Raporti

Del vendimi i Komisionit të Konkurrencës për hetimin ndaj Vodafone për abuzim me pozitën dominuese. Problemet për konkurrencën me diferencimin on-net of-net dhe mbylljen e klientëve brenda Club-it. AK jep për AKEP rekomandime për marrjen e masave të menjëhershme për rivendosjen e tregut në konkurrencë…
Autoriteti i Konkurrencës (AK) pas një periudhe të gjatë hetimore ka zbardhur vendimin nr. 303 “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj ndërmarrjes “Vodafone Albania” sh.a dhe rekomandime për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare”.
Hetimi i Konkurrencës ka nisur pas ankesave të AMC dhe Plus ndaj abuzimit me pozitën dominuese të Vodafone dhe vendimit të AKEP nr.2118, datë 4.07.2012 “Për miratimin e dokumentit “Analizë e tregut celular: tregjet me shumicë të terminimit dhe akses/origjinimit dokumenti përfundimtar”, ku konstatohet se: “…në treg shohim një fenomen antikonkurrues që lidhet me diferencimin e theksuar të tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit nga operatorët celularë të konsoliduar në treg, pavarësisht se kostoja për thirrjet brenda rrjetit është e përafërt me koston për thirrjet jashtë rrjetit. Ky fenomen kushtëzon sjelljen e konsumatorit shqiptar, shkakton impakt negativ për konkurrencën e lirë në treg dhe kufizimin e saj për shkaqe që rrjedhin nga diskriminimi në aplikimin e thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit…”.
Vodafone, sipas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës është ndërmarrja me pjesë më të madhe tregu për vitin 2012 me 56.31% krahasuar me 51.71% në vitin 2011. Komisioni i Konkurrencës, nisur nga pjesët e tregut, pengesat e hyrjes në treg; konkurrenca potenciale; fuqia ekonomike dhe financiare e ndërmarrjeve; fuqia kundërvepruese e blerësve dhe karakteristikat e tjera të tregut, rezulton se në mbështetje të nenit 3, pika 5 dhe nenit 8 të Ligjit, por dhe nga praktika më e mirë e së drejtës europiane të konkurrencës, ndërmarrja Vodafone Albania ka pozitë dominuese tregun e telefonisë celulare me pakicë për vitet 2011-2012.
Vodafone i ka mbyllur klientët në rrjetin e vet duke zbatuar diferenca të mëdha në tarifat brenda me ato jashtë rrjetit. Sipas vendimit të Komisionit të Konkurrencës “kjo i bën telefonatat e klientëve Club drejtuar klientëve brenda rrjetit më të shtrenjta dhe “mbyt” nismën e tyre për të dalë jashtë tij, dhe duke nxitur tërheqjen nga ana e klientëve aktualë Club të të tjerëve jashtë Club-it për të shmangur daljen jashtë tij, e cila do t’i përballte me kosto të larta.
Pra, ndërmarrja Vodafone, në planin e saj tarifor Vodafone Club, i ka mbyllur pajtimtarët e saj për të komunikuar vetëm brenda këtij Plani Tarifor.
Një tjetër konkluzion i hetimit është se diferencimi i çmimeve te pakicës on-net të Vodafone drejt operatorëve të tjerë nuk kanë lidhje me çmimet e shumicës që Vodafone duhet t’u paguajë operatorëve për terminimin e thirrjeve, bazuar në rregulloren e AKEP-it. Në këto kushte mund të konsiderohet se këto diferenca në çmim janë të pajustifikueshme dhe të orientuara për të nxitur klientët që të zgjedhin dhe të qëndrojnë brenda në rrjetin e Vodafone Club.
Komisioni i Konkurrencës ka arritur në konludimin se për thirrjet jashtë rrjetit, ndërmarrja Vodafone aplikon çmime shumë të larta për thirrjet drejt operatorëve të tjerë celularë, të cilat nuk kanë lidhje me vlerën e tarifës së terminimit që ndërmarrja Vodafone do të duhet t’u paguajë këtyre operatorëve, e cila është një e ardhur për këta operatorë.
Konkurrenca shprehet se “ndërmarrja Vodafone nëpërmjet aplikimit të çmimeve të larta për thirrjet jashtë rrjetit ngre një barrierë për pajtimtarët e vet për të kryer thirrje jashtë rrjetit, e cila do të gjeneronte të ardhura për konkurrentët e Vodafone ose shpenzime për terminimin për Vodafone. Kjo ulje e të ardhurave nga terminimi duket mjaft qartë që operatorët konkurrentë të tij, gjatë periudhës së hetimit, kanë dalë përgjithësisht me rezultat negativ nga terminimi”.
Konkluzioni përfundimtar i Komisionit të Konkurrencës në pikën 108 të vendimit është se “Si konkluzion, në përfundim të analizës dhe evidencave ndërmarrja “Vodafon Albania” Sh.a. gjatë periudhës objekt hetimi kishte pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë sipas kritereve të përcaktuara në nenin 8 të Ligjit. Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes objekt hetimi rezulton se strategjia e ndjekur nga ky operator shkakton shqetësime për konkurrencën në tregun përkatës si dhe efekte negative për konkurrencën në periudha afatgjata ndaj konkurrentëve më të vegjël, nëpërmjet aplikimit të strategjisë diferencuese të çmimit të thirrjeve brenda me jashtë rrjetit (on-net vs off-net). Diferencimi i çmimeve brenda me jashtë rrjetit mund të përdoret si një mekanizëm i mbylljes së tregut nga operatorët e mëdhenj për operatorët e vegjël, të cilët mund të rrezikojnë daljen nga tregu përkatës dhe ky fakt përbën një shqetësim për mirë funksionimin e tregut në një periudhë afatgjatë”.
Për arsyet e përmendura më sipër, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar AKEP, të marrë masat e ndërmjetme dhe të menjëhershme, përpara përfundimit të analizës së tregut të pakicës së telefonisë celulare, për të bërë të zbatueshme zgjidhjet e rregullimit të tregut për të parandaluar daljet nga tregu që do kishin pasoja afatgjatë mbi konkurrencën.
Në mënyrë të detajuar masat që duhet të marrë enti rregullator i tregut lidhen me:
Të modifikojë modelin BULRAIC duke ulur ndjeshëm koston e terminimit për operatorët me peshë më të vogël në treg, me qëllim nxitjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun përkatës;
Të detyrojë zvogëlimin real të diferencës së tarifave off-net/on-net brenda dhe jashtë paketave dhe planeve tarifore specifike për operatorët që kanë pozitë dominuese.
Konkurrenca i rekomandon AKEP të realizojë analizën e tregut të pakicës në telefoninë celulare për të adresuar zgjidhjet për shqetësimet e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare me pakicë, duke ndërmarrë masa konkrete rregullatore për reduktimin e diferencimit të theksuar të tarifave për thirrjet brenda rrjetit me tarifat jashtë rrjetit të operatorit Vodafone.
Sipas Konkurrencës, në rolin e Rregullatorit, AKEP duhet të monitorojë zbatimin e angazhimit publik të Vodafone Albania për barazimin e tarifave brenda Vodafone Club dhe jashtë rrjetit të Vodafone (drejt fix, AMC, Eagle dhe Plus) dhe në veçanti, të reflektojë realisht zvogëlimin e kësaj diference jo vetëm në tarifat nominale (off-net, on-net), por edhe në njësitë e përfshira në paketat opsionale të komunikimit kombëtar (ofertat dhe paketat javore, mujore e vjetore).
Vendimi i është bërë me dije AKEP, shoqërisë nën hetim nga Autoriteti Vodafone dhe ankimuesve AMC dhe Plus.
Revista Monitor