Parashikim për 2014: Pagimi i detyrimeve të prapambetura do të çlirojë kredinë


Albania's central bank governor Fullani speaks during a news conference in TiranaQeveria shqiptare duhet të marrë masa për të kontrolluar dhe ulur borxhin publik. Ky ka qenë rekomandimi i dhënë dje nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas prezantimit të vendimeve të marra nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së. Sipas Fullanit, borxhi tenton të rritet edhe më shumë në kushtet e një rritjeje të dobët ekonomike. “Duke u nisur nga roli parësor që ka qëndrueshmëria fiskale për stabilitetin e përgjithshëm ekonomik e financiar të vendit, si dhe nga niveli i lartë i borxhit publik në vend, Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe mbështetur marrjen e masave për kontrollin dhe reduktimin e këtij borxhi në një periudhë afatmesme”, deklaroi kreu i BSH-së. Duke e vlerësuar vitin që lamë pas si një vit mjaft të vështirë për ekonominë e vendit, guvernatori paralajmëroi një përmirësim të lehtë të situatës për vitin 2014. “Viti 2013 ishte një vit i vështirë për ekonomikë, ku kërkesa agregate ishte e ulët, inflacioni u mbajt në nivel të ulët, ndërsa deficiti dhe borxhi publik ishte në nivel të lartë. Mjedisi ekonomik ishte i pafavorshëm, ndërsa periudha zgjedhore reflektoi momente pasigurie. Kjo u reflektua në konsum të ulët dhe me kushte shtrënguese për kreditim, ndërsa niveli i borxhit publik qëndroi i lartë edhe për shkak të mungesës së stimujve”, deklaroi Fullani. Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet vazhdojnë të vuajnë nga shkalla e ulët e besimit, si dhe nga kushtet e shtrënguara të financimit. Po ashtu, mosgrumbullimi i të ardhurave ka krijuar një nivel të lartë borxhi publik, i cili ka kufizuar mundësitë e saj për stimul në tërësi për ekonominë. Për shkak të këtyre kushteve, Shqipëria ka një nivel borxhi gati dy herë më të lartë se vende të tjera të rajonit. Megjithatë, për vitin 2014, Banka e Shqipërisë parashikon një përmirësim të lehtë të ekonomisë. Ashtu si vitin që lamë pas, të vetmit sektorë ku do të vijojë të mbështet ekonomia shqiptare do të jenë eksportet dhe investimet. Por Banka e Shqipërisë shpreson se, pagimi i detyrimeve të prapambetura do të ndihmojë në përmirësimin e bilancit të firmave dhe të sektorit privat dhe pritet të përmirësojë aftësitë e bizneseve për të tërhequr kredi. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë lajmëroi se do ndjekë një politikë monetare lehtësuese, me ulje të tjera të normës bazë të interesit. Por, nga ana tjetër, vëren se çmimi i kredisë në lekë nuk e ka reflektuar plotësisht uljen e normës bazë të interesit që banka ka aplikuar në dy vitet e fundit. Ky mosreagim i bankave për të dhënë kredi më të lirë lidhet me faktin se, rreziku për moskthimin e kredisë është i lartë. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë vendosi sërish dje të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e lënë në nivelin prej 3 për qind, duke theksuar se niveli i normës bazë të interesit u bë për të stimuluar ekonominë.