Lista e re e barnave hyn në fuqi më 1 prill

Rimbursimi 

Përfitues, fëmijët e prekur nga diabeti, pacientët post- transplantim, të sëmurët me leucemi

Lorina Mixha

barnaLista e re e barnave me rimbursim do të hyjë në fuqi më 1 prill të këtij viti. Pavarësisht udhëzimeve të lëshuara vite më parë, për nisjen e vitit kalendarik me barnat e reja që përfshihen në listën e rimbursimit, këtë herë, 1 prilli pavarësisht me kaq “famë” të keqe për shkak se njihet si dita e rrenave, do të jetë një ogur i mirë për qindra pacientë në të gjithë vendin.

Më 1 prill, pacientët kronikë në të gjithë vendin do të kenë barna të reja me të cilat do të trajtohen.

Pritet të jenë më cilësore, më të shtrenjta, alternativa të para dhe jo zëvendësime, ndërkohë që pritet të ketë edhe barna të reja për përfitues të rinj si në rastin e moshave pediatrike, nga 0-12 vjeç.

Këtë vit do të përfshihen në rimbursim, fishat që përdorin pacientët me sëmundje të diabetit për të matur nivelin e sheqerit në gjak. Deri tani, gjithçka është përballuar nga vetë pacientët. Për këtë vit, në diskutimet e para të komisionit të hartimit dhe rishikimit të listës së barnave me rimbursim është përfshirja në listën e re të moshave pediatrike, të pacientëve që kanë nevoja emergjente dhe për të plotësuar kërkesat e një grupi të sëmurësh që prej vitesh kërkojnë jo vetëm sasi, por edhe cilësi në rimbursim.

Kategoritë

Këtë vit do të përfitojnë pacientët e prekur nga sëmundjet e gjakut, nga leucemia. Pritet që edhe në listën e këtij viti të ketë barna cilësore, të njohura në tregun ndërkombëtar dhe formula të njohura për efektin e tyre për trajtimin e sëmundjes.

Do të përfshihen në rimbursim cilësor të sëmurët e zemrës, do të ketë medikamente më të mira këtë vit për pacientët me zemër dhe tension. Nga ana tjetër, do të përfshihen në listën e rimbursimit edhe barnat post-transplant si për pacientët e vegjël ashtu edhe për të rriturit.

Nisur edhe nga numri i transplanteve që do të kryhen këtë vit në spitalet private në vend, me rimbursim nga shteti, do të shtohet edhe numri i përfituesve për barnat e nevojshme për të mbajtur parametrat shëndetësorë në nivelin e duhur. Të gjitha këto barna do të rimbursohen nga lista e re.

Pacientët që vuajnë nga sëmundjet neurologjike, pacientët që vuajnë nga obeziteti dhe të sëmurët diabetikë do të kenë barna cilësore dhe alternativa të para, medikamente të propozuara nga shefat e klinikave në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, por edhe nga vetë firmat farmaceutike ndërkombëtare që kanë përfaqësitë e tyre në vendin tonë.

Sistemi i barnave

Heqja e Tatimit të Vlerës së Shtuar prej 10 për qind për barnat në përgjithësi që tregtohen në të gjitha farmacitë e vendit do të realizohet më 1 prill të këtij viti. Ky vendim i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe i miratuar në Parlament në dhjetor 2013, nuk përfshihet ndër pikat e paketës së re fiskale që hyn në fuqi që më 1 janar 2014. Kjo për shkak sepse më 1 prill hyjnë në fuqi një tërësi rregullash të reja dhe ndryshime në sektorin e tregtimit të barnave, sistemit të farmacive dhe legjislacioni i rishikuar i sistemit të farmaceutikës.

Në prill pritet të nisë edhe ulja e çmimit të barnave në tërësi duke vendosur kriterin e çmimit të referencës, për të mos tregtuar më medikamente më të shtrenjta sesa vendi i prodhimit.

 

 

Prill 2014

 

TVSH

Për barnat që tregtohen në vend, heqja e TVSH-së me 10 për qind do të nisë në muajin prill të këtij viti. Ky ndryshim do të shoqërohet me një ligj të rishikuar të sistemit farmaceutik.

 

Lista

E re e barnave me rimbursim do të hyjë në fuqi në muajin prill të këtij viti së bashku me “paketën” e re që pritet të zbatohet në sistemin e shërbimit farmaceutik

 

Çmimi

Në prill pritet të nisë edhe ulja e çmimit të barnave në tërësi, duke vendosur kriterin e çmimit të referencës, për të mos tregtuar më medikamente më të shtrenjta sesa vendi i prodhimit

Autor te 24 Janar 2014. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry