium” ka shitur në tregun e brendshëm me pakicë, sasi të mëdha karburanti të cilësisë së dobët, ndryshe hollues


Kundërpërgjigjja – “Bankers”: “Çdo litër e produkteve të importuara prej nesh, janë të audituara dhe të dokumentuara nga autoritetet shqiptare”


Shlyerja – “Albpetroli” ka derdhur dje në buxhetin e shtetit shumën e pesë milionë dollarëve për dividendin e grumbulluar ndër vite. Në deklaratën për mediat, bëhet e ditur se kjo është shuma më e madhe e kaluar në favor të buxhetit të shtetit nga “Albpetrol” sh.a. gjatë 10 viteve të fundit



Një dokument konfidencial i “Albpetrolit” hedh dyshime të forta, të cilat implikojnë “Bankers Petrolium”, në një tregti të paligjshme karburantesh në tregun vendas. Por, nga ana tjetër, “Bankers” deklaron se të gjitha këto dyshime janë të pavërteta dhe se nuk ka kryer asnjë shkelje që pretendon “Albpetroli”.


Dokumenti i zotëruar nga “Top Channel”, i cili konfirmohet zyrtarisht nga “Albpetroli” dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, dyshon se kompania kanadeze ka shitur në tregun e brendshëm me pakicë sasi të mëdha karburanti të cilësisë së dobët, që njihet ndryshe me emrin hollues. Ky lloj karburanti përdoret nga kompanitë prodhuese të naftës si lëndë e parë në proceset teknologjike të prodhimit.


Ai injektohet në puse për të holluar naftën bruto që gjendet në nëntokë, duke e bërë më të lehtë nxjerrjen e saj përmes pompave. Por, ekspertët e “Albpetrolit” thonë se shifrat e importeve të deklaruara nga “Bankers” hedhin dyshime se një pjesë e madhe e holluesit u është shitur konsumatorëve në treg.


Ekspertët e “Albpetrolit” kanë arritur në këtë përfundim pas një analize të kryqëzuar mbi shifrat, duke krahasuar sasitë e holluesve të importuar nga “Bankers” me ato që do i nevojiteshin asaj realisht në procesin e prodhimit sipas llogarive të tyre.


Dokumenti thotë se krahasimi evidenton mospërputhje të mëdha mes shifrave që shkojnë sipas “Albpetrolit” deri në dy herë. Sipas tij, vetëm gjatë periudhës dhjetor 2011-shkurt 2012 “Bankers” ka importuar mbi 51 mijë e 710 metër kub hollues më shumë sesa sasia e nevojitur për prodhim. Në fund të vitit të kaluar, drejtuesit e rinj të “Albpetrolit” kanë kërkuar nga “Bankers” sqarime për mospërputhjet e mëdha të shifrave. Por, duke iu referuar dokumentit, deri më sot kompania kanadeze nuk ka dhënë asnjë shpjegim të besueshëm, fakt që, sipas ekspertëve të “Albpetrolit” hedh dyshime të forta se holluesi është shitur në mënyrë të paligjshme në pikat e karburanteve për konsumatorët.


Nisur nga ky dokument i “Albpetrolit, “Top Channel” kontaktoi me përfaqësues të kompanisë kanadeze, e cila i mohon në mënyrë kategorike dyshimet e ngritura. Sipas “Bankers” çdo litër e këtyre produkteve të importuara nga ajo është e aprovuar, audituar dhe dokumentuar nga autoritetet shqiptare dhe është përdorur vetëm për operacionet hidrokarbure të licencuara në vendburimin e Patos-Marinzës. “Bankers” thotë se rritja e importeve të holluesve lidhet me rritjen e prodhimit të naftës që ka arritur rekordin historik. Dokumenti ku renditen dyshimet e ngritura nga “Albpetroli” përbën përplasjen e parë mes autoriteteve dhe kompanisë, që është investitori më i madh në Shqipëri në fushën e hidrokarbureve. Dyshimet, sipas “Albpetrolit”, përfshijnë jo vetëm tregtim të paligjshëm karburantesh, por edhe evazion fiskal e fshehje taksash, pasi holluesit kanë qenë të përjashtuar nga akciza dhe TVSH-ja, ndërkohë që në treg janë shitur si karburant i gatshëm për konsum. “Bankers” vetë nuk ka pranuar asnjë nga këto akuza, por pritet përballja mes palëve për të parë se cila do të jetë zgjidhja e problemit që ka ngritur ky dokument. TCH