Kulturë Shaban Demiraj, Kodet e Gjuhës

Shaban Demiraj, Kodet e Gjuhës

2186
SHPËRNDAJE

shaban-demiri-int“Gjuha shqipe dhe historia e saj” e Shaban Demirajt, mbetet një vepër me vlera aktuale për Albanologjinë. Edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga botimi i parë i saj, ajo zë kreun e vendit dhe mbetet një literaturë e domosdoshme dhe aktuale për këtë lëmi dijesh, jo vetëm për gjuhëtarët e studentët, por edhe për një lexues më të gjerë, i cili kohët e fundit është përballur edhe me përsiatje diletante në këtë fushë të rëndësishme studimesh të historisë së popullit tonë dhe të gjuhës së tij të lashtë.

Prof. as. dr. Mimoza Karagjozi Kore

Libri i prof. Shaban Demirajt “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (ribotim) vjen përsëri para lexuesit si një studim i përkujdesur mirë nga prof. Bardhyl Demiraj. Edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga botimi i parë i saj, ajo zë kreun e vendit dhe mbetet një literaturë e domosdoshme dhe aktuale për këtë lëmi dijesh, jo vetëm për gjuhëtarët e studentët, por edhe për një lexues më të gjerë, i cili kohët e fundit është përballur edhe me përsiatje diletante në këtë fushë të rëndësishme studimesh të historisë së popullit tonë dhe të gjuhës së tij të lashtë. Vepra si kjo që kemi sot përpara nesh, si dhe të tjera që pasuan nga ky studiues, së bashku me ato të një plejade gjuhëtarësh të tjerë të këtij brezi (E. Çabej, M. Domi, I. Ajeti, S. Mansaku, R. Ismajli etj.) na kanë bërë për vite me radhë të krenohemi me to, sepse na kanë dhënë argumente shkencore në përballje të vështira që i është dashur të përballojë shkenca e Albanologjisë, vështirësi që vijnë nga mungesa e dokumentacionit historik, veçanërisht për periudhën e Antikitetit. Kjo vepër ka shërbyer në këta 25 vjet edhe si një burim i rëndësishëm shkencor me të cilin u është dashur të konsultohen edhe një varg albanologësh të huaj. Sqarimi i vendit të shqipes në rrethin e familjes indoevropiane, priret në studim nga një varg faktesh gjuhësore që vërtetojnë se shqipja është gjuhë e kësaj familjeje. Profesori duke u mbështetur në materialin leksikor, fonetik e gramatikor të shqipes, krahasuar me gjuhët e tjera të kësaj familjeje e duke i përdorur të dyja metodat, si krahasimin e brendshëm edhe atë të jashtëm, është përpjekur në këtë kre të depërtojë në thellësinë e së shkuarës ku bashkëpërkimet dhe afëritë e gjuhëve bëhen më të dukshme. Pas analizës që iu bën njësive leksikore të trashëguara në të gjitha nënsistemet e gjuhës, ai arrin në përfundimin se gjurmët e trashëgimisë indoevropiane janë më të dukshme në sistemin foljor. Për sa i përket vendit të shqipes në ndarjen e madhe “dialektore” kentum, apo satem, profesori ka trajtuar gjerësisht e në mënyrë origjinale rrugën e reflektimit të bashkëtingëlloreve grykore /k,g, gh/, duke analizuar në mënyrë kritike edhe përfundimet e paraardhësve. Ai arrin në rezultatin e pranuar sot edhe nga albanologë të tjerë se nëna e shqipes i kishte dalluar prapaqiellzoret e thjeshta nga buzo-prapaqiellzoret ashtu siç dallonte edhe tektalet. Ai pajtohet kështu me tezën e H. Pedersenit rreth ekzistencës së tri serive të guturaleve në gjuhën shqipe. Vlerësimi i drejtë që ka rrjedhur nga analiza e hollësishme që i ka bërë kësaj çështjeje, hedh dritë në vepër edhe në sqarimin e një prej tezave më të diskutueshme të etnogjenezës. Prejardhja e shqipes prej ilirishtes është vënë në dyshim pikërisht edhe për shkak të hipotezës se ilirishtja ka qenë gjuhë kentum, kurse shqipja është gjuhë satem sikurse ka qenë edhe trakishtja. Profesor Sh. Demiraj është ndër të parët albanologë shqiptarë që vë në dyshim materialin gjuhësor të sjellë për ilustrim nga ilirishtja, më saktë nga venetishtja e vjetër për të vërtetuar karakterin kentum të saj. Punën për të parë se e ç’karakteri ka qenë ilirishtja ai e përqendroi tek ilirët e Jugut. Po kështu ai tërheq vërejtjen në lidhje me emrat e përveçëm që merren në këtë rast për shqyrtim, sepse lashtësia e tyre nuk është e sigurt. Mbi bazën e kriterit që ato duhet të dëshmohen të paktën që nga kohët e lashta greko-romake, ai analizon gjerësisht toponimet e hershme Ulqin < Ulkinion / Olcinium dhe Durrës < Durrachion / Dyrrachium. Në kreun që pason, në të cilin profesori sqaron vendin dhe kohën e formimit të gjuhës shqipe, ndalet edhe në shpjegimin e toponimeve të tjera, veçanërisht të atyre që shtrihen përgjatë bregdetit, si: Shkodra, Buna, Vlora, Ishmi, të cilat i ka përzgjedhur mbi kriterin e mësipërm. Ky studim i çmuar i jep përgjigje të argumentuar edhe arsyeve pse ilirishtja apo më saktë një a disa dialekte ilire kaluan përfundimisht në një gjuhë cilësisht të re siç është gjuha shqipe. Këto arsye, që nuk janë faktorë ekstralinguistikë, autori i quan risi, dhe i ka vërejtur si zhvillime brendagjuhësore, të cilat kanë ndodhur për shekuj me radhë, si: kalimi nga theks i lirë i indoevropianishtes në theks të ngulitur; lakimi në ballë të fjalës dhe metafonia. Evolucioni i shkallshëm që u shoqërua edhe me shfaqje të dukurive të tjera, shpuri në krijimin e gjuhës shqipe, historia e mirëfilltë e së cilës, sipas Sh. Demirajt fillon pas shek. VI e.s. Një nga burimet e rëndësishme të studimit të historisë së gjuhës shqipe për çdo gjuhëtar janë marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera. Pikërisht këtij burimi i është referuar profesori në kreun VI të punimit. Leksiku i një gjuhe është pjesa më e lëvizshme e saj prandaj dhe kriteret e studimit dhe ato të shtresëzimit të tij, autori i bën të qarta qysh në hyrje. Në ditët e sotme, për të gjithë ata pseudostudiues që lehtësisht heqin vija paralele të leksemave të shqipes me gjuhët e tjera, ky kre duhet të përbëjë literaturën bazë për të parë se me sa seriozitet duhet trajtuar leksiku i një gjuhe dhe ç’faktorë duhen pasur parasysh në vlerësimin shkencor të tij. Shtresimi kohor i fjalëve prej burimit të huaj përfshin së pari ato të fondit të trashëguar të shqipes, të cilat mund të jenë të substratit parailir, e si të tilla janë vështirësisht të dallueshme. Së dyti, vijnë ato që janë krijuar gjatë evolucionit të vetë ilirishtes, edhe këto gjithashtu të vështira për t’u veçuar e për t’u dalluar dhe së treti janë ato që mendohet se vijnë nga indoevropianishtja dhe që kanë një lloj përparësie në veçim, sepse punën e lehtëson krahasimi me gjuhët e tjera që rrjedhin prej i.e., si greqishtja e vjetër, latinishtja, sllavishtja etj. Për të ndjekur jetën e fjalës, pra për të vërejtur se cilat fjalë të trashëguara të shqipes janë ruajtur e cilat kanë dalë prej saj, profesori i drejtohet edhe teksteve të vjetra të gjuhës shqipe e të folmeve arbëreshe. Po kështu duke u konsultuar me Fjalorin Etimologjik të Majerit, Studimet Etimologjike të Çabejt e duke shtuar në këtë botim të ri edhe konsultimin me Albanische Etymologien të Bardhyl Demirajt, ai parashtron një varg emrash, mbiemrash, numërorë e përemra, folje e fjalë shërbyese të trashëguara, si: atë, ëmë, bir, djalë, dhëndër, ari, berr, bollë, dash, dele, i athët, i bardhë, i errët, ti, na / ne, ju, bie, ha, dal, marr, me, pa, për etj. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar në këtë syth, studimit të marrëdhënieve të shqipes me rumanishten. Në ndryshim nga prof. Çabej që bashkëpërkimet e shumta leksikore të fondit autokton në të dyja gjuhët i shpjegonte me kalimin e shumicës së tyre prej shqipes në rumanishte, sepse në të parën ato nuk ishin të izoluara, prof. Sh. Demiraj duke u përpjekur të bëjë shtresëzimin kohor të tyre, vjen në përfundimin e ndryshëm se shumë prej këtyre njësive nuk i përkasin historisë së marrëdhënieve gjuhë shqipe-rumanishte, por janë më të hershme e duhen kërkuar tek marrëdhëniet e nënës së shqipes, ilirishtes dhe substratit trako-dak apo geto-dak të rumanishtes.

Me të njëjtin kujdes, ai ka trajtuar në vepër edhe huazimet nga greqishtja, latinishtja, sllavishtja e turqishtja duke ndarë elementin që ka huazuar “nëna” e shqipes nga ai që ka huazuar vetë shqipja historike. Prejardhjen e gjuhës shqipe, profesor Sh. Demiraj e lidh ngushtësisht me historinë dhe jetën e popullit shqiptar. Ai ka parashtruar pikëpamjet kryesore të studiuesve të huaj e vendas lidhur me këtë çështje madhore për ne shqiptarët, të cilat herë kanë qenë të karakterit historik, herë gjuhësor e herë gjeografik. Në këtë botim të ri bie në sy se ndryshe nga botimi i parë, profesori jep disa shpjegime pak më të zgjeruara për pellazgët, për shtrirjen e tyre, për atë çka ka mbetur prej kësaj popullsie të lashtë si Orakulli i Dodonës, mbishkrimi Lemnosit. Ai nuk e përjashton mundësinë që ata të kenë qenë të shtrirë edhe në vise të Ilirisë. Por mungesa e dokumentacionit, nuk lejon të bëhen lidhje të mëtejshme, aq më tepër kur nuk dihet se e ç’tipi gjuhësor ka qenë kjo gjuhë e kësaj popullsie të lashtë. Kjo vepër e profesor Sh. Demiraj, ashtu si i gjithë kontributi i vëllimshëm prej 10 000 faqesh që mban autorësinë e tij, shquhet për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm. Fakti që analizat dhe arsyetimet e këtij gjuhëtari të shquar qëndrojnë në bazë të punës së studiuesve të gjuhës shqipe qofshin shqiptarë a të huaj, flet mbi të gjitha për objektivitetin shkencor të trajtimit të historisë së gjuhës shqipe.