Kulturë Holandezët në Shqipëri,100 vjet më parë

Holandezët në Shqipëri,100 vjet më parë

1428
SHPËRNDAJE

Fluturak Gërmenji

Oficerët drejtues holandezë për krijimin e Xhandarmërisë Shqiptare, fillimisht përmenden në tetorin e vitit 1913 në dokumentet diplomatike, që i ka publikuar Prof. Dr. Valentina Duka, në librin “Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët (tetor – dhjetor 1913”). Në një raport nga Haga, që i jepej Sër Edward Greyt, Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, në datën 21 tetor 1913 thuhet “Qeveria e Holandës ka informuar përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha këtu se Koloneli De Veer dhe Majori Tomson janë udhëzuar të nisen për në Shqipëri dhe të përgatisin një plan për krijimin e një xhandarmërie…”Gazeta zyrtare e Qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipërisë” lajmëron për të dy oficerët e lartë, që do të vinin në Shqipëri, në zbatim të Dekretit Mbretëror të Mbretëreshës së Holandës. Ajo shkruan se ata janë nisur “nga Triestja ditën e premte dhe do të vinë të hënën në qytetin t’onë oficerët, që do të vënë në udhë veglën që do të bëjë të mbretërojë qetësia në vendin t’onë”. Ndërsa historiani holandez Edwin Ruis shkruan: “Të hënën, me 10 nëntor 1913 Koloneli William De Veer dhe ish-parlamentari Majori Lodevijk Tomson arritën në tokën shqiptare me avullore në gjirin e mbrojtur të qytetit bregdetar jugor shqiptar, të Vlorës. Një javë më parë, burrat kishin lënë Holandën dhe kishin udhëtuar deri në portin austriak të Triestes me tren. Ata lundruan më pas së bashku drejt bregdetit shkëmbor të Adriatikut, drejt Vlorës.” Atyre iu dha një gradë më e lartë nga Mbretëresha e Holandës.

Pas bisedimeve me KNK dhe me Qeverinë e Ismail Qemalit, Koloneli Tomson u mor me përgatitjen e dokumenteve për organizimin e Xhandarmërisë Shqiptare dhe me trainimin ushtarak intensiv të nënreparteve të sapokrijuara. Në fillim do të përgatiteshin një mijë vetë, ndërsa në tërësinë e saj, Xhandarmëria Shqiptare ishte parashikuar me pesë mijë vetë. Ndërsa Gjenerali De Veer bashkëpunoi më shumë me KNK, si dhe drejtonte operacionet ushtarake në terren.

Ja se si e përshkruan punën e të dy oficerëve madhorë holandezë, z. Nadolni, përfaqësuesi gjerman në KNK, gjatë janarit 1914: “Ç’shtë e vërteta, Xhandarmëria e krijuar dhe e komanduar nga oficerët holandezë, duke shfrytëzuar bazat e krijuara prej tij (I. Qemalit) dhe me paratë e marra nga arka e tij qeveritare, nuk mund të përdoret prej tij, sipas dëshirës dhe pa kufizime. Nga njera anë, ajo duhet t’i shërbente, në radhë të parë, një qëllimi të  caktuar, paqësimit të Jugut e, në anën tjetër, siç është e kuptueshme, oficerët holandezë mbështeteshin më tepër te Komisioni i Kontrollit, sesa tek ai”. Ndërsa z. Lamb, përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, në një raport dërguar Ministrit të tij të Jashtëm e vlerëson kështu punën e dy oficerëve madhorë holandezë: “Unë e konsideroj se u detyrohemi vërtet shumë Kolonelit De Veer dhe Komandantit Tomson, të cilët dhanë një shembull të admirueshëm vendosmërie dhe energjie dhe që, pavarësisht mungesës pothuajse totale të ndihmës, si dhe materialit tejet defektiv që kanë në përdorim, kanë bërë një fillim shumë të mirë. Eshtë shumë e nevojshme që ata të furnizohen, sa më parë të jetë e mundur me mjetet e nevojshme për zhvillimet e mëtejshme.”

