Niveli 24.4 për qind, rreziku kryesor për ekonominë
Niveli i lartë i kredive të këqija është shndërruar në një nga rreziqet më të mëdha për ekonominë. BERZH e klasifikon Shqipërinë si vendin më problematik për huatë e pashlyera, ndër ekonomitë në zhvillim të Europës dhe Azisë. Më keq është vetëm Kazakistani, ku kreditë e këqija llogariten në 36.7 për qind. Huatë me probleme në Shqipëri u rritën me ritme shumë të shpejta gjatë viteve të krizës nga 3.2 për qind që ishin në 2007-n në gati 24.4 për qind aktualisht. Ky është treguesi më negativ në rajon. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera kanë arritur t’i administrojnë shumë më mirë rreziqet në tregjet e tyre financiare. Sipas Bankës Botërore, në Maqedoni, nga viti 2009 deri në fund të 2012-s, huatë e pashlyera u rritën me vetëm 0.8 për qind. Në Bosnjë, rritja ka qenë më pak se 7 për qind, dhe po kështu edhe në Malin e Zi dhe Serbi. Kjo në një kohë, kur këto vende janë përballur me recesion ekonomik dhe kanë një portofol kredie ndaj Prodhimit Kombëtar shumë më të lartë se Shqipëria, çka do duhet t’i bënte më të rrezikuara. Mosmbajtja nën kontroll e kredive të këqija ka prodhuar dy pasoja negative në ekonomi. Së pari, ka rritur rreziqet financiare për ekonominë, një fakt i vënë në dukje jo vetëm nga FMN dhe Banka Botërore por tashmë edhe nga agjencitë e njohura ndërkombëtare që merren me vlerësimin e riskut. Por përveç kësaj, niveli i lartë i tyre po frenon rritjen ekonomike të vendit, duke i nxitur bankat të ulin ekspozimin në Shqipëri dhe t’i investojnë paratë në vendet e tjera ku perceptojnë më pak rrezik. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë përmes paketave rregulluese që synojnë ristrukturimin e kredive me probleme për individët dhe biznesin si dhe përmes lehtësimit të politikës monetare duke ulur normën bazë të interesit për lekun. Kjo do të bëhet kryesisht për bizneset dhe në analizën e ristrukturimit do të bëjë pjesë edhe pritshmëria e situatës së ardhshme financiare. Pra, nëse një biznes ka marrë një kredi dhe prej kohësh nuk paguan këstet, duke e kaluar atë në një kredi me probleme, analiza e bankës që ka këtë kredi do të fillojë me situatën aktuale e deri te pritshmëritë në një afat të shkurtër apo të mesëm për ecurinë. Për bizneset që paraqesin të dhëna dhe tregues realë të një përmirësimi, do të ketë edhe ristrukturim të kredisë. Në vartësi të kontratës që do të nënshkruhet, do të lihet edhe një periudhë ngrirje pagesash e mjaftueshme që biznesi të sigurojë një situatë të favorshme financiare dhe më pas të fillojë pagesën me termat e rinj të paracaktuar dhe të rëna dakord me palët. Një kategori tjetër kredish të portofolit të huave me probleme do të dalë jashtë bilancit të bankave, duke e pastruar njëherë e mirë atë. Ky proces, ashtu sikurse ristrukturimi, do të ketë mbikëqyrjen totale të Bankës së Shqipërisë dhe për rastet kur treguesit nuk janë në favor të biznesit, do të ndërmerren të gjithë hapat për ekzekutim kolaterali. Në fund të procesit, i cili sipas konsulencës së BB do të duhet të shtrihet në një periudhë relativisht të gjatë, sektori bankar do të ketë një ulje të nivelit të kredive të këqija, duke ulur edhe riskun për sektorin.
Raporti
BERZH e klasifikon Shqipërinë si vendin më problematik për huatë e pashlyera, ndër ekonomitë në zhvillim të Europës dhe Azisë