Kontrolli i Lartë i Shtetit publikon shifrat: Mungojnë 150 milionë dollarë në arkën e shtetit


Deklaratat


Nishani – “Duhet auditim sa më i thellë që të jetë i mundur për një çështje. Gjetje të reja dhe vendosje përballë elaborimit të hapësirës ligjore”


Llalla – “Nga hetimet e prokurorisë rezulton se abuzimet me funksionin publik janë shtrirë në thuajse të gjitha nivelet e administratës publike”


klshPlot 150 milionë dollarë është dëmi ekonomik në financat publike i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2013. Shifra rekord është bërë publike nga kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, gjatë analizës vjetore të punës, ku merrnin pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, si dhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Sipas të dhënave të prezantuara dëmi ekonomik është konstatuar pas 164 auditimesh të bëra nga inspektorët e KLSH-së në institucionet shtetërore. “Nga auditimet e ushtruara përgjatë vitit 2013, KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare të vlerësuara si dëm ekonomik në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera, në nivelin 15.1 miliardë lekë, duke kërkuar shpërblimin e dëmit”, deklaroi kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj. Shifra e dëmit ekonomik tregon se pavarësisht kërkesave për ndjekje penale të abuzuesve me fondet shtetërore, si dhe propozimet e tjera lidhur me largimet nga puna dhe zhdëmtimin e fondeve, abuzimet vijojnë të jenë në rritje, ku janë bërë të paktën 1100 të tilla, nga të cilat 34 janë kallëzime penale për rreth 100 zyrtarë të administratës publike. Nga konstatimi i bërë nga institucioni që drejtohet nga Leskaj, rezulton se dëmi ekonomik për dy vitet 2012-2013 është afërsisht dy herë më i madh se në periudhën 2009-2012. Pothuajse siç do vit tjetër, rezulton se pjesa më e madhe e dëmit të zbuluar është nga shitja dhe dhënia me qira apo me koncesion e pasurive publike. Krahas zbulimeve me dëm ekonomik KLSH, sipas Leskajt, ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në nivelin e 4.4 miliardë lekëve ose 2.5 miliardë lekë më shumë se në vitin 2012. Në fjalën e tij gjatë kësaj analize, Presidenti Bujar Nishani kërkoi bashkëpunim mes Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioneve të tjera si Prokuroria dhe Parlamenti në kuadër të zbatimit të plotë të ligjit. Nga ana e tij, kryeprokurori Adriatik Llalla pasi vlerësoi bashkëpunimin mes institucioneve, theksoi faktin se rastet e shumta që janë dorëzuar në prokurori nga ana e KLSH-së tashmë kanë shkuar në gjykatë ose janë në përfundim të hetimeve. Po ashtu, në të gjitha rastet, Prokuroria ka kërkuar masën e pezullimit nga detyra për zyrtarët ndaj të cilëve është regjistruar procedimi penal.


Ndërkohë, nga analiza e të dhënave në vitin 2013 KLSH, ka rekomanduar më shumë përmirësime ligjore sesa masa organizative, duke qenë se impakti i një përmirësimi ligjor është më i prekshëm. Kështu, në kuadër të përmirësimit të kapaciteteve ligjore, KLSH ka propozuar disa ndryshime të rëndësishme kushtetuese e ligjore. Së pari KLSH ka kërkuar vendosjen e kufirit të borxhit publik në Kushtetutë, propozim ky i bërë prej 2 vitesh. Propozimi i dytë ka marrë shkas nga auditimi i performancës për ndarjen administrative të kryer në muajin shkurt- tetor 2013, ku KLSH ka rekomanduar ndërhyrjen në ligjin për pushtetin vendor, për reduktimin e numrit të bashkive e komunave.