Shqiptarët, hapën dyert për hebrenjtë

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Holokaustit kujtohet në një aktivitet në Muzeun Historik Kombëtar

Holokausti, hebrenjte (1)Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Holokaustit është kujtuar dje në Tiranë, në një aktivitet të realizuar nga Ambasada e Izraelit, Bashkia e Tiranës, BE dhe Prezenca e OSBE-së, në Muzeun Historik Kombëtar. Të pranishmit kanë folur mbi të shkuarën dhe kontributin që dhanë shqiptarët në mbrojtje të hebrenjve. Në sallën kryesore të Muzeut, piktori Bujar Arizi prezantonte në një ekspozitë punë të frymëzuara nga kjo temë. Imazhe viktimash në kampe përqendrimi, një përhumbje mes së kuqes së gjakut dhe së verdhës së historisë, shoqëronin tablotë e tij. Në takim është lexuar dhe një tregim i shkrimtarit Ylljet Aliçka për hebrenjtë. Një histori e treguar përmes simboleve për forcën e jashtëzakonshme të këtij populli. “Kujtesa e shqiptarëve me mbrojtjen ndaj hebrenjve është për të respektuar dhe veten e tyre. Duke përkujtuar Holokaustin çdo vit, ndiejmë që viktimat nuk e kanë thënë ende fjalën e tyre të fundit…”, tha Aliçka.

27 Janari kremtohet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Holokaustit.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara para 8 viteve vendosi që t’u bëhen nderime viktimave të Holokaustit më 27 Janar, datë kur para 69 viteve ndaloi së funksionuari llogori nazist i vdekjes, Aushvic. Me rezolutën e Organizatës Botërore me të cilën shpallet si Ditë Ndërkombëtare e Holokaustit, bëhet thirrje për respektimin dhe përkujtimin e viktimave të Holokaustit dhe të përpunimit dhe realizimit të programeve arsimore me qëllim që ngjarje të tilla të historisë të mos përsëriten asnjëherë. Më 27 janar të vitit 1945, Armata e Kuqe e Lidhjes Sovjetike arriti në Aushvic. Ata hasën disa mijëra të burgosur që kishin mbetur në kamp, i cili ishte pjesërisht i shkatërruar nga gjermanët të cilët tërhiqeshin. Të mbijetuarit dhe dëshmitë materiale tregonin për vrasjet masive të cilat janë zhvilluar në Aushvic. Rreth 90 për qind e viktimave në llogorin më të madh vrasës ishin hebrenj. Shqipëria renditet ndër vendet që u hapi dyert hebrenjve. Ajo u kthye në një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur, ku një pjesë qëndruan aty deri sa mbaroi Lufta e Dytë Botërore e një pjesë kaloi matanë drejt vendeve të tjera. Kudo në Europën Juglindore, shqiptarët u përpoqën dhe i shpëtuan hebrenjtë që kishin pranë. Gjurmët e shpëtimit gjenden në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Tiranës, Beratit, Krujës, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjirokastrës, etj. Hebrenjtë drejtoheshin drejt Shqipërisë e tokave shqiptare, sepse e dinin se aty si nga populli ashtu edhe nga qeveria nuk kishte përndjekje të tyre, nuk kishte kuota pranimi, nuk kishte përbuzje fetare apo kombëtare, nuk kishte gjenocid ndaj kombeve të tjerë. Ata e dinin se shqiptarët kishin besë, se i hapnin derën mikut dhe kujtdo që ishte në nevojë, se qeveria e tyre dëshironte përparimin e vendit dhe të ekonomisë, dhe se hebrenjtë vendas jetonin si gjithë të tjerët. Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 1931, Shqipëria kishte 200 hebrenj. Sipas dokumentimeve, Kosova kishte para Luftës së Dytë Botërore rreth 600 hebrenj, të cilët shpëtuan duke u zhvendosur në Shqipërinë Qendrore. Çështja e shpëtimit të tërë hebrenjve në Shqipëri është bërë tashmë mjaft e njohur dhe Institucioni Yad Vashem në Jerusalem deri më tani ka dokumentuar dhe njohur zyrtarisht 70 shqiptarë si “Fisnikë” të shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit. Kjo njohje, si brenda ambientit shqiptar ashtu edhe në botë, ka ardhur falë punës së vazhdueshme të historianëve, veprimtarëve të çështjes shqiptare e shoqatave qytetare, studiuesve, gazetarëve, politikanëve, miqve dhe dashamirësve të ndryshëm. Një dije e përbërë nga dy pjesë që plotësojnë njëra-tjetrën në lidhje me hebrenjtë e shpëtuar në Shqipëri vjen nga historianët Apostol Kotani dhe Shaban Sinani. Shaban Sinani ka hulumtuar në detin e dokumenteve të arkivuara në Shqipëri dhe i ka përmbledhur ato në librin “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi, 2009″. Nga bashkimi i listave të hollësishme dhe emër për emër nga këto dy libra, del se në Shqipëri u shpëtuan deri në fund të Luftës së Dytë Botërore të paktën 2741 hebrenj. Në këtë numër përfshihen vetëm hebrenjtë e këtyre dy listave që lanë gjurmë te njerëzit dhe nëpër dokumente. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që hynë me pasaporta jo të vërteta apo me emra të tjerë, ato që hynë fshehtas, ata që mund të jenë në lista të tjera, si dhe ata që nuk dihen akoma. Nga libri i Apostol Kotanit, këtij numri i shtohen edhe 53 të tjerë me të dhëna të paplotësuara. Gjithashtu nga libri i Shaban Sinanit, këtij numri i shtohen edhe 370 anëtarë familjesh të paregjistruar si emra të veçantë, që bashkë me kryefamiljarët e tyre (të regjistruar në dokumente dhe në listën e madhe) u tërhoqën nga Kosova drejt Shqipërisë Qendrore më 1942. Si përfundim, numri i hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri arrin të paktën 3164 vetë. Shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë pa më të voglin interes, pa më të voglin kusht, pa më të voglin përfitim apo shpërblim, dhe gjithmonë duke ruajtur kujtimet e tyre. Këta hebrenj të shpëtuar janë ata që i mbijetuan Holokaustit nëpërmjet ndihmës shqiptare, që u martuan, lindën e vazhduan rrjedhën e tyre të jetës në Shqipëri e vendet e tjera. Hebrenjtë që mbetën në Shqipëri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore lanë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës shqiptare dhe kujtohen me respekt.
Për herë të parë e të fundit në vitin 1929 – 1931, u bë regjistrimi i lirë i hebrenjve në Shqipëri, gjë që nuk ishte bërë kurrë më parë as në Europë. Ata patën mundësinë e ditës së shtunë pushim si dhe të faltoreve të tyre. Në vitin 1933 – 1934 janë përpjekjet e Mbretërisë Shqiptare me Këshilltarin e Mbretit, z. Mehmet Konica dhe Ambasadorin Amerikan, z. Herman Bernstein, për sigurimin e hebrenjve. Mbretëria shqiptare dhe qeveria austriake në vitin 1930 hoqën vizat në bazë të një marrëveshje dypalëshe. Kjo gjë lehtësoi hebrenjtë nga Austria të vinin në Shqipëri. Kjo konventë është ende në fuqi. Deri në shkurt 1939, kanë qenë bisedimet e fundit për të arritur marrëveshje me qeverinë britanike për të mundësuar transferimin e hebrenjve sa ishin në Palestinë. Në vitin 1930, fotografi zyrtar i Oborrit Mbretëror ishte izraelit (Vaisman). Ishin 15 Vaisman që janë vendosur në Shqipëri dhe janë të së njëjtës familje të Presidentit të Izraelit, Vaisman.
Mjeku i Nënës Mbretëreshë Geraldinë ishte hebre (Overnofski). Shtatë ose tetë specialistë të Oborrit Mbretëror ishin hebrenj. Numri i hebrenjve që hyrë në Shqipëri nga 1931 – 1939 ishte 1200 me emra e dokumente të rregullta, pa përfshirë këtu ata që ishin me dokumente me emra të ndryshëm.

 

Autor te 28 Janar 2014. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • nastradini

    Pershendetje nga nastradini per gazeten SHQIP qe publikon te VERTETA historike te Mbreterise shqyptare dhe qe u jep shqyptareve nje ndjenje krenarie kombetare ne dallim nga politika diletante mesjetare qe kerkon te ktheje Kohen e Qepes te Enver Hoxhes me 29 nentorin e ZI dhe LANC-in e tij kriminal.

    • KOSOVAR

      Sapo lexova nje artikull ku spjegoheshte nje dokument i CIA-se, thuhej se Zogolli kishte mardhenie seksuale me te motren e vet. Po, Ahmet Zogolli i veteshpalluri mberet. A i qe u rikthye ne Shqiperi me ndihmen e ushtareve serb e rus, ai qe shiti Shqiperine pjese pjese ( ate beri Sali Berisha si pasardhes i denje i tij ), ai qe vrau Bajram Curin, Avni Rustemin etj. Per te e ke fjalen?Me siguri je nje adhureas i burit te Slobodankes Sali Berishes.