Më 24 dhjetor 1913, Mbretëresha Wilhemlina dekretoi emërimin e Gjeneralit De Veer dhe të Kolonelit Tomson, në shërbim dy-vjeçar të Xhandarmërisë Shqiptare. Pas dërgimit të raportit vëzhgues të dy oficerëve të lartë holandezë, në Hagë u dhanë porositë për përgatitjen e oficerëve që do të dërgoheshin me mision në Shqipëri. Me interesimin e drejtëpërdrejtë të Mbretëreshës Wilhemlina, Ministri i Luftës, Bosbom, i dërgoi një qarkore të gjitha komandave ushtarake, për caktimin e oficerëve më të përgatitur, për këtë mision të rëndësishëm, që “do të ngrinte më lart emrin e Holandës.”Lista e oficerëve, që do të përbënin Misionin Ushtarak Holandez në Shqipëri, përfundoi më 23 janar 1914. Me Dekretin tjetër Mbretëror të datës 24 shkurt 1914 nga Mbretëresha Wilhemlina, oficerët holandezë u emëruan në shërbim të Xhandarmërisë Shqiptare, duke u dhënë nga një gradë ushtarake më të lartë. Këta pesëmbëdhjetë oficerë holandezë do të përbënin Misionin Ushtarak në Shqipëri, si një Mision Ushtarak Paqeruajtës dhe Organizator Ushtarak për Shtetin e ri Shqiptar, që mund të vlerësohet si misioni i parë paqëruajtës ushtarak në Europë.

Grupi i oficerëve holandezë erdhi në Vlorë më 23 shkurt.Ata i priti togeri Gerard Mallinckrodt, i cili ishte ndihmës i Kolonelit Tomson, si dhe togeri Meleq Frashëri, si përfaqësues nga Komanda e Xhandarmërisë Shqiptare dhe kapiten Tole Arapi me Mihal Gramenon,siç duket edhe në foton e asaj kohe në molin e Vlorës.Oficerët e ardhur nga Mbretëria e Holandës ishin majorët Wouter De Waal, Hugo J. Verhulst, Henri J. L. Kroon, Joan E. Snellen van Vollenhoven, Lucas Roelfsema dhe Joan Sluys, si dhe kapitenët Carel De Jongh, Jetze Doorman, Jan Fabius, Julius H. Sonne, Hendrik G. A. Reimers dhe Jan H. Sar. Në efektivin e oficerëve holandezë, përfshihej edhe inspektori ushtarak mjekësor, Majoridr. Tiddo Reddingius, rreshteri sanitar J. van Vliet dhe mjeku civil F. De Groot.

Tomsoni e kishte ndarë vendin në pesë zona. Në zonën e parë, që ishte Korça, u caktuan të shkonin, Majori Snellen van Vollenhoven dhe Kapiteni Jetze Doorman, Pjesa Jugperëndimore, që përfshinte zonën e dytë me Gjirokastrën dhe krahinat për rreth, ishte nën komandën e Majorit Wouter de Waal dhe të Kapitenit Julius H. Sonne. Në zonën e tretë, që përfshinte pjesën qendrore me Elbasanin, u caktuan të shkonin Majori Hugo Verhulst dhe Kapiteni Hendrik G. A. Reimers. Kapitenët Sonne dhe Reimers, do të vinin në Vlorë, një javë më pas se grupi i oficerëve holandezë. Në Durrës, që do të ishte Kryeqyteti, u caktuan tre oficerë, si komandantë dhe si organizatorë ushtarakë, Majori Johan M. Sluys, Majori Lucas Roelfsema dhe Kapiteni Jan H. Sar. Në zonën e pestë, që përfshinte Shkodrën dhe Veriun e Shqipërisë, komandant u caktua Majori Henri J. L. Kroon dhe Kapiteni Jan Fabius, që do të luante një rol shumë të rëndësishmëm si komandant artilerie në Durrës, gjatë luftimeve me rebelët. Edhe Majori Kroon, pas caktimit nga Princ Vidi, si Qeveritar i Shkodrës (Sipas Gazetës “Përlindja e Shqipënisë”, mars 1914), do të vinte me forca të shumta nga Malësia e Veriut në Durrësin e rrethuar nga rebelët. Ai do të zëvendësonte Majorin Sluys, si komandant i Mbrojtjes së Durrësit, pas vrasjes së Kolonelit Tomson. Kapiteni Carel de Jongh u caktua si ndihmës i Gjeneralit De Veer dhe u angazhua me artilerinë dhe me veprimet luftarake në zonën Vlorë – Tepelenë – Gjirokastër, si dhe në luftimet për mbrojtjen e Durrësit. Majori Tidoo Redingius ishte mjek ushtarak dhe ndihmoi në ngritjen e një spitali në Vlorë, në Tepelenë dhe në Durrës. Me të ishin dhe mjeku civil F. van Groot, i cili hyri në shërbim ushtarak pranë Xhandarmërisë dhe rreshteri J. van Vliet.Oficerët holandezë udhëtuan me shpejtësi në drejtim të zonave, ku ishin caktuar, bashkë me trupat e sapokrijuara të nënreparteve të Xhandarmërisë Shqiptare. Marrja e detyrës ushtarake  ishte tepër e rëndësishme për ta, si oficerë të karierës ushtararake. Në shtypin e kohës, si në Vlorë, në Shkodër e Korçë përshkruhen veprimet dhe qendrimet e tyre, sidomos për rastet kur janë përfshirë në luftime dhe beteja, si ato të majorit Joan E. Snellen van Vollenhoven dhe Kapitenit Jetze Doorman në Korçë, si dhe të Ve Waal e Sonne në zonën Tepelenë – Gjirokastër.

Oficerët holandezë, që ishin në Durrës dhe vareshin direkt nga Princ Vidi.Komandant i Qytetit ishte Majori Johan M. Sluys.Ndërsa Major Lucas Roelfsema ishte Komandant i Kavalerisë dhe Kapiteni Jan H. Sar ishte organizator ushtarak dhe komandant reparti në mbrojtjen e Durrësit.Nën drejtimin e oficerëve holandezë në Vlorë dhe në Durrës ishin përgatitur disa detashmente të Xhandarmërisë Shqiptare.Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson i kishin krijuar, por edhe i kishin trainuar këto reparte.Ata kishin hartuar edhe planin operacional për lëvizjen e tyre për marrjen në dorëzim të teritoreve, që duhej të lironin trupat ushtarake greke, si dhe bandat e krijuara dhe të furnizuara prej tyre.Ishte planifikuar që tetë kolona ushtarake të niseshin në fillimin e marsit 1914 në rrugëkalimet drejt Himarës, Tepelenës, Frashërit dhe Voskopojës.

Njëra kolonë, e komanduar nga Majori De Waal dhe Kapiteni Sonne pasi kaloi grykën e Vjosës në drejtim të Tepelenës u bombardua nga ushtria greke afër Sinanajt, në lartësinë e Gribës.Megjithatë ai i kompaktësoi forcat dhe marrshoi drejt Gjirokastrës.Ai kishte në komandë 400 xhandarë dhe rreth 1.200 luftëtarë popullorë vullnetarë, bashkë me çetën e famshme të Çerçiz Topullit.Po kështu edhe kolona me detashmentin tjetër në drejtimin e Këlcyrës dhe Përmetit u pengua nga trupat ushtarake greke.Edhe situata në drejtimin e Himarës, ku po lëviznin rreth 100 xhandarë, u prit me armë nga pasuesit e ushtarëve grekë në hyrje të Vranishtit. Po oficerët shqiptarë e rivendosën situatën  dhe ngritën flamurin kuq e zi. Kolona e komanduar nga Majori Snellen në Jug – Lindje, pati më shumë sukses: pasi kaloi Voskopojën mori në dorëzim Korçën. Snellen dhe Doorman, mbajtën  rregull në këtë qytet dhe shkatërruan edhe komplotin e organizuar në fillim të prillit nga ushtarët grekë. Luftimet vazhdonin rreth Gjirokastrës, si dhe në drejtimin Këlcyrë – Përmet.

Në librin më të ri, botuar më 2013 në Holandë, me titullin “Misioni luftarak  – Ushtarakët Holandezë në Shqipëri”, historiani holandez Edwin Ruis shkruan: “Oficerët e parë holandezë, të cilët u ndodhën në situata të rënda ushtarake ishin Major Wouter de Waal dhe Joan Snellen van Vollenhoven. Me trupat e tyre shqiptare ata siguruan rrethet jugore të Gjirokastrës dhe Korçës. Në vend të rindërtimit, iu desh të hynin në luftë me grekët pothuajse menjëherë. Kjo situatë do të zgjaste deri në fund të misionit.”Ndërsa në një nga botimet më të herëshme të historisë sonë, botuar në gjuhën angleze, në New York më 1919, në librin “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” të Kostë Çekrezit, shkruhet: “Shqiptarët e ngushtuan darën rreth Gjirokastrës… Ata pothuaj po e shtinin në dorë qytetin, kur, në çastin vendimtar, Gjenerali Papulias, i Ushtrisë Mbretërore Greke, hodhi këmbësorinë dhe artilerinë kundër shqiptarëve, që po avanconin, duke i detyruar këta të ndalojnë.”

