Kryesoret Emërohet drejtor, gjen në zyrë dosjen për abuzimet personale

Emërohet drejtor, gjen në zyrë dosjen për abuzimet personale

1738
SHPËRNDAJE

Skandali në Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Barnave

Ish-eprorët e akuzuan Zhan Levanin për dëm ekonomik, por dosja nuk shkoi kurrë në prokurori

Bledi Gilaj

qendra kombetare kontrollit barnaveEmërimi si drejtor i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave duket se ka qenë një “shpërblim” për Zhan Levanin, i cili kur ishte në funksione më të ulëta në këtë institucion është akuzuar nga ish-eprorët se kishte abuzuar me detyrën, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Por, kallëzimi i përgatitur për të mësohet se nuk përfundoi asnjëherë në dyert e prokurorisë, pavarësisht se më parë kishte marrë edhe masa disiplinore, pasi dosja mbeti në sirtarët e këtij institucioni. Kjo, për arsye se drejtori që e përgatiti u largua nga detyra një ditë pasi përfundoi materiali, ndërsa drejtori pasardhës nuk kreu asnjë veprim me këtë dosje. Tashmë, mbetet vetëm që Zhan Levani, drejtori i ri i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, institucionit që ka për detyrë të kontrollojë, analizojë dhe ruajë mostrat e çdo medikamenti që hyn në tregun shqiptar, të marrë atë dosje dhe të kallëzojë veten në prokurori, me qëllim që të zbardhet nëse ai ka qenë përgjegjës për ato shkelje apo është i pafajshëm.

barna

Zhan Levani, i cili gjatë viteve të fundit ka mbajtur poste të ndryshme në institucionet e shëndetësisë, është emëruar së fundi në krye të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Por, historia e tij zë fill më 17 prill 2012, kur mbante postin e shefit të sektorit të regjistrimit në QKKB. Në atë kohë, Levani ka marrë masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna”, me motivacionin “për informim të pasaktë të titullarit të institucionit mbi administrimin e mostrave (sample) të barnave të dorëzuara për regjistrim/riregjistrim, e në vijim të mostrave të skaduara dhe procedurave për asgjësimin e tyre dhe për detajet e dokumentacionit lidhur me paketimin, që duhet të përmbajë dosja për regjistrim/riregjistrim të barnave”.

Një raport i dy muajve më vonë, i firmosur nga pesë anëtarë të grupit të kontrollit të brendshëm të QKKB, numëron një sërë shkeljesh e parregullsish të vërejtura në punën e sektorit që drejtonte z. Levani. Bëhet fjalë për zhdukjen apo tjetërsimin e kampioneve të barnave që sipas ligjit duhet të qëndrojnë në QKKB. Në raport thuhet se nga sektori i regjistrimit në QKKB nuk janë dorëzuar kampionë për 115 barna, nga 210 të kërkuar. Në raport jepen edhe emrat e barnave, që sipas specialistëve janë kryesisht medikamente për trajtimin e tumoreve, që në ndonjë rast kushtojnë deri në 1000 euro për dozë. Por, as kontrolli, as drejtori i asaj kohe i QKKB-së nuk kanë bërë një përllogaritje të saktë të dëmit financiar që është shkaktuar.

Për këtë arsye, gazeta Shqip kontaktoi me ish-drejtorin e QKKB-së, Besnik Jakaj, i cili mësohet se ka urdhëruar kontrollin për sektorin e drejtuar në atë kohë nga Levani. Ai tha se gjithçka kishte nisur rastësisht, pasi ishte zbuluar se një medikament, i cili me shkresa ndodhej në qendër, por jo fizikisht. “Mbaj mend se në spital ishte dërguar një aktor i njohur dhe na u kërkua një nga barnat që sipas shkresave ne e kishim në QKKB. Menjëherë urdhërova që të jepet ky medikament, por nuk po më jepnin një përgjigje. Më zvarrisnin, më thoshin se nuk po e gjejmë dhe kështu e kuptuam se ai nuk ekzistonte fizikisht, por vetëm në shkresa. Pikërisht për këtë arsye, urdhërova të ngrihet një grup kontrolli. Më pas u realizua kontrolli dhe rezultuan parregullsi, pikërisht nga sektori që drejtohej nga z. Levani”, ka shpjeguar Jakaj për gazetën. Më tej, ai shpjegoi se në kohën që po përfundonte kontrolli dhe po përpilohej materiali për dëmin ekonomik të shkaktuar, pasi do të dërgohej në prokurori, ka dhënë dorëheqjen. “Materiali, pothuajse i plotë më erdhi një ditë para se të lija detyrën”, shpjegon ai.

Kur ka lënë detyrën e drejtorit të QKKB, z. Jakaj, bashkë me dokumente të tjera, ka lënë në tryezën e punës një shënim për pasardhësin, pikërisht mbi dokumentin e raportit të kontrollit në sektorin e regjistrimit. “Për ndjekjen e procedurave të mëtejshme i lihet drejtorit pasardhës në zbatim të ligjit”, ka shkruar me shkrim dore Besnik Jakaj, mbi raportin që tashmë i ka rënë në dorë drejtorit pasardhës. Madje, kjo është protokolluar nga stafi.

Pas ikjes së tij, në krye të QKKB-së u emërua Arif Shahini. Për të mësuar se çfarë ndodhi me këtë material, Shqip kontaktoi edhe me z. Shahini, i cili nuk pati shumë dëshirë t’i kthehej kohës kur ishte në krye të QKKB-së, por shpjegoi veprimet që ka kryer me këtë material. I pyetur për materialin që ishte lënë nga paraardhësi, Shahini shpjegoi se nuk kishte kryer asnjë veprim. “Dosja nuk më është lënë mua, por shefes së administratës. Unë nuk kam ndërmarrë asnjë veprim, pasi nuk jam vënë në dijeni për diçka të tillë”, u shpreh shkurtimisht z. Shahini. Nga ana tjetër mësohet se gjatë kohës që Shahini ka qenë në krye të këtij institucioni, Zhan Levani ka mbajtur detyrën e shefit të shërbimit farmaceutik në QSUT.

Nga ana tjetër, nga burime të tjera pranë QKKB-së mësohet se kjo dosje ndaj Levanit, e përgatitur nga paraardhësit e tij, është ende në ambientet e QKKB-së dhe tashmë si drejtor pasardhës, i dyti në radhë, i mbetet të dërgojë veten në prokurori për të mësuar nëse ka bërë shkelje gjatë qëndrimit në detyrën e shefit të sektorit të regjistrimit në këtë institucion.