Akuza kërkon pesë vite burg për katër punonjëse të maternitetit

Pretenca

Ato akuzohen për zhdukje ilaçesh me vlerë rreth 700 mijë lekë

Nën akuzë për “falsifikim dokumentesh”, një kryemami, një kryeinfermiere dhe dy farmaciste

materniteti mbreteresha geraldineProkuroria ka kërkuar pesë vite burg në total për katër ish-punonjëse të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, të cilat akuzohen se i kanë shkaktuar 700 mijë lekë dëm shtetit. Nën akuzë janë një kryemami, një kryeinfermiere dhe dy farmaciste, të cilat dyshohet se kanë shitur medikamente të skaduara, kur ishin me detyra përkatëse në maternitet. Por, sipas prokurorisë, katër ish-punonjëseve u janë vërtetuar akuzat për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” dhe jo nëse këto ilaçe janë përdorur nga pacientet. Në konkluzionet përfundimtare, prokuroria ka kërkuar nga 18 muaj burg për ish-farmacistet Marije Dobra dhe Vitore Zhupa, ndërkohë që nga 12 muaj burg janë kërkuar për kryemaminë Dashuri Kadesho dhe kryeinfermieren Lirie Shehaj. Ato akuzohen se kanë falsifikuar blloqet e hyrje-daljeve të medikamenteve dhe pajisjeve të nevojshme spitalore, duke shkaktuar një dëm financiar për spitalin, e cila është provuar në shumën e mbi 700 mijë lekëve të reja. Hetimi ka provuar gjithashtu se në farmacinë e spitalit janë gjendur në mënyrë të kundërligjshme medikamente të skaduara që në vitin 2008, por që në fletëhyrje është bërë si datë skadence viti 2010. Gjithsesi, nuk provohet që këto medikamente të skaduara të jenë përdorur te pacientët. Por provohet që sasia e këtyre ilaçeve të skaduara është përdorur për të mbuluar abuzimin financiar me medikamente të tjera, të cilat janë nxjerrë në mënyrë të paligjshme dhe për përfitim monetar nga ana e të pandehurave.

Kallëzimi

Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit penal datë 14 tetor 2009, të dërguar në prokurori nga ana e drejtorit të spitalit universitar obstetrik–gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” Tiranë. Në këtë kallëzim penal pretendohet se sektori i financës së maternitetit, gjatë një kontrolli rutinë të rastësishëm të ushtruar në lidhje me administrimin e medikamenteve dhe materialeve të mjekimit nga farmacia nëpër repartet e këtij spitali, ka vërejtur pasaktësi në dokumentimin dhe lëvizjen e vlerave materiale. Konkretisht, nga konstatimet paraprake gjatë ushtrimit të kontrollit ka rezultuar se, për periudhën 01 janar 2009–01 qershor 2009, kishte mospërputhje dhe korrigjime midis dokumenteve origjinale që dispononte farmacia dhe që ishin dorëzuar në financë për kontabilitet dhe shkarkim nga llogaria. Po ashtu, mospërputhje kishte mes kopjeve që mbaheshin në farmaci dhe kopjeve që i dispononte reparti, për sasitë e medikamenteve dhe materialeve të mjekimit të furnizuar nga farmacia. Me fjalë më të thjeshta, në dokumentet origjinale janë shtuar shifra “0” dhe “1” ose janë fshirë fare shifra që përfaqësonin sasitë që ishin kërkuar ose që kishin tërhequr në fakt repartet.

Dëmi

Nga kontrolli në fjalë është konstatuar se këto veprime kanë sjellë një dëm ekonomik në vlerën 262 mijë e 785 lekë. Duke u nisur nga ky fakt dhe, në bazë të urdhrit të brendshëm datë 20.07.2009, “Për inventarizimin e farmacisë”, është kryer inventarizimi i magazinës së farmacisë nga komisioni i inventarizimit. Nga inventarizimi kanë rezultuar diferenca në vlerën totale 755 mijë e 351 lekë, të cilat përbëjnë dëm ekonomik. Nga relacioni mbi kontrollin e befasishëm të kryer në farmaci dhe reparte, ka rezultuar se janë konstatuar mospërputhje dhe korrigjime midis dokumenteve origjinale të dorëzuar në financë nga farmacia dhe dokumenteve kopje që gjendeshin nëpër reparte.

Mekanizmi

Sipas prokurorisë, gjatë verifikimit ka rezultuar se në bllokun e tërheqjes së barnave për repartin e pediatrisë, të përpiluar nga e pandehura Lirie Shehaj, kryeinfermiere në këtë repart, janë shtuar disa medikamente dhe ampula që nuk rezultonin në kopjen e repartit të pediatrisë, pra nuk është tërhequr realisht për nevoja të këtij reparti. Për këtë veprim, sipas prokurorisë ka pasur dijeni edhe farmacistja Vitore Zhupa. Lirie Shehaj ka pretenduar se veprimi i saj është kryer nga pakujdesia, ndërsa mekanizmi i mësipërm e përjashton logjikisht këtë pretendim. I njëjti mekanizëm mësohet se është përdorur edhe nga Dashuri Kadesho, kryemami në këtë repart, për tërheqjen e barnave më 20 mars 2009. E pandehura Dashuri Kadesho, gjatë gjykimit të çështjes, ka pretenduar se fleta e tretë e falsifikuar, e pretenduar nga prokuroria, nuk është fletë inventari dhe as fletë kontrolli, pasi dy fletët e bllokut i merrte farmacia, e cila bënte rakordimet me sektorin e financës. Sipas prokurorisë, ky pretendim është i pabazuar, për shkak se fleta e tretë mbahet në repart. Pretendimi i prokurorisë është se ka prova që janë falsifikuar fletët origjinale të bllokut të tërheqjes së barnave, me qëllim paraqitjen përpara sektorit të financës të rrethanave të rreme në lidhje me daljen nga farmacia të medikamenteve. Në këto kushte, prokuroria ka ngritur akuzat përkatëse për secilën prej të pandehurave. Red. Akt.

Autor te 25 Janar 2014. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Mergim tari

    Kur vjen puna per shendetin dhe jeten e njerezve keto denime me duken si pushime vjetore….. Cmenduri…..