Ndërsa në zonën tjetër, të Korçës, Majori Joan Snellen van Vollenhoven dhe Kapiteni Jetze Doorman, arritën të mposhtin edhe një komplot të armatosur, si dhe morën në dorëzim edhe Bilishtin, Ersekën dhe Leskovikun. Princ Vidi, në kujtimet e tij shkruan: “Grekët kishin organizuar edhe në Durrës, nën drejtimin e peshkopit grek, një sistem të plotë dhe tejet efektiv spiunazhi… dhe dërguan një farë Dr. Voila, i cili krijoi lidhje të afërta edhe me Esatin dhe, siç mësova më vonë, i kishte sjellë atij shpesh herë të holla”. Marrëveshja e grekëve me Esatin kishte filluar që atëhere kur pashai luftonte kundër Qeverisë së Ismail Qemalit.Atëhere i ishin bërë dhe pagesat e para Esatit prej emisarëve grekë.Historiania Ledia Dushku e saktëson këtë moment në librin “Kur historia ndau dy popuj miq, Shqipëria dhe Greqia 1912-1914” (botim i Institutit të Historisë, Tiranë, 2012). Ajo shkruan: “Ndërmjetës, krahas mitropolitit të Durrësit, ishte edhe doktor Voila, i njohur tashmë si “funksionar i qeverisë greke pranë Esad Toptanit”. Shpërblimi në të holla që ata i dhanë, në emër të qeverisë greke, deklarohet të ketë qenë 2.000 stërlina, ose 140.000 franga ari. Shuma në fjalë ishte gjashtë herë më e  madhe se sa paga vjetore e Kryetarit të Qeverisë së Vlorës dhe katër herë më e madhe se ajo e anëtarit të Komisionit Ndërkombëtar të  Kontrollit”.

Princ Vidi nuk e vlerësoi situatën. Ai u mbyll në Pallatin Mbretëror, duke shpresuar se do ta ndihmonin Fuqitë e Mëdha, që kishin anijet luftarake në Gjirin e Durrësit. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Ja një nga dëshmitë e asaj kohe: “Një oficer holandez më tha se Princit nuk mund t’i mbushej mendja kurrësesi për t’i prirë ushtrisë e as për t’u dukur para luftës. – shkruan në kujtimet e tij diplomati amerikan George Fred Williams – Luftanijet e Gjashtë Fuqive rrinin në një qetësi të vdekur në port. Kur qyteti u sulmua, komandantët e tyre u thirrën për të shtënë ca topa sa për të  trembur  kryengritësit, por ata kundërshtuan, duke thënë se kanë urdhëra të rrepta për të vepruar vetëm për mbrojtjen e personit të Princit e të familjes së tij. Kjo tregoi qartazi se Fuqitë e Mëdha kishin vendosur për të mos qëlluar me asnjë top për mbrojtjen e qeverisë që kishin marrë përsipër për të themeluar.”

Në këtë zallamahi politike dhe ushtarake, kur përzihej rebelimi fetar në Shqipërinë e Mesme me luftimet në Shqipërinë e Jugut, oficerët holandezë bënë të pamundurën për të shmangur shkatërrimin shtetëror.Trupat e xhandarmërisë së re shqiptare, të komanduara nga oficerët holandezë e vlerësuan si përparësi të madhe situatën në Jug.Por problem i madh po bëhej rebelimi fetar dhe rrethimi i Durrësit.Në qershor Princ Vidi kreu një inspektim të të gjitha forcave ushtarake, në mbrojtje të kryeqytetit.Ai shoqërohej nga Koloneli Tomson, i cili ishte caktuar nga Princi “Drejtor i Forcave të Armatosura” dhe Komandanti Legjendar Isa Boletini. Princi shkruan: “Përveç vullnetarëve, qyteti mbrohej nga 100 malësorë të armatosur, të cilët me të marrë kumtin e kryengritjes, shpejtuan t’i vinë në ndihmë Princit të tyre. Për mbrojtjen e Pallatit Mbretëror, kishin zbarkuar marinarët italianë dhe austriakë.”Në Durrës numri i përgjithshëm i shqiptarëve të armatosur kapte rreth 300 vetë, prej të cilëve 200 ishin xhandarë.

