Shorti i Europianit 2016, Shqipëria në vazon e pestë

Për herë të parë, në fazën finale kualifikohen 24 skuadra

kombetarjaAshtu sikurse pritej, Shqipëria është vendosur në vazon e pestë për shortin e eliminatoreve të Euro 2016, turne që për herë të parë do të presë në fazën finale 24 skuadra. UEFA bëri publike shpërndarjen e 53 skuadrave në 6 vazo, ku në 5 prej tyre janë 9 skuadra, ndërsa në të fundit, vetëm 8. Ndërsa Franca, si vend organizator është e kualifikuar që tani. Shpërndarja e skuadrave në vazo është bazuar te koeficientët e UEFA-s në kualifikueset e Botërorit 2010 dhe 2014, si edhe Europianit 2012. Për herë të parë në eliminatoret e Europianit, UEFA ka pranuar pjesëmarrjen e Gjibraltarit, që gjithsesi nuk lejohet që të luajë në të njëjtin grup eliminator me Spanjën, kampionen në fuqi të Europës.

Shorti i eliminatoreve që do të hidhet më 23 shkurt në Nicë të Francës do t’i shpërndajë skuadrat në 9 grupe, 8 me 6 ekipe dhe vetëm një me 5 skuadra. Në grupin me 5 ekipe do të vendoset Franca, takimet e së cilës me kundërshtarët e tjera të grupit do të konsiderohen thjesht sfida miqësore. Të gjitha skuadrat e vazos së parë, Spanja, Gjermania, Holanda, Italia, Anglia, Portugalia, Greqia, Rusia dhe Bosnjë-Hercegovina, pra gjithsej 9 do të jenë koka grupi.

Në fund të eliminatoreve, dy skuadrat kryesuese të çdo grupi, si dhe skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve do të kualifikohen direkt në Europian, ndërsa tetë skuadrat e treta të çdo grupi do të luajnë play-off pas një shorti të dytë, për të përcaktuar 4 skuadrat e fundit që do të marrin pjesë në finalet e Europianit Francë 2016.

Nëse shorti do të jetë fatsjellës për Shqipërinë, kuqezinjtë mund të bien në një grup ku do të kenë shanse reale për t’u kualifikuar. Fushata eliminatore e Euro 2016 nis më 7 shtator të 2014-s dhe mbyllet më 13 tetor të 2015-s. Ndërsa faza play-off është parashikuar të zhvillohet në mes të nëntorit të 2015-s.

 

Vazot

Vazo 1

Spanjë

Gjermani

Holandë

Itali

Angli

Portugali

Greqi

Rusi

Bosnjë-Hercegovinë

 

Vazo 2

Ukrainë

Kroaci

Suedi

Danimarkë

Zvicër

Belgjikë

Çeki

Hungari

Irlandë

 

Vazo 3

Serbi

Turqi

Slloveni

Izrael

Norvegji

Sllovaki

Rumani

Austri

Poloni

 

Vazo 4

Mali i Zi

Armeni

Skoci

Finlandë

Letoni

Uells

Bullgari

Estoni

Bjellorusi

 

Vazo 5

Islandë

Irlandë e Veriut

Shqipëri

Lituani

Moldavi

Maqedoni

Azerbajxhan

Gjeorgji

Qipro

 

Vazo 6

Luksemburg

Kazakistan

Lihtenshtajn

Ishujt Faroe

Maltë

Andorra

San Marino

Gjibraltar

 

Kalendari i kualifikueseve UEFA EURO 2016

Java 1: 7–9 shtator 2014

Java 2: 9–11 tetor 2014

Java 3: 12–14 tetor 2014

Java 4: 14–16 nëntor 2014

Java 5: 27–29 mars 2015

Java 6: 12–14 qershor 2015

Java 7: 3–5 shtator 2015

Java 8: 6–8 shtator 2015

Java 9: 8–10 tetor 2015

Java 10: 11–13 tetor 2015

 

Play-off vajtje: 12–14 nëntor 2015

Play-off ardhje: 15–17 nëntor 2015

 

Shorti i fazës finale: 12 dhjetor 2015

Faza finale (Francë): 10 qershor – 10 korrik 2016

Autor te 25 Janar 2014. Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry