Ilir YzeiriIlir Yzeiri


Emri i ministrit shqiptar të Rendit, Saimir Tahiri, është përmendur me një dendësi të madhe këto javët e fundit. Edhe autori i këtyre radhëve, për të tretën herë me radhë, po merret pjesërisht me të dhe posaçërisht me atë që po ndodh në Shqipëri në fushën e rendit publik. Saimir Tahiri është një zyrtar i lartë i shtetit në një dikaster të vështirë dhe të ekspozuar. I ri dhe ndoshta me një sinqeritet të tepruar, i papërlyer në biografinë e tij politike, qoftë për shkak të moshës, qoftë edhe për shkak të personalitetit të tij, ai u ekspozua që në fillim në mënyrë provokuese ndaj mediave. E nisi me aksionin për të stabilizuar trafikun dhe përfundoi në krye të një aksioni vërtet spektakolar në hetimin dhe ndalimin e një grupi të rrezikshëm vrasësish me tritol. Në këta katër muaj, Shqipëria u trondit në më shumë se një rast nga krime makabre dhe nga ekzekutime me tritol. Mirëpo në fund, Policia e Shtetit e dha një përgjigje. Ajo arrestoi një vrasës me pagesë dhe një rrjet të tërë krimi. Të mos harrojmë se para tij ishte arrestuar dhe një vrasës tjetër me pagesë. Mirëpo gjithë këto ngjarje makabre po përcilleshin në Shqipëri me ndjenjën e atij që bën tifozllëk në një stadium.


 


Opozita e humbura e parë


Në pamje të parë po dukej se rendi po kalonte një situatë të vështirë dhe për pasojë, ministri i Brendshëm që nuk mungonte të shfaqej nëpër media, mund të ishte njeriu i parë që do të penalizohej. Mirëpo ndodhi krejtësisht e kundërta. Strukturat që ai drejton arritën të zbulojnë dhe të ndalojnë një killer me pagesë, i cili mund të bëjë xheloz edhe Hollivudin për krimet që ka kryer. Këtu nisën edhe komentet. Në fillim opinioni publik po shprehte rezerva për performancën e qeverisë dhe të rendit, mirëpo opozita dhe Berisha i tejkaluan të gjitha parashikimet dhe nisën një fushatë të pështirë me fyerje e llomotitje bajate aq sa e neveritën opinionin. Kur Policia e Shtetit arriti suksesin, pra kur ajo e ndaloi krimin, opinioni publik e duartrokiti me të drejtë Policinë e Shtetit, sepse shqiptarët duan siguri dhe rend, ndërsa opozita ulërinte dhe nisi të sajojë një histori me të penduar që shkojnë nëpër gazeta dhe policia nuk i arreston. Ishte e turpshme ditën e enjte në darkë se si gazetarë dhe deputetë lexonin një letër të shkruar nga Berisha, ku tregohej se një nga të penduarit kishte shkuar të dorëzohej, po policia nuk e kishte besuar. Ardian Çipa, kryekomisari i Tiranës, ai që e organizoi dhe e finalizoi këtë operacion delikat, e hodhi poshtë në mënyrë kategorike këtë version. Por njerëzi e Berishës nëpër televizione zgërdhiheshin dhe kujtonin se po e mundnin policinë. Në fakt, jo. Është po ai detashment opinionistësh dhe janë po ata ekrane që duke e mbrojtur, e masakruan Sali Berishën dhe qeverinë e atëhershme dhe duke sharë Edi Ramën dhe opozitën e atëhershme, i dhanë më shumë fat. Falë atij detashmenti opinionistësh, Edi Rama dhe PS-ja e shpartalluan PD-në duke bërë për vete mbi një milion votues. Në këtë garë e futi si padashur edhe Saimir Tahiri opinionin publik dhe arriti ta fitojë këtë betejë.


 


Krimi dhe policia


Akuzat se krimi ka fijet e tij në kupolën e policisë kanë qenë një refren i vijueshëm për qeverinë që shkoi. Kam pasur raste që të jem në kontakt me shumë specialistë të sigurisë, të huaj e të vendit për shkak të angazhimit tim në disa projekte si ai “SOS trafik”, financuar nga IOM, 10 reportazhe kundër korrupsionit financuar nga koalicioni Kundër Korrupsionit (ACAC) apo mbi njëzetë reportazhe për korrupsionin në kuadër të programit “HAPUR” dhe financuar nga IREX. Në Shqipëri të gjitha sukseset kundër goditjes së krimit janë shënuar në fazën e parë kur policia nuk ishte e lidhur me krimin. Pas vitit 1997, të gjithë ministrat e Brendshëm që vinin në detyrë, në muajt e parë ishin shumë të suksesshëm, pastaj fillonte rënia. Agjencitë e specializuara amerikane apo europiane që janë pranë Ministrisë së Rendit ia vënë në tryezë çdo ministri dosjet që ata kanë përgatitur për reformat që duhen kryer apo për zonat e nxehta të krimit që duhen goditur. Duhet vetëm vullnet politik. Ky vullnet politik në fillim nuk mungon, pastaj venitet dhe krimi i sofistikuar vendos lidhjet me kupolën e policisë dhe ai bëhet i paprekshëm. Në policinë shqiptare, por edhe më gjerë, thuhet pak a shumë kështu, se rendi mund të vendoset dhe territori mund të kontrollohet. Po si? Në qoftë se polici i thjeshtë e sheh se eprori i tij e ka seriozisht, mobilizohet dhe ai, eprori i radhës në qoftë se e sheh se kupola e ka seriozisht, edhe ai nuk vë gjumë në sy, kupola e policisë sheh në sy ministrin. Në qoftë se ky e ka seriozisht dhe nuk është i lidhur me krimin dhe se nuk do të dekonspirohet, atëherë edhe ajo do të punojë me përkushtim maksimal. Dhe sukseset nuk do të mungojnë. Në këtë kuptim, Saimir Tahiri e ka fituar bastin sepse ai dhe kryeministri shqiptar nuk janë të lidhur me krimin dhe nuk bëjnë lojën e tij. Për fat të keq, qeveria që shkoi e kishte dëshmuar në shumë raste se këtë bast e kishte humbur. Por ky është vetëm fillimi dhe basti i parë që Saimir Tahiri e ka fituar.