Ambasadori i SHBA në Athinë, George Fred Williams që ishte në Durrës e përshkruan kështu situatën e qytetit të rrethuar: “…në këtë kohë oficerët holandezë ishin të vetmit mbrojtës të Durrësit duke komanduar malësorët shqiptarë, gjuhën e të cilëve as që e kuptonin. Ditën e 15 Qershorit komandanti, Koloneli Tomson, u vra dhe me qindra njerëz u vranë në kënetë.” Sipas shumë burimeve ishin mbi 200 të vrarë nga rebelët dhe 40 nga mbrojtësit e Durrësit. Një dëshmi nga Syrja Vlora na tregon se“Komandanti Holandez Tomson me shokë, përpiqej jashtëzakonisht për t’i organizuar malësorët. Ata ia dolën mbanë dhe i nisën deri te Ura e Dajlanit. Tomsoni, i hipur mbi kalë, shkoi përpara deri tek vija e parë, por u qëllua  në kraharor dhe ra në tokë. I gjori Tomson, kishte këshilluar një oficer që ndodhej pranë tij, të ruhej nga plumbat që vinin drejt tyre, por në fakt ra vetë i vrarë.”Koloneli Tomson dha shpirt në duart e bashkëluftëtarëve të tij holandezë, Majorit Roelfsema dhe Majorit Reddingus, mjekut ushtarak, që i dha dhe ndihmën e fundit, por pa mundur ta shpëtonte. Bashkë me të, në betejën e 15 qershorit 1914 u vranë edhe shumë luftëtarë shqiptarë, ndër ta dëshmorët Kapiten Kamber Sejdini, Haki Glina, Ceno Sharra, Ajdin Draga… Ishin 15 dëshmorë.Ceremonia e varrimit u zhvillua të nesërmen dhe morën pjesë të gjithë, që nga Princ Vidi, ministrat e Trupi Diplomatik, si dhe patriotët e shumtë që erdhën në Durrës, si Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Mehmet Deralla, Mehdi Frashëri, etj. Faik Konica mbajti në gjuhën frënge fjalën e rastit, që është botuar në revistën “Zana”, Durrës 1914. Ndër të tjera ai tha:

“Koloneli Tomson e stabilizoi situatën në saj të heroizmit të tij të rrufeshëm. Por Shqipëria, që ishte mësuar ta donte atë si mbrojtësin e rreptë të rendit publik, po e qan tani atë si një martir të Lirisë sonë.Tomsoni kishte vdekur në fushën e nderit! Mirënjohja jonë për Holandën, që na e kishte dërguar atë, barazohet me admirimin për popullin, që rriti heronj të tillë!…Populli shqiptar e deshi atë me një nderim të thellë… Dhe vetë kundërshtarët ishin të detyruar ta çmonin atë. Kalimi i tij i shkurtër në Shqipëri do të linte gjurmë të ndritur, e cila do të na ndriçojë në rrugën e detyrës. Dhe shembulli i tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe në Historinë tonë, si një monument më shumë i pavdekshëm se ai prej bronxi…”

Historia e Tomsonit është botuar tek ne. Busti i tij ka ardhur nga Groningeni në Durrës në vitin 2003, kur Presidentja e Fondacionit Tomson, zonja Jolien TC Berendsen – Princ, me kërkesën e “Miqëve të Tomsonit”, në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri – Holandë dhe të kryetarit të saj, Prof. Dr. Flamur Tartari, sollën një kopje bronxi të bustit të Tomsonit, duke zëvendësuar përmendoren e shkatërruar gjatë regjimit komunist. Busti u vendos në krye të Rrugës “Tomson” në Durrës, ku Tomsoni është Qytetar Nderi i qytetit që nga viti 2000. Emrin e Tomsonit e mban Akademia Ushtarake e Nënoficerëve në  Tiranë.

Me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, Koloneli Tomson është dekoruar më 19 mars të vitit 2003, nga Presidenti i Shqipërisë, me Urdhërin e “Shqiponjës të Artë”, për veprën e tij në Shqipëri dhe për trimërinë e treguar në Betejën e Urës së Dajlanit, më 15 qershor 1914. Tani, pas 100 vjetësh është koha që të dekorohen edhe oficerët e tjerë holandezë. Si një homazh nderimi vjen edhe ky artikull për veprimtarinë ushtarake dhe situatat politike që kaluan oficerët e Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri, në vitet 1913 – 1914.