Legalizimet falas, gati projektligji i ri

Miratimi, në mbledhjen e radhës së qeverisë. Krijim i hartës dixhitale dhe sistem online

Legalizime informaleBrenda një kohe shumë të shkurtër pritet të rinisë procesi i legalizimeve. Një nga premtimet kryesore të fushatës së Partisë Socialiste, do të gjejë zbatim pas miratimit të ligjit të ri të legalizimeve në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, deklaroi dje gjatë një tryeze me përfaqësues të aktorëve që lidhen me procesin e legalizimit se, paketa ligjore për këtë proces ka përfunduar dhe këto ditë projekti do i paraqitet Këshillit të Ministrave për miratim, ku do u jepet “drita jeshile” legalizimeve falas. “Ka pasur mosrakordim mes institucioneve, por angazhimi ynë për legalizime falas qëndron”, deklaroi ministrja Eglantina Gjermani. Duke iu referuar institucioneve përgjegjëse për zvarritjen e procesit, Gjermeni fajësoi ALUIZNI-n, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si shkaktarët kryesorë që procesi i legalizimit të zvarritet dhe të dëmtohen qytetarët. “Vlerësoj tryezën e institucioneve, një takim i tillë nuk është realizuar asnjëherë më parë. Qytetarët e kanë vuajtur shumë mungesën e koordinimit të institucioneve për çështjen e legalizimeve. Çështja e legalizimeve, një nga premtimet kryesore të qeverisë, kërkojmë mbështetje edhe nga njësitë vendore. Jemi të angazhuar që të mos lejojmë ndërtime pa leje, pasi procesi i legalizimeve nuk do të kishte kuptim”, theksoi Gjermeni. Ndërsa kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, ka theksuar se moskoordinimi i institucioneve u ka shkaktuar makthe qytetarëve për zgjidhjen e legalizimit të pronës. “Nuk ka pasur asnjë bashkëpunim mes institucioneve të linjës, duke kaluar në gjyq shumë çështje. Reforma e tokës vazhdon ende, ndërkohë që duhet të kishte përfunduar brenda dy viteve”, theksoi Lame. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, tha se, për dhënien fund të ndërtimeve informale në vend dhe pajisjen me tapitë e shtëpisë së qytetarëve duhet një organizim ndërinstitucional. Sipas tij, kjo ka munguar në të shkuarën, duke bërë që, procesi i legalizimeve të mos mbyllet. Ndërkohë, drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Ilirjan Muho, theksoi në fjalën e tij se brenda javës do të vihet në punë sistemi online i shkëmbimit të informacionit për statusin juridik të pronës, projekt ky që do të luajë një rol vendimtar për përshpejtimin e procesit të legalizimit dhe uljen e korrupsionit. Nga ana tjetër, po në kuadër të përshpejtimit të procesit të legalizimit, edhe Agjencia e Kthimit dhe kompensimit të pronave, pritet të zbatojë një projekt për krijimin e hartës dixhitale. Kjo hartë do t’u japë mundësi specialistëve të verifikojnë në çast gjendjen e pronës, e cila ka hyrë në proces legalizimi. Aktualisht, janë rreth 300 mijë familje që presin të legalizojnë banesat, ku gjysma e tyre ende nuk ka arritur të dorëzojë dokumentacionin pranë zyrave të ALUIZNI-t. Ndryshimet e parashikuara në ligjin për legalizimin e banesave do të mundësojnë mbylljen e këtij procesi.

Autor te 6 Shkurt 2014